Agjencia Zhurnal.mk.

Fenomeni i prejkohshëm i mungesës së kohezionit në NATO po shfaqet në forma të dëmshme në Ballkanin Perëndimor

NGA: SHABAN MURATI

 

Fenomeni i prejkohshëm i mungesës së kohezionit në NATO po shfaqet në disa forma të dëmshme të disa qendrimeve jo koherente atlantike në Ballkanin Perëndimor.ADVERTISING

Në datën 15 nëntor 2021 u zhvillua në Beograd në parlamentin e Serbisë sesioni i 101 i seminarit “Rose-Roth” të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në organizim të qeverisë serbe, me titullin “Integrimi euroatlantik, partneriteti për paqe dhe hapa të tjera për përballimin e sfidave të mbetura në Ballkanin Perëndimor”, ku sesionin e hapjes e drejtuan me fjalimet e tyre kryeministrja e Serbisë, Ana Bernabiç, dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana.

Nuk është e qartë se përse Asambleja Parlamentare e NATO-s, ku bën pjesë edhe Shqipëria, kishte zgjedhur Serbinë për të organizuar këtë sesion me temën kushtuar sfidave të sotme në Ballkanin Perëndimor, kur Serbia është sfida kryesore luftënxitëse, që duhet përballuar nga NATO, BE dhe Perëndimi në Ballkanin Perëndimor.

Në 15 nëntor portali “charter 97.org.ru” shkruante në analizën e vet për thellimin e krizës në rajon: “Epiqendra e konfliktualitetit në Ballkanin Perëndimor është Serbia, e cila ka nisur provokacionet e rradhës, që mund të kthehen në gjakderdhje.

Pas kulisave të politikës agresive të Beogradit ndaj shteteve fqinjë si Mali i Zi, Republika e Kosovës dhe Bosnje-Hercegovina, qëndrojnë protektorët rusë. Problemi themelor për Moskën në Ballkan është të ndalojë integrimin e mëtejshëm të këtyre shteteve në BE dhe në NATO”.

Nuk është e qartë se përse ishte zgjedhur pikërisht kjo temë për të organizuar në Serbi seminarin e Asamblesë Parlamentare atlantike në kryeqytetin e Serbisë dhe me qeverinë e Serbisë.

Qendrimet dhe përcaktimet orientuese, që u paraqitën në emër të NATO-s në atë seminar parlamentar atlantik, tingëllojnë të habitëshme dhe krijojnë mendimin se ishte zgjedhur edhe vendi i gabuar, edhe koha e gabuar, edhe deklarime të gabuara për t’u paraqitur në Beograd.

Zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, diplomati rumun Mircea  Geoana, deklaroi se Serbia jep një kontribut të vlefshëm për sigurinë në Ballkan dhe në Europë, se partneriteti me Serbinë është pjesë jetike, dhe konkludoi se “Unë e di që ne mund të llogarisim mbështetjen konstante të Serbisë”.

Nuk kuptohet nëse Geoana foli si diplomat rumun apo si përfaqësues i NATO-s dhe zëvendëssekretar i përgjithshëm i saj. Si diplomat rumun është i kuptueshëm glorifikimi i Serbisë prej tij, sepse Rumania është shtet që përkrah politikën serbe në rajon dhe nuk e njeh Kosovën, që e quan pjesë të Serbisë, se Rumania është në një mikroaleancë të ngushtë ortodokse Serbi-Rumani-Bullgari, të quajtur “grupi i Krajovës”, etj.

Por të japësh qëndrimet rumune në emër të NATO-s dhe ta përkufizosh Serbinë e sotme si kontribut i sigurisë në Ballkan dhe në Europë, më e pakta do të thotë të flasësh në erë, jashtë kohës dhe jashtë vendit të duhur.

