Agjencia Zhurnal.mk.

FMN: Rritje prej 4,2 për qind dhe inflacion 3,9 për qind në vitin 2022, pandemia vazhdon të shkaktojë pasiguri

Shkup, 17 dhjetor – Ekipi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon se rritja ekonomike në shtet do të rritet nga 4 për qind sivjet në 4,2 për qind vitin e ardhshëm, kryesisht e nxitur nga kërkesa e madhe e brendshme. Ai pret që inflacioni në vitin 2022 të jetë mesatarisht 3,9 për qind dhe të stabilizohet në rreth 2 për qind në vitin 2023 edhe në periudhën më pas, ndërsa deficiti fiskal të ulet në 4,3 për qind të PBB-së në vitin 2022, nga 5,9 për qind në vitin 2021.

Në deklaratën përmbyllëse pas misionit të mbajtur virtual në vend, ekipi i FMN-së thekson se rimëkëmbja ekonomike pritet të vazhdojë në vitin 2022 dhe paralajmëron se pandemia vazhdon të shkaktojë pasiguri.

“Mbështetja e fortë përmes politikave zbuti ndikimin e pandemisë në ekonominë. Masat fiskale të mbështetjes ndihmuan në parandalimin e pushimeve të mëdha nga vendet e punës dhe në mbrojtjen e atyre më të rrezikuarve, derisa masat monetare dhe financiare e mirëmbajtën mbështetën kreditore për ekonominë.

Meqë pasiguria mbetet e madhe, politikat duhet edhe më tutje të jenë fleksibël. Theksi duhet vënë në kufizimin e pasojave në ekonominë të shkaktuara nga pandemia, njëherësh duke shënuar përparim në raport në prioritetet afatgjate reformuese, siç janë forcimi i mëtejshëm i menaxhimit të financave publike dhe menaxhimi i të ardhurave, si dhe forcimi i rrjetit të mbrojtjes financiare”, qëndron në deklaratën.

Punësimi, sipas FMN-së, me siguri do të rikuperohet gradualisht, por rritja e lartë e pagave, rritja e remitancave dhe përdorimi i një pjese të kursimeve kumulative do të ndikonin në rritjen e të ardhurave në dispozicion. Pritet rritje solide e eksporteve, megjithëse siç sqarojnë në të do të ndikojnë në mënyrë të pavolitshme në zinxhirin e furnizimit, veçanërisht në sektorin e automobilave, ndërsa kërkesa e madhe vendore brendshme nënkupton rritje të lartë të importit.

Për më tepër, siç bëjnë të ditur nga FMN-ja, mbulimi me vaksina është ende në nivel të ulët, ndërsa riaktivizimi global i pandemisë dhe variantet e reja të virusit janë faktorë që paraqesin një rrezik negativ për rritjen. Gjithashtu, paqëndrueshmëria politike do të mund të ulë besimin dhe të ngadalësojë zbatimin e politikave. Nga ana tjetër, fillimi i bisedimeve për aderim drejt BE-së mund t’i japë shtysë zbatimit të reformave, me çka do të rritet rritja.

Nga Misioni i FMN-së bëjnë të ditur se edhe në vendet e tjera, me siguri ka gjasa që inflacioni të jetë më i lartë sesa pritej fillimisht, por në gjysmën e dytë të vitit 2022 do të fillojë të ulet. Rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimit në korniza globale kanë nxitë inflacion më të lartë në vitin 2021, dhe është e mundshme që ato të kontribuojnë drejt lëvizjeve të inflacionit edhe në fillim të vitit 2022. Duke marrë parasysh se më shumë se gjysma e konsumit ka të bëjë me ushqimin dhe energjinë, kjo është e rëndësishme për shumicën e amvisërive.

“Treguesit e inflacionit, të cilët përjashtojnë çmimet e ndryshueshme, duke përfshirë çmimet e ushqimit dhe energjisë, janë gjithashtu më të lartë, gjë që bën të ditur në atë se rritja e inflacionit është në bazë më të gjerë. Marrë në përgjithësi, ekipi i FMN-së pret që inflacioni në vitin 2022 të jetë 3,9 për qind në mesatare dhe të stabilizohet në rreth 2 për qind në vitin 2023 dhe në periudhën më pas. Megjithëse ekziston pasiguri e konsiderueshme në raport me shtegun e mëtejshëm të inflacionit, rritja më e lartë e pagave mbart rreziqe në rritje, bëhet e ditur në deklaratë.

Sipas ekipit të FMN-së, Buxheti i vitit 2022 redukton në mënyrë përkatëse shpenzimet që kanë të bëjnë me pandeminë dhe njëherësh vazhdon të mbështesë aktivitetin ekonomik.

