Agjencia Zhurnal.mk.

Gërkovska në SEFF: Me praktikimin e parimeve të qeverisjes së mirë mund ta sjellim Evropën tani dhe menjëherë

Shkup, 15 shtator – Qeverisja e mirë është thelbësore për çdo vend të suksesshëm, veçanërisht në kontekstin e integrimeve në BE. Ajo i përmban parimet e transparencës, llogaridhënies, efikasitetit, gjithëpërfshirjes dhe integritetit si vlerë thelbësore. Me praktikimin e këtyre parimeve dhe vlerave, ne mund ta sjellim Evropën tani, menjëherë, pa pritur zbatimin e reformave, theksoi zëvendëskryeministrja përgjegjëse për Politika të Qeverisjes së Mirë, Sllavica Gërkovska, në Forumin e tretë Ekonomiko-Financiar në Shkup (SEFF), në temën “Evropa – PO, Evropa – TANI” organizuar nga Ministria e Financave.

Si pjesëmarrëse në panelin e parë të forumit, kushtuar integrimeve evropiane dhe rajonale, zëvendëskryeministrja Gërkovska iu referua nevojës për forcimin e sistemit të drejtësisë duke tejkaluar problemet e konstatuara në të gjitha raportet dhe vlerësimet përkatëse, si dhe duke përmirësuar më tej administratën publike, për të përmbushur në mënyrë efektive dhe efikase rolin e saj si shërbim për qytetarët dhe kompanitë.

“Këto janë shtyllat mbi të cilat ndërtohet qeverisja e mirë. Me këtë ne krijojmë një bazë solide jo vetëm për përparim në ekonomi, por edhe për prosperitet në të gjitha nivelet shoqërore. Dhe kjo hap rrugën për integrim të suksesshëm në BE, si qëllim kryesor strategjik për gjeneratën tonë dhe për ata që do të vijnë pas nesh”, deklaroi zëvendëskryeministrja Gërkovska.

Shtoi se në këto procese duhet të shfrytëzohet potenciali i gjithë shoqërisë, sepse me përkushtim dhe energji të fokusuar, mund të përballemi edhe me problemet të cilat duken si mision i pamundur. 

“Asgjë nuk del nga apatia, asgjë nuk mund të ndërtohet me cinizëm”, potencoi Gërkovska. 

Ajo iu referua edhe nevojës që me vazhdimësi t’i përkujtojmë qytetarët tanë për fuqinë transformuese të integrimit në BE, sepse ajo mbetet fuqi për ndryshime pozitive, e cila i bashkon njerëzit, e nxit rritjen ekonomike dhe promovon vlera demokratike. Me këtë, anëtarësimi në BE është rruga e vetme e sigurt drejt një standardi më të mirë jetësor dhe mjedisit më të mirë për progresin tonë ekonomik dhe social. 

“Po ose jo për Evropë” aspak nuk duhet të jetë pyetje. Por sa afër “tani” është pyetja e vërtetë, e cila u është dërguar liderëve të BE-së, por para së gjithash të populistëve në skenën tonë politike, të cilët, për interesat e tyre të ngushta e dëmtojnë procesin integrues, ndërsa me këtë edhe progresin gjithëpërfshirës të të gjithë qytetarëve tanë”, tha Gërkovska

Related posts

LSDM: Mickoski të përgjigjet për takimet me Palevskin

Xh M

Policia në tërësi e zbardhi rastin në Karbinci, nuk ka elemente të veprës penale

Xh M

Xhaferi kryeministër, partitë politike po përgatiten për qeveri teknike dhe për zgjedhje

Xh M