Shkup, 28 shtator – Ish ministri për punë të brendshme dhe të jashtme, Ljubomir Frçkovski është propozuar për ambasador i Maqedonisë në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Këtë e konfirmoi sot kryeparlamentari i vendit, Talat Xhaferi, transmeton Zhurnal.
“Kam marë material nga MPJ për personin në fjalë, bëhet fjalë për Ljubomir Frçkoskin. Në procedurë të rregullt ministria i ka dorëzuar tezat e kandidatit dhe të njejtat menjëherë janë dorëzuar deri te kryetari i komisionit për punë të jashtme por deri tani nuk është thirrë seanca. Ajo është në kompetencë të kryetarit të komisionit për punë të jashtme, kur të vendosë ta thirrë, atëherë duhet të jetë”, thotë Xhaferi.
Kryetari i komisioni për punë të jashtme në Kuvend ku kandidatët për ambasadorë duhet t’i mbrojnë tezat është deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski.
Frçkoski është prezent në skenën politike që nga mëvetësimi i shtetit në vitin 1991. Nga fillimi ishte ministër pa resor, më pas ministër i brendshëm e më vonë ministër i jashtëm. Në vitin 2009 ishte kandidat për president por pati humbur nga Gjorge Ivanov.//Zhurnal.mk