Në emër të Aleancës Atlantike diplomati rumun Geoana afishoi një qëndrim për Serbinë e sotme dhe për qeverinë e saj të sotme, i cili jo vetëm është i habitshëm, por edhe i dëmshëm. Të krijosh iluzionin që gjeneratori kryesor i tensionit në Ballkanin Perëndimor, Serbia, është kontribut sigurie për rajonin tonë dhe për Europën, do të thotë të mos jetosh as me situatat ballkanike dhe as me nevojën reale të përballimit të sfidave të sotme në Ballkanin Perëndimor.

E nxitur nga kjo frymë euforie rumuno-atlantike të seminarit, kryeministrja serbe Ana Bernabiç iu drejtua në 15 nëntor audiencës atlantike me një panegjirik tipik bizantin se “Serbia po krijon pozicionin e partnerit të përgjegjshëm  dhe të besuar të NATO-s”.(Në gjuhën e popullit me këtë rast thuhet “hapu dhe të futem”).

Së pari, si mund të flasë diplomati rumun, që mban spaletën e NATO-s, për kontribut të Serbisë në sigurinë e rajonit, kur aktualisht Ballkani Perëndimor po kalon periudhën më të rrezikshme të tensioneve dhe të pragluftës në Bosnje-Hercegovinë dhe në Kosovë pikërisht për shkak të ndërhyrjes së Serbisë.

Jo larg, por para një muaji dy herë me rradhë Beogradi provokoi situata praglufte në kufirin verior të Kosovës. Madje presidenti serb kërcënoi dhe NATO-n me ultimatum ushtarak, të cilin Geoana për shkak të postit që mban duhet ta ketë lexuar.

Në Bosnje-Hercegovinë separatizmi i “serpska republikës” i mbështetur nga Beogradi mbërriti në pikën më inkandeshente, që nga mbarimi i luftës atje në vitin 1995, sa që i Përfaqësuesi i Lartë Ndërkombëtar në Sarajevë, Kristian Shmidt, paralajmëroi në 4 nëntor Këshillin e Sigurimit të OKB se Bosnje-Hercegovina ndodhet në rreziqe ekzistenciale.

Në kulmin e këtyre tensioneve ndëretnike presidenti serb Vuçiç deklaroi se Serbia mbështet politikën e “serpska republikës”. Për shkak të postit atlantik që ka, zv.sekretari i përgjithshëm i NATO-s Geoana duhet ta dijë se në 14 tetor Dodik e kërcënoi edhe NATO-n se nëse NATO ndërhyn në “serpska republika” ai do të thërrasë për ndihmë Rusinë.

Emisari rumun i NATO-s duhet ta dijë që Serbia organizoi grushtin e shtetit në Mal të Zi në 2016 për të ndaluar atë shtet të hyjë në NATO, që Serbia organizoi përpjekjen për grusht shteti në 2017 në Maqedoninë e Veriut për të penguar atë shtet të hyjë në NATO. Mbetet enigmë se ku e pa dhe ku e gjet ai “kontributin e Serbisë për sigurinë e rajonit tonë”.

Së dyti, si mund të flasë një përfaqësues i NATO-s për kontribut sigurie të Serbisë në rajon dhe në Europë kur Serbia është plasdarmi kryesor i Rusisë në Ballkan, është aleati dhe sateliti i vetëm ushtarak dhe strategjik i Rusisë në rajon.

Nëse Serbia po ndjek një garë të çmendur armatimesh me armë të sofistikuara ruse, që nga avionët gjuejtës, tanket, dronët ushtarakë dhe sistemet e raketave ruse, nëse Serbia është pajisur me sistemet antiraketë ruse “Pancir” dhe planifikon të blejë edhe sistemet e reja raketore S-400 në Rusi, nëse forcat ushtarake ruse stërviten dy herë në vit në Serbi për zbarkim në Ballkan, të gjitha këto i bën me objektivin kundër vendeve të NATO-s në rajon dhe në Europë.

Zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s duhet ta dijë se Serbia i ka lejuar Rusisë bazë ushtarako-diversioniste në Nish dhe Serbia po ndërton në mënyrë të paligjshme një bazë të madhe ushtarako-ajrore në “serpska republika”, që do të jetë në dispozicion edhe të forcave ushtarake ruse. Nuk e di nëse duhet quajtur guxim diplomatik personal apo tallje me rajonin, që zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s flet dhe lavdëron të ashtuquajturin “neutralitet ushtarak” të Serbisë.

Së treti, disa burokratë atlantikë po përpiqen ta maskojnë filoserbizmin e tyre me pretekstin se sivjet duhet celebruar 15 vjetori i pranimit të Serbisë në program atlantik “Partneritet për Paqe” në samitin e Rigës në 29 nëntor 2006.

Madje diplomati rumun i NATO-s në mënyrë patetike në seminarin e 15 nëntorit në Beograd e quajti “ngjarje shumë speciale me rëndësi historike”. Në 3 dhjetor 2006 unë kam shprehur rezervat e mia për pranimin e Serbisë në programin atlantik “Partneritet për Paqe”, sepse nuk iu vu asnjë lloj kushti dhe nuk iu kërkua asnjë lëshim në bisedimet ndërkombëtare, që po zhvilloheshin për statusin e Kosovës:

“Ai vendim duket i parakohshëm dhe vështirë se do të realizojë shpresat ose pretendimet e atyre, që mendojnë se do të rezultojë me një forcim të pozitave të forcave vërtetë demokratike dhe proeuropiane në Serbi”. (Libri “Profile të diplomacisë europiane në Ballkan”, 2010, faqe 142).

Por çfarë ka bërë Serbia gjatë 15 viteve të pranimit në “Partneritetin për Paqe”? Një vit më pas, në 2007, kundër anëtarësimit në NATO Serbia miratoi nën diktatin e Rusisë doktrinën zyrtare të “neutralitetit ushtarak”, që ndalonte hyrjen e saj në blloqet ushtarake.

“Neutraliteti” u përdor si justifikim për bllokimin e integrimit atlantik dhe u përdor për maskimin e integrimit ushtarak të Serbisë me Rusinë. Në vitin 2009 Serbia i dha Rusisë bazën ushtarake të Nishit. Në vitin 2013 Serbia nënshkroi me Rusinë Traktatin e aleancës strategjike dhe ushtarake, duke u bërë vendi i vetëm në Ballkan, që ka nënshkruar këtë lloj traktati me Rusinë.

Në vitin 2013 Serbia u bë shtet vëzhgues në parlamentin e organizatës ushtarake ruse “CSTO”, që është një NATO aziatike e Rusisë. Serbia në 2014 përkrahu aneksimin e dhunshëm rus të Krimesë dhe presidenti serb Vuçiç lavdërohej në 14 nëntor 2021 në mediat ruse se Serbia është shteti i vetëm europian, që nuk është bashkuar me sanksionet e BE kundër Rusisë.

Së katërti, Serbia aktualisht po i bën një sfidë direkte NATO-s dhe Perëndimit duke mbrojtur sot vijën zyrtare të politikës kriminale të qeverisë së Sllobodan Millosheviçit, ku presidenti i Vuçiç ka qenë ministër.

Këto ditë Vuçiçi mori hapur në mbrojtje figurën e diskredituar të kriminelit ndërkombëtar të luftës, Ratko Mlladiç, kasapi i masakrës masive të Srebrenicës, dhe urdhëroi forcat policore që të ruanin natë e ditë muralet e glorifikimit të kriminelit Mlladiç, që me sponsorizimin e qeverisë janë pikturuar në qendër të Beogradit. Dikush duhej t’i kishte thënë zëvendëssekretarit të përgjithshëm të NATO-s se Serbia dhe qeveria serbe celebrojnë çdo vit një ditë “Anti Nato” në 24 mars.

