Liderët e G7-s do të angazhohen për të përdorur të gjitha burimet në përpjekjet për të rikuperuar dëmet që ka shkaktuar pandemia me COVID-19.
Në ditën e dytë të samitit të G7-s që po zhvillohet në Cornwall të Britanisë së Madhe, ata pritet ta lëshojnë një deklaratë e cila do të përmbajë një varg masash që duhet të ndërmerren për ta arritur këtë.
Qëllimi është që të zvogëlohet koha e nevojshme për zhvillimin e vaksinave nën 100 ditë.
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka kërkuar të premten në hapjen e samitit që të zhduket pabarazia globale.
Johnsoni, i cili është nikoqir i takimit të liderëve të shtate ekonomive më të forta në botë, e që po zhvillohet në resortin bregdetar Carbis Bay të Cornwallit, ka thënë se duhet të merren mësime nga “gabimet” e krizës financiare të vitit 2008.
Pas diskutimeve të ditës së parë të samitit, liderët botërorë janë shoqëruar nga Mbretëresha Elizabeth II për një darkë së bashku.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.