Grupi prej shtatë vendeve më të zhvilluara në botë (G7) sot kumtoi se i dënon rastet e rrëmbimit të udhëheqësisë së centralit bërthamor Zaporozhje dhe bëri thirrje në kthim urgjent të kontrollit të tërësishëm ukrainas ndaj centralit bërthamor.
“E dënojmë rrëmbimin e disafishtë rus të udhëheqësisë dhe personelit të centralit bërthamor ukrainas, Zaporozhje”, thuhet në kumtesën e G7.
G7 i bëri thirrje Rusisë që menjëherë t’ia kthejë kontrollin e plotë ndaj centralit bërthamor Zaporozhje pronarit të saj të vërtetë dhe sovran, Ukrainës.
Kompania shtetërore ukrainase për energji bërthamore “Energoatom” më 11 tetor kumtoi se forcat ruse e kanë rrëmbyer zëvendës drejtorin e centralit bërthamor “Zaporozhje” Valeri Martinjuk, dhe se ai gjendet në lokacion të panjohur.
Në ueb-faqen e Energoatomit u publikua se forcat ruse më 17 tetor e kanë rrëmbyer shefin e shërbimit për teknologji informatike, Oleh Kostjukov dhe ndihmësin e drejtorit të përgjithshëm të elektrocentralit, Oleh Osheka dhe i kanë dërguar në lokacion të panjohur.
Centrali bërthamor Zaporozhje gjendet në qytetin Energodar dhe që nga marsi është nën kontrollin e forcave ruse.
Presidenti rus Vlladimir Putin në fillim të tetorit nënshkroi dekret, me të cilin centrali bërthamor Zaporozhje vendoset nën pronësi ruse.