“Në bazë preliminare, ekipi i FMN-së pret që deficiti fiskal të ulet në 4,3 për qind të PBB-së në vitin 2022, nga 5,9 për qind në vitin 2021. Buxheti parashikon shpenzime më të larta në sektorin e shëndetësisë, duke përfshirë edhe ato për vaksina. Gjithashtu përmban edhe hapësirë që mundëson të reagohet në mënyrë fleksibël ndaj nevojave për shpenzime të lidhura me pandeminë. Nëse nevoja për masa emergjente vazhdon të ulet, siç edhe pritet në bazën fillestare, financimi do të mund të shfrytëzohet për mbështetje të rishpërndarjes së burimeve mes sektorëve, duke përfshirë edhe përmes trajnimit dhe rikualifikimit të punëtorëve, nxitjes së punësimit dhe investimeve dhe forcimit të rrjetit të mbrojtjes sociale, bëjnë të ditur nga FMN-ja.

Në Buxhetin ka një shpërndarje që është parashikuar të dedikohet për ndihmë të dedikuar, por, siç thonë ata, ndoshta do të nevojiten mjete shtesë për të zbutur ndikimin e çmimeve më të larta të energjisë për grupet e rrezikuara, veçanërisht kur norma e ulur e TVSH-së për energjinë elektrike do të normalizohet, duke filluar nga korriku.

“Ndarja e mëtejshme e subvencioneve të kompanive energjetike ose mbajtja e normës së reduktuar të TVSH-së, që prek të gjitha amvisëritë pavarësisht nivelit të tyre të të ardhurave, do të kishte ndikim më të madh te tatimpaguesit,  sesa ndihma e synuar për amvisëritë me të ardhura më të ulëta”, bën të ditur FMN-ja.

Prandaj, bëjnë të ditur se një strategji e besueshme fiskale afatmesme është çelësi i rimëkëmbjes së hapësirës fiskale, njëherësh duke krijuar hapësirë për më shumë investime.  Ekipi i FMN-së rekomandon që deficiti fiskal të afrohet në 1 për qind të PBB-së gjatë pesë viteve të ardhshme, gjë që do të sigurojë që Qeveria të ketë hapësirën e duhur fiskale për t’iu përgjigjur tronditjeve të mundshme në të ardhmen.

Kjo, sqarojnë ata, mund të arrihet kryesisht përmes reformës së politikës tatimore – duke përfshirë racionalizimin e trajtimeve preferenciale, heqjen e shkurtimeve të taksave të miratuara gjatë pandemisë dhe vendosjen e sistemit më progresiv – të gjitha këto në kombinim me përpjekjet shumë të nevojshme për të forcuar kapacitetin e arkëtimit dhe luftës kundër evazionit fiskal.

“Përmirësimet e mëtejshme në fushën e menaxhimit të financave publike do të nënkuptojnë mbështetje për planin e Qeverisë për të rritur investimet dhe, në përgjithësi, për të kufizuar rreziqet fiskale. Më konkretisht, për të përmirësuar menaxhimin e investimeve publike, planet për ngritjen e njësisë speciale në Ministrinë e Financave duhet të përfundojnë së shpejti dhe partneriteti publik-privat duhet të integrohet plotësisht në kuadrin e investimeve publike. Pa përjashtuar progresin e deritanishëm, është e rëndësishme të vazhdohet me aktivitetet për sigurimin e transparencës dhe llogaridhënies në përdorimin e parave publike, duke përfshirë edhe përmes përmirësimit të mëtejshëm të praktikave të furnizimit publik”, theksojnë nga FMN-ja.

Rekomandojnë edhe se nevojiten masa mbrojtëse për të menaxhuar rreziqet fiskale, e lidhur me ndërmarrjet shtetërore dhe me financat e vetëqeverisjes lokale.

Sa i përket ruajtjes së stabilitetit monetar dhe financiar, bëjnë të ditur se de fakto kursi fiks i denarit në dekadat e kaluara është konfirmuar si ankorë e stabilitetit dhe niveli i rezervave devizore është përkatës në mënyrë që të mbështetë kursin e tillë. Ndryshimet në politikën vendore monetare nuk do të ndikonin në efektet nga asnjëri prej faktorëve globalë që ndikojnë në lëvizjet inflatore. Megjithatë, Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut (BPRMV) duhet të vazhdojë të komunikojë me kujdes vlerësimin e saj për tendencat e inflacionit, dhe njëherësh të jetë e përgatitur për të ashpërsuar politikat nëse inflacioni në Maqedoninë e Veriut ndodh të jetë vazhdimisht më i lartë se inflacioni në eurozonën, gjë që nuk është rast për momentin, ose nëse realizohen presione të konsiderueshme dhe të vazhdueshme mbi rezervat devizore”, shprehen nga FMN-ja.

Sistemi bankar, theksojnë ata, është treguar i fortë dhe i qëndrueshëm gjatë pandemisë, por është e nevojshme të vazhdohet me vigjilencë të vazhdueshme. Sistemi bankar në tërësi edhe më tutje është i kapitalizuar mirë dhe fitimprurës. Janë të mirëseardhura iniciativat për të përmirësuar kornizën e e stres-testeve të bankave, së bashku me përpjekjet e përforcuara supervizore me qëllim që të sigurohet se bankat i dallojnë plasmanet eventuale problematike dhe ndajnë në mënyrë përkatëse rezervime për humbjet potenciale të ardhshme.

“Duke marrë parasysh hisen ende të madhe të kredive devizore ose kredive me klauzolë devizore për amvisëritë, të cilat nga ana tjetër kanë mjete të kufizuara devizore si mekanizëm mbrojtës, BPRMV-së duhet të mbajë masat e saj të përcaktuara me kujdes për të kufizuar kreditimin devizor. Për më tepër, rritja e borxhit në sektorin privat, edhe pse e nivelit të ulët, dhe rritja e lartë e kredive hipotekare, në kombinim me rritjen e çmimeve të patundshmërive janë faktorë që kërkojnë kujdes të mëtejshëm”, paralajmëron FMN-ja.

Njëherësh rekomandon forcimin e kornizës së politikës makroprudente dhe rrjetit të sigurisë financiare. Përgatitjet janë në rrjedhë që nga Programi i FMN-së për vlerësimin e sektorit financiar (FSAP) të vitit 2018, ndërsa procesi legjislativ duhet të përfundojë pa vonesë të mëtejshme. Prioritete do të ishin përmirësimi i mbikëqyrjes makroprudente dhe koordinimit mes institucioneve, duke siguruar njëkohësisht disponueshmërinë e instrumenteve makroprudente. Me rëndësi thelbësore janë ekzistenca e kornizave moderne për zgjidhjen e bankave dhe sigurimin e depozitave, të cilat do të forcojnë rrjetin e sigurisë financiare. Është e domosdoshme, sipas FMN-së, të ruhet pavarësia e punës së BPRMV-së.

Sipas ekipit të FMN-së, përpjekjet për të mbështetur rialokimin janë të rëndësishme në kufizimin e pasojave ekonomike të shkaktuara nga kriza e pandemisë. Rënia e pjesëmarrjes së fuqisë punëtore është intensifikuar gjatë krizës dhe, siç shprehen ata, nevojitet veprim përkatës me qëllim që të parandalojë tendencën e tillë, duke përfshirë politikat që do të mbështesin kalimin nga një vend pune në tjetër, përmes trajnimeve dhe rikualifikimeve, dhe forcimit të rezultateve arsimore me qëllim të reduktimit të mungesës së shkathtësive.

“Në mënyrë që të ruhen vendet e punës dhe aftësia konkurruese, misioni rekomandon respektim të mekanizmit të pagës minimale, por përmes harmonizimit më të afërt të tij me tendencat te produktivitetit. Çdo rritje ad hok e pagës minimale duhet të shoqërohet me masa shtesë për zbatimin e përpiktë të pagës minimale në mënyrë që të parandalohet kalimi ivendeve të punës në sektorin joformal. Forcimi i mëtejshëm i kornizës që rregullon falimentimin dhe josolvencës, duke përfshirë edhe zbatimin e ligjit të ri të falimentimit, në të ardhmen mund të ndihmojë gjithashtu në rishpërndarjen e burimeve”, bën të ditur FMN-ja në deklaratën përfundimtare.

Deklarata përfundimtare përmban këndvështrimet fillestare të misionit të FMN-së në fund të misionit të saj, që organizohet në kuadër të konsultimeve të rregullta (në të shumtën e rasteve një herë në vit) në përputhje me nenin 4 të Marrëveshjes me FMN-në, në kontekstin e kërkesës për shfrytëzimin e resurseve nga FMN-ja (huazim nga FMN-ja), si pjesë e bisedimeve për programet që vijojnë nga ekipi i FMN-së, ose si pjesë e monitorimit tjetër të zhvillimeve ekonomike nga ekipi.

Related posts

Gjithçka që duhet të dini për heqjen e roamingut në Ballkanin Perëndimor

Z.H

Përsëri ulje e çmimit të dizelit

Z.H

Lushtaku vlerëson ekipin të gatshëm për Prishtinën, ka një premtim edhe për tifozët

Redaksia

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More