Agjencia Zhurnal.mk.

Editorial: VMRO-DPMNE dhe bojkoti i zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, ku e çon shtetin…?

Shkup, 5 qershor – Tani tre vite radhazi dëgjojmë kërkesat e opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe paralajmërimet e tyre se do të mbahen sot, ose do të mbahen nesër. Këto kërkesa dhe paralajmërime morën hov shumëfish më të madh pas zgjedhjeve lokale, në të cilat koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE fitoi bindshëm në shumicën e komunave. Mirëpo koalicioni qeveritar me sukses i përballoi këto kërkesa të pandërprera, ani pse u desh të bëhn “akrobacione’ të ndryshme për të refuzuar presionin e vazhdueshëm.

Tani më jemi futur në vitin e fundit të mandatit të kësaj përbërje parlamentare dhe siç duket zgjedhjet e ardhshme do të jenë të rregullta dhe me shumë gjasë do të mbahen bashkë me zgjedhjet presidenciale.
Kjo e ndryshon në masë të madhe raportin e forcave në skenën politike, me theks tek spektri politik maqedonas. VMRO-DPMNE kishte dhe ende ka rejting më të lartë se LSDM gati në të gjitha anketat që realizohen nga institute të ndryshme që hulumtojnë disponimin e opinionit publik në dy-tre vitet e fundit. Mirëpo raportet mund të ndryshojnë nëse mbahen bashkë zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare, shkruan Zhurnal.

Pse mund të ndodhë kjo?

VMRO-DPMNE gjatë këtyre viteve nuk arriti të krijojë një figurë politike që do të përfitonte simpatitë e elektoratit të bashkësive të ndryshme etnike, për dallim prej presidentit aktual, Stevo Pendarovski, i cili me shumë gjasa do të marë edhe një herë përkrahjen e LSDM-së deh BDI-së, por edhe të ASH-së si partner i ri në Qeveri,
Të gjitha emrat që përmenden si kandidatë të mundshëm nga radhët e VMRO-DPMNE-së, kanë përkrahje vetëm tek struktura të fragmentarizuara edhe te elektorati maqedonas, e mos të flasim për elektoratin tek bashkësitë etnike tjera, me përjashtim ndoshta të serbëve, që tradicionalisht përkrahin kandidatë që kanë tone më të ashpra kundrejt shqiptarëve.

Emrat që përmenden nga radhët e VMRO-DPMNE-së, si rikandidimi i Gordana Siljanovskës, kandidimi i kryetarit aktual të Akademisë maqedonase të Shkencave, Savo Kocarev, ose edhe aktivisti i kamotshëm i Shoqërisë Civile, Sasho Klekovski, vështirë se mund t’i sjellin përparësi VMRO-DPMNE-së, shkruan Zhurnal.
Ndoshta dikush ka pritur më shumë nga Pendarovski në mandatin e tij të parë presidencial, por përballë emrave të lartpërmendur, përparësia e tij sërish është evidente. E dalja e LSDM-së me një kandidat presidencial që ka rejting më të lartë se kandidati i VMRO-DPMNE-së, drejtpërdrejtë reflekton në raportin e forcave mes këtyre dy partive dhe mund të zvogëlojë, e ndoshta edhe barazojë dallimin që kanë edhe në numrin e deputetëve. Kjo pastaj i sjell përparësi LSDM-së, e cila aktualisht posedon raporte më të mira me partitë shqiptare për mundësi koalicionimi, se sa VMRO-DPMNE?

Skenari për dështimin e zgjedhjeve presidenciale, apo fitore të Apasievit?

Një shkak tjetër, mund të jetë edhe qëllimi i VMRO-DPMNE-së për përkrahje indirekte të Dimitar Apasievit për zgjedhje për president me qëllim të ndërtimit të një koalicioni parazgjedhor ose parazgjedhor me Levicën, që sipas shpresave të opozitës do të tejkalonte numrin e 60 deputetëve, pa partitë shqiptare? Është evidente se Apasiev paraqet një figurë specifike politike, i cili gëzon simpati edhe tek nacionalistët ekstremë të majtë, edhe tek ata të djathtë, por edhe tek një masë votuesish të qendrës, që tradicionalisht votojnë LSDM-në, por kanë krijuar aversion vitet e fundit kundër kësaj partie. Me një përkrahje indirekte nga VMRO-DPMNE, Apasiev do të ketë gjasa të mëdha për të fituar, por parashtrohet pyetja se ku e çon ky skenar shtetin?
Në atë rast vjen në pikëpyetje orientimi strategjik i vendit, sepse Apasiev nuk e fsheh që është i pakënaqur nga kursi aktual euroatlantik që kultivon Maqedonia e Veriut.

E gjithë kjo, pamundësia për të gjetur kandidat që do t’i dilte përballë Pendarovskit, kapacitetet e dobëta për të koalicionuar me partitë shqiptare, asi duket kanë detyruar VMRO-DPMNE-në të fillojë të “gatuajë” në kuzhinën e saj bojkot të mundshëm të zgjedhjeve presidenciale me qëllim që këto zgjedhje të dështojnë, duke mos u arritur pragu i nevojshëm ligjor? Kjo do të krijonte obligim ligjor për marrjen e përkohshme të postit të presidentit nga kryeparlamentari Talat Xhaferi, kurse VMRO-DPMNE-së do t’i krijonte hapësirë për të akuzuar Qeverinë për dështimin e zgjedhjes së Presidentit dhe lënien e këtij posti në “duar të shqiptarëve”, bashkë me postin e kryeministrit në 100 ditët e fundit, siç parasheh marrëveshja e vitit 2020 për bashkëqeverisje.

Shpresojmë se një koketim i tillë i VMRO-së me Levicën dhe Apasievin do të pengohet me kohë nga faktori ndërkombëtar, sepse pasojat e atij koketimi mund të jenë të pavolitshme për vendin, shkruan Zhurnal.

Related posts

Jovan Mitreski pritet të jetë kryetar i ri i Kuvendit

Xh M

Çfarë pritet nga samiti BE-Ballkani Perëndimor?

Xh M

LEN: A është i përfshirë Lupço Palevski edhe në organizimin e rastit të montuar “Monstra”

D V