Tetovë, 17 maj – Në hapësirat e Komunës së Tetovës sot është mbajtur seanca e parë e Këshillit për Parandalim të Delikuencës së Fëmijëve. Në këtë seancë për kryesuese u zgjodh profesoresha Blerta Ahmedi, ndërsa u votuan edhe rregullorja për punën e Këshillit.
Në këtë këshill janë përfaqësues nga Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës, Qendra për Punë Sociale, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore Tetovë, Këshilli i Prindërve të Shkollave Fillore dhe të Mesme, Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme, Oda e Avokatëve, Këshilli i Komunës së Tetovës, si dhe nga institucione të tjera.

“Formimi i Këshillit ishte detyrim ligjor i komunës dhe për këtë kemi nisur këtë iniciativë, e cila sot ka një rezultat. Ky është një hap i madh për komunën për themelimin e këtij këshilli. Mendoj se me këtë përbërje do të kemi punë produktive dhe mund të konstatoj se i njëjti këshill do të jetë produktiv në punën e tij me ndërmarrjen e veprimeve dhe aktiviteteve konkrete me karakter parandalues”, deklaroi Blerta Ahmedi.
Këshilli për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve ka 17 anëtarë të cilët kanë mandat pesëvjeçar me të drejtë rizgjedhjeje.