Dajana Ostiç, studjuese në “Këshillin për Politikën Strategjike” në Beograd shkruan: ”Regjimet autoritare siç është pushteti në Serbi mbahen falë konstruksionit të armiqve të brendshëm dhe të jashtëm. Në rastin e Serbisë armiku i jashtëm nuk është as Rusia dhe as Kina, por ështe NATO dhe Perëndimi”.

Një ditë para seminarit atlantik të Beogradit presidenti serb Vuçiç në një intervistë në 14 nëntor në kanalin shtetëror rus “Rossija 1” i betohej presidentit rus Putin se “Serbia as sot, as nesër dhe as kurrë nuk do të hyjë në NATO”.

Çeshtja e qendrimeve apo iluzioneve atlantike ndaj Serbisë duhet parë jo thjeshtë si sjellje apo lajthitje e njërit apo tjetrit emisar apo burokrat atlantik. Ajo duhet parë në këndvështrimin e dëmeve, që shkakton në stabilitetin dhe në ekuilibrat politikë, psikologjikë, diplomatikë dhe ushtarakë të vendeve të rajonit tonë. Sepse çdo lloj glorifikimi apo mbështetje e Serbisë nga segmente të BE apo NATO-s në këto kohra don të thotë inkurajim i kursit agresive të saj ndaj shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Nuk kemi vetëm fshehjen apo shtrembërimin e realitetit ballkanik nga njeri apo tjetri emisar apo burokrat i NATO-s, por dhe një nxitje indirekte të një procesi destabilizimi, që Serbia dhe Rusia po zbatojnë sot në Ballkanin Perëndimor.

Është shqetësuese tendenca jo pozitive, që po shfaqet në disa punonjës dhe zyra atlantike për qëndrime indulgjente dhe favorizuese ndaj Serbisë. Duket si një infeksion i ardhur nga BE, e cila tradicionalisht ka mbi dy dekada që ndjek një politikë të gabuar të trajtimit preferencial ndaj Serbisë.

Në rastin e zyrave atlantike kjo bëhet edhe më e dëmshme, sepse lidhet me rrethana dhe me mekanizma të karakterit të sigurisë kombëtare në planin ushtarak të shteteve të rajonit. Një kurs indulgjent ndaj Serbisë, e cila po shkakton sot tensione luftarake dhe ndërhyrje brutale në punët e brendshme të Bosnje-Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi, mund të cenojë interesat e stabilitetit të vendeve dhe të popujve të rajonit.

Përballë këtyre tendencave dhe fenomeneve jo pozitive politike e diplomatike brenda aleancës atlantike ka rëndësi që edhe Shqipëria të luajë rolin e saj rajonal dhe të shprehë zërin e interesave të saj si anëtare e NATO-s dhe si shtet i Ballkanit Perëndimor.

Aq më tepër që objekt i ndërhyrjes, i shantazhit dhe i agresivitetit ushtarak serb është bërë shteti i dytë shqiptar Kosova, gjysma e kombit shqiptar. Normat dhe mënyrat e organizimit të organeve të NATO-s kërkojnë që çdo formulim qëndrimi të kursit dhe të politikës ballkanike të NATO-s të ketë konsultimin dhe konsensusin e shteteve anëtare nga Ballkani Perëndimor.

NATO ka tre shtete anëtare në Ballkanin Perëndimor dhe nuk duhet që një diplomat rumun me poste në NATO të paraqesë qëndrime, që dëmtojnë interesat e vendeve të NATO-s në rajon./DITA/

Related posts

(Mos)faktorizimi i shqiptarëve përballë lojërave oborrtare maqedonase

D V

Edi Rama është bërë karasevdali, i vetëpëlqyer, inatçor, kryeneq e arrogant ndaj Kosovës së Albin Kurtit

D V

Paranojat rreth SPAK dhe pritshmëria ndaj tij

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More