Agjencia Zhurnal.mk.

EDITORIAL/ Vaj halli për pensionistët si do ta kalojnë këtë dimër!

Shkup, 6 tetor – Pensionistët gati se kanë rënë në të njëjtën kategori me rastet sociale, sepse paratë që ata i marrin janë tepër të ulëta dhe të pamjaftueshme për të përballuar standardin jetësor. Me 10 mijë denarë sa janë pensionet minimale, kjo kategori e popullatës nuk mund të blejë vetëm ilaçet, e lëre më të paguajë faturat e rrymës, ujit, internetit dhe shpenzime tjera për ushqim. Dimër i vështirë do të jetë ky për çdokënd, por mjerë pensionistët si do e ballafaqohen në periudhën e ardhshme!

 

Qeveria krahason rritjen e pensioneve nga viti 2017, por harron se vetëm në vitin e fundit janë trefishuar shpenzimet

Ministria për punë dhe politika sociale ka njoftuar se në buxhetin e shtetit ka para të mjaftueshme për pagesën e pensioneve, rrogave dhe pagesën për ndihmat sociale. Qeveria ka vendosur metodologji të re, ku dy herë në vit gjatë muajit shtator dhe mars bën rivlerësim të pensioneve dhe në varshmëri prej standardit jetësor, ajo arrin të bëj rritjen e pensioneve. Nëse një pensionist i ka marrë para muajit shtator 16,376 denarë, tani nga muaji shtator do të marrë nga 17,490 denarë, ose një rritje prej 1100 denarëve.

Qeveria gjithashtu lavdërohet se nga qershori i viti 2017 pensionet janë rritur për rreth 3500-4000 denarë, por e njëjta harron se vetëm çmimi i energjisë elektrike është trefishuar, pa llogaritur këtu çmimet e ushqimeve bazike, bukës, vajit, sheqerit, qumështit etj.

Ata me pensione më të larta, marrin më shumë para se ata me pensione më të ulëta

Aktualisht kushtet për të dalë në pension mbeten të njëjta, që do të thotë se për burrat limiti mbetet 64 vjet dhe për gratë 62 vjet.

Qeveria, gjithashtu vendosi që të rritë pensionet në mënyrë lineare, ose për të gjithë pensionet të rriten me përqindje të njëjtë. Në muajin janar pensionet u rritën me 2.9 për qind, kurse tani në shtator me 6.8 për qind, e që i bie se gjatë vitit 2022 pensionet janë rritur për 9.7 për qind. Për 330 mijë pensionistë, gjatë vitit janë ndarë edhe 3 mijë denarë shtesë me qëllim që të përballohet më lehtë kriza financiare, shkruan Zhurnal.

Por, kjo metodologji, nënkupton që ai i cili merr pension të lartë, do të marrë rritje më të madhe se ai që merr pension më të ulët. Nëse në përqindje rritja është e njëjtë, në shuma të parave rritja është e ndryshme për çdo pensionist.
Pensioni më i ulët në Maqedoninë e Veriut është 10.276 denarë, dhe ky pensionist do të ketë rritje me 699 denarë, ndërsa ai që ka pension mesatar prej 16.348 denarëve, rritja e pensioneve do të bëhet me 1.112 denarë, e pensionisti që merr pension më të lartë prej 60.294 denarëve, rritjen do ta ketë më lartë, edhe atë prej 4.100 denarëve.

Për ata me pensione të larta jeta është më e lehtë dhe rritja është më e lartë. Pensioni më i lartë që është paguar në vend në muajin gusht ka qenë 60.294 denarë, i cili është marrë nga 57 pensionistë. Me rritjen e shtatorit pensionet e tyre do të rritet në mbi 64.000 denarë. Ndërsa, përderisa në gusht, 390 pensionistë kanë marrë mbi 50.000 denarë, janë 91.601 pensionistë që kanë marrë më pak se 11.500 denarë.

Qeveria thotë se rritja linearë e pensioneve që e bënte qeveria e Gruevskit me nga 600 denarë për të gjithë pensionistët është mosrespektim i ligjeve, sepse sipas tyre nëse dikush e ka pensionin më të lartë, ai person kur ka qenë në punë e ka pasur edhe pagën më të lartë dhe përgjegjësia e tij ka qenë më e lartë në punë, dhe prandaj edhe tani duhet të ketë pension më të lartë.

Nga qeveria gjithashtu pohojnë se janë duke diskutuar që të rritet niveli i minimal i pensioneve, por ende nuk është filluar të punohet në këtë drejtim.

Çka mund të blejnë pensionistët me rritjen mestarë prej 700-1000 denarë!

Edhe pse qeveria u krekos se po rrit pensionet, ajo po harron se pensionistëve këtë pak rritje po ua gëlltit inflacioni.

Me rritjen prej 6,8% ose me mesatarisht 1000 denarë në llogari nuk mund të blejnë pothuajse asgjë. Një rritje e tillë e pensioneve është poshtërim për pensionistët, sepse çdo gjë është e shtrenjtë, pensionet mezi mjaftojnë për faturat, ushqimet dhