Shkup, 3 prill – Maqedonia e Veriut është bërë ndër vendet e para në botë për vdekjen e personave nga virusi Covid 19. Statistikat botërore tregojnë se në përpjestim me banorët e një vendi, Maqedonia e Veriut, e cila ka 2 milionë banorë, ka shënuar mbi 133 mijë raste të infektuara, mbi 108 mijë janë shëruar dhe 3860 janë të vdekur. Nëse llogaritet numri i vdekjeve për 1 milionë banorë, Maqedonia e Veriut ka 1858 vdekje, që i tejkalon Italinë me 1828 vdekje për një milion banorë, Sllovakinë me 1812 vdekje, SHBA-të të cilët kanë 1686 vdekje, Brazilin 1555 vdekje, Francën 1436 etj. Para Maqedonisë së Veriut janë Mali i Zi me 2083 vdekje, Bosnja e Hercegovina me 2049 vdekje dhe Bullgaria me 1920 vdekje për një milion banorë.
Masat nuk kanë efektin e duhur!
Është fakt dhe tepër shqetësuese se shumë pak respektohen masat. Po të dalësh në qytet shihni pjesën më të madhe të njerëzve që nuk bartin maska, shihni njerëz të grumbulluar në dyqane, lokale, restorante. Është një relaksim i tërësishëm i popullatës dhe kjo po merr shumë jetë. Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore sipas Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, por nuk ka ndonjë efekt serioz.
Masat të cilat janë në fuqi lejojnë punën në tregje, por duke respektuar rekomandimet. Edhe në tregje qytetarë shihen duke mos vendosur maskat apo duke mbajtur ato në mënyrë jo të duhur. Sheshet po ashtu janë të mbushura me qytetarë, të cilët nuk respektojnë masat kundër pandemisë. Disa qytetarë mbajnë maska, por rrezikohen nga ata të cilët nuk i mbajnë ato.
Procesi më absurd me masat është se restorantet funksionojnë pa asnjë problem. Nëpër restorante qytetarët lejohen të rrijnë edhe pa maska, por mbyllen lokalet dhe i gjithë vendi shkon në karantinë pas orës 22.00. Ky efekt është i barabartë me zero, sepse më së shumti njerëzit infektohen nga tubimet nëpër restorante dhe vende të ngjashme.
Për festat e ardhshme fetare nevojitet që Komisioni për Sëmundje Infektive të rekomandojë masa të reja. Gjatë festave të vitit të kaluar ka pasur masa më të ashpra, por thelbi është në respektimin e masave tashmë ekzistuese. Maqedonia e Veriut ka masa të balancuara, ndërsa kemi zbatuar rezultate nga disa vende të cilat kishin masa më të ashpra, por edhe krahas asaj u përballën me valë të fuqishme. Pushteti arsyetohet se vendet e Evropës së Mesme edhe pse nuk kanë punuar as restoranet, as dyqanet, kanë numër të madh të pacientëve, që do të thotë se virusi nuk i kursen as ato vende më tutje. Ato vende të cilat vendosën orë policore dhe karantinë më të ashpra se tonat, prejse u paraqit vala sërish nuk dhanë rezultate, ndërsa atje ka rekomandime përderisa respektohen nuk do të ketë problem.
Numrat e frikshëm, askush nuk merr përgjegjësi
Këta numra të frikshëm kanë tmerruar vendin dhe qytetarët e saj, të cilët në ankth për të gjetur shpëtim nga mungesa e vaksinave ditë më parë u vërsulen drejt kufirit të Serbisë, ku merrnin vaksina falas. Qeveria e Shkupit zyrtar është ndër vendet e fundit që ka siguruar vaksina, ndërsa vaksinimi masiv pritet të fillojë të hënën, ku do të vaksinohen rreth 4 mijë qytetarë të parë.
E në të gjithë këtë dramë askush nuk po merr përgjegjësi. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe me arsyetime të llojllojshme mundohet që të arsyetohet për dështimet e tij. Ai nuk arriti të menaxhojë ashtu siç duhet pandeminë e shkaktuar nga Covid 19.
Ministri i Shëndetësisë ka thënë se spitalet janë të stërngarkuara si asnjëherë më parë, janë angazhuar reparte që deri tani nuk kanë pranuar pacient me Covid. Ai thotë se mjekët po bëjnë gjithçka për pacientët, por një pjesë e tyre nuk po arrijnë të mbijetojnë. Kjo deklaratë është ndër më absurdet, që mund t’iu thuhet qytetarëve kur kemi më shumë se 50 vdekje në ditë, siç ishte ditën e djeshme.
Vonimi i vaksinave rriti numrin e vdekjeve
Të gjitha shtetet për rreth arritën që të sigurojnë vaksina, arritën që t’i dalin në ndihmë ekonomisë së tyre, arritën që të amortizojnë situatat e palakmueshme, vetëm në Maqedoninë e Veriut duket se askush nuk e çan kokën për asgjë. E mos të flasim për përgjegjësi.
Fushata e vaksinimit kundër COVID-19 është “e ngadaltë” dhe kjo gjë është e “papranueshme” duke ngritur shqetësime se vonesat në dhënien e vaksinave mund të prolongojnë dhënien fund të pandemisë.
Maqedonia e Veriut ka mbetur prapa sa i përket furnizimit me vaksina. Në Evropë ishin vaksinuar pleqtë dhe rezultatet tregojnë se rastet e reja po rriten në çdo grupmoshë, përveç atyre mbi 80 vjeç dhe kjo është shenjë që vaksinimi i të moshuarve po jep efekt.
Fatkeqësia qëndron në faktin se në Maqedoninë e Veriut askush nuk jep përgjegjësi për dështimet e tij sepse fatkeqësisht mbrohen nga ata që i emërojnë. Filipçe nuk u dëgjua deri më tani të japë përgjegjësi për mijëra të vdekur nga Covid 19. Të paktën nuk kërkoi asnjëherë falje ndaj familjeve të tyre, të cilët çdo ditë e më shumë e ndajnë dhimbjen e tyre. Nevojitet vaksinim i shpejtë dhe efikas i popullatës. Tek e fundit, më mirë vonë se kurrë thotë populli, por përgjegjësi duhet të mbajnë ata që nuk siguruan me kohë vaksinat dhe nuk e menaxhuan mirë këtë krizë!