Agjencia Zhurnal.mk.

Ekspertët në BeH demantojnë pretendimet e Prokurorisë serbe: Armët e grupit terrorist të Radoiçiqit nuk ishin nga Tuzla

Institucionet e Serbisë ende nuk kanë sqaruar se mbi çfarë baze Prokuroria e Lartë Publike në Beograd pretendon se armët që u përdorën më 24 shtator në sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë, gjatë të cilit mbeti i vrarë një polic i Kosovës, kanë ardhur nga Tuzla.

Ekspertë të sigurisë dhe armatimit ushtarak në Bosnje dhe Hercegovinë thonë se këto armë nuk mund të ishin blerë legalisht ose ilegalisht në Bosnje dhe Hercegovinë.

Radoiçiq është ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit. Ai dha dorëheqjen nga kjo pozitë në të njëjtën ditë kur mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë.

Prokuroria në Beograd e akuzon Radoiçiqin, bazuar në deklaratën e tij, se nga janari deri më 24 shtator të këtij viti, nga Tuzla ka blerë armë, municion dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë (edicioni në gjuhën serbe) nëse ka prova se armët janë blerë me të vërtetë në Tuzla dhe kush e ka ndihmuar Radoiçiqin në transport.

Prokuroria e akuzon Radoiçiqin për veprat penale të bashkimit me qëllim të kryerjes së veprave penale, prodhimi, mbajtja, mbajtja dhe trafikimi i paligjshëm i armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse dhe vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, përcjell Telegrafi.

Radoiçiq mohoi kryerjen e këtyre krimeve.

Çfarë thonë institucionet e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës?

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë nuk i është përgjigjur pyetjes së REL nëse kanë informacione se armët janë transferuar përtej kufirit ndërmjet Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës dhe më tej nga Beogradi në territorin e Kosovës dhe nëse janë duke i hetuar këto pretendime.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd (VJT) nuk është përgjigjur në pyetjen nëse ka prova se armët janë marrë në Tuzla dhe për çfarë provash bëhet fjalë dhe kush e ka ndihmuar Radoiçiqin në atë dhe transportin e armëve.

Vetëm kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, më 4 tetor deklaroi se Serbia do të “hetojë të gjitha rrethanat në të cilat ndodhi sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë”.

​Ndërkohë, përcjell Telegrafi, policia e entitetit Federata e Bosnjë-Hercegovinës ka paralajmëruar hetim, me arsyetimin se do të kërkojë informacion dhe prova nga prokuroria e Beogradit për të gjithë rastin.

Në të njëjtën kohë, Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës tha se ky institucion gjyqësor nuk ka marrë asnjë dokument apo informacion nga agjencitë policore për këtë rast. Të njëjtin informacion e bën edhe Drejtoria për Koordinimin e Organeve Policore të Bosnjës e Hercegovinës.

I pyetur nëse SHBA-të kanë njohuri për pretendimet se Radoiçiq ka blerë armë nga Tuzla nga janari deri në shtator të këtij viti, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha se kjo temë konsiderohet “me interes”.

“Është e rëndësishme që autoritetet serbe filluan të analizojnë atë që unë do ta quaja zinxhiri i mbikëqyrjes së materialit. Ka pasur materiale të prodhuara në Serbi që në njëfarë mënyre kanë përfunduar në pajisje armësh në Banjskë. Kjo është diçka që duhet ta kuptojmë dhe ta zgjidhim. Nuk mund t’i vërtetoj pretendimet se ato gjëra kanë ardhur nga këtu apo atje, nga Tuzla, duhet të punojmë ende”, tha ai.

Çfarë thonë ekspertët në Bosnje dhe Hercegovinë?

Berko Zeçeviq, profesor i sarajevas në Departamentin e Teknologjive të Mbrojtjes dhe ekspert i balistikës mjeko-ligjore, thotë se i ka analizuar me kujdes të gjitha fotot e armëve të konfiskuara të publikuara nga policia e Kosovës. Ai thekson se nga shenjat në armë duket qartë se ato janë prodhuar në fabrika në Serbi.

Në të njëjtën kohë, pretendimet e prokurorisë së Beogradit se armët kanë ardhur nga Bosnja dhe Hercegovina i vlerëson si “një metodë tipike e propagandës gri apo e një lufte hibride, me qëllim ridrejtimin e seriozitetit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në Bosnjë e Hercegovinë”.

“Kjo është një deklaratë e pakuptimtë”, thotë Zeçeviq, përcjell Telegarfi.

Ai shton se në bazë të shenjave të detyrueshme identifikuese të armëve dhe municionit është e lehtë të përcaktohet origjina e tyre dhe se menaxhmenti i secilës depo armësh duhet të mbajë shënime të qarta sipas atyre shenjave.

“Pronari i fundit ligjor i granatahedhësit automatik, i cili u konfiskua, janë Forcat e Armatosura të Serbisë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për raketat manuale 64 milimetra, të ashtuquajturat zolla. Ato janë riparuar në Serbi në vitin 2017 dhe janë ruajtur në depon e Forcave të Armatosura të Serbisë”, është kategorik Zeçeviq.

Related posts

Trupi i Liridonës do të rivarroset sot në fshatin e lindjes

D V

Sot mblidhet komisioni hetimor për rezervat shtetërore

D V

“Serbia po ngec nën barrën e Kosovës”- gjithçka nga takimi Kurti-Jovanoviq në prag të zgjedhjeve në Beograd

D V