Agjencia Zhurnal.mk.

Fëmijë të vrarë, trupa me duar të lidhura, të copëtuar…

Ana Relvas França, gazetare portugeze, ka rrëfyer në Interaktiv të KTV-së, tmerrin që ka parë në Bucha të Ukrainës, pak ditë pasi trupat ruse vranë qindra civilë në kohën kur po largoheshin nga qyteti. Të premten ajo ka treguar se për disa ditë ka parë trupa të fëmijëve të vrarë, viktima që ishin vrarë teksa mbaheshin me duar të lidhura prapa, trupa të copëtuar e shenja cigaresh në trupa.

Reporterja e gazetës “Ekspresso” ka thënë se skenat që ka parë në Borydyanka kanë qenë edhe më të rënda se ato në Bucha. Ka treguar se civilët e Buchas i kanë zhvendosur trupat e bashkëqytetarëve, që i gjetën vetëm pasi ikën rusët.

“Janë gjetur trupa në vetura që kishin provuar të iknin nga qyteti dhe janë vrarë brenda veturave. Kështu, trupa të njerëzve kanë qëndruar për ditë të tëra në rrugë, pasi qyteti ishte i pushtuar nga rusët dhe civilët nuk mund t’i tërhiqnin trupat. Por pasi shkuan rusët, qytetarët i larguan të vrarët dhe i vendosën në Kishë, nga tri varreza masive. Dhe natyrisht, në Kishë provonin t’i identifikonin se kush ishin të vrarët dhe pastaj t’i varrosnin në mënyrë të duhur. Ukraina është një vend fetar dhe shumë njerëz më kanë thënë se sa ndihen të lënduar për faktin se që nuk e dinë ku i kanë familjarët e tyre ndonëse me shumë gjasë të vdekur dhe se nuk mund të organizonin funeralin për ta”, ka rrëfyer gazetarja.

França ka thënë se në një bisedë me një prift, ai i ka treguar për hedhjen e trupave që “i ishin dukur si mbetje ushqimi – si bërllok”.

“Njerëzit janë të shokuar”, ka treguar tutje ajo, duke thënë se deri tash ukrainasit u janë referuar rusëve si fqinj, por tash si “fqinjë të këqij, të dhunshëm e vrasës”.

Sipas saj njerëzit janë shokuar në disa forma. E para kur shohin bombardimet e duhet të ikin e më pas kur shohin rrugët e bombarduara nga ukrainasit për të ndaluar hovin e rusëve. “Shoku tjetër është kur pas një muaji në strehimore del jashtë dhe dëgjon ushtrinë ukrainase që bërtet: ‘Kjo është ushtria ukrainase dhe mund të dilni jashtë’”, ka treguar ajo. “…Dhe shihni trupa të shtrirë të vdekur në rrugë, njerëz që keni njohur me shenja torturimesh. Ne kemi parë këso gjërash. Trupa të bëra copë, shenja cigaresh në trupat e tyre e trupa me ngjyrë vjollcë e të kaltër nga rrahjet”.

Gazetarja ka rrëfyer për ndjenjat që përjetojnë ukrainasit pas daljes nga strehimoret pas 4-5-javësh të mbyllur dhe shohin që “qyteti më nuk ekziston”.

“Mbase jo të afërmit që ishin me ju në bodrume, por ata që nuk arritën të futeshin në bodrume u vranë. Kishte të vrarë në biçikleta që provonin të iknin e që u vranë në rrugë. Ju mund të shihni trupa të fëmijëve në varrezat masive…”, ka treguar më tej gazetarja duke shtuar se ka shumë viktima që ishin vrarë në kohën kur përpiqeshin të iknin në mes të luftimeve me artileri të rëndë.

Ajo ka thënë se ukrainasit megjithatë janë të vendosur të qëndrojnë në qytetet e shkatërruara.

Sipas saj, gjendja me furnizim dhe të tjera gjëra të nevojshme në rajon tashmë po përmirësohet.

E pyetur për të komentuar faktin që autoritetet ukrainase po mbledhin prova për të evidentuar masakrën në Bucha si gjenocid, gazetarja ka thënë vetë s’ka mundur t’i faktonte krimet e luftës sepse në këtë qytezë kishte shkuar pas krimeve. Megjithatë ka thënë se ka parë të vrarë që kishin duart e lidhura.

Të flasësh me ata që u mbijetuan luftimeve është shumë e rëndë, ka thënë gazetarja.

Sipas saj, Ukraina duket edhe më e konsoliduar tash sesa që ishte para luftës.

Ajo ka thënë se populli ukrainas nuk është duke parë dritë në fund të tunelit për fundin e luftës tash.

“Edhe nëse gjitha armiqësitë ndalojnë, edhe nëse bombardimet ndalen nesër, është shumë e vështirë për ukrainasit se lufta po mbaron. Edhe nëse qyteteve si Mariupoli, Khersoni apo Kharkivi iu kthehet paqja, prapë është shumë e vështirë se paqja e plotë do të rikthehet derisa mos të shohin që Putini ta humbë pushtetin duke u larguar nga politika. Dikush si ai nuk mund të jetë president i Rusisë sepse ukrainasit do të ndihen gjithnjë të kërcënuar. Kështu që edhe nëse s’ka më bomba, prapëseprapë, ata do të mendojnë janë të kërcënuar. Kështu që kjo fitore në Kiev nuk po i bën të ndjehen rehat. Ka rritje të moralit, por nuk do t’i ulin armët sepse përfundoi diçka. Nuk ndjen ashtu aspak”, ka thënë ajo.

Për punën si gazetare, França që ka qenë edhe në Kosovë gjatë zgjedhjeve e edhe në Siri, ka thënë se raportimi nga lufta është krejt ndryshe prej çfarëdo raportimi tjetër.

Related posts

Të afërmit presin të burgosurit e liruar me amnistinë e Vitit të Ri budist në Mianmar

Xh M

New York Times kufizon përdorimin e fjalës “gjenocid” në lajmet mbi konfliktin Izrael-Palestinë

Xh M

SHBA i përgjigjet kërkesës së Autoritetit Palestinez për anëtarësim në OKB

Xh M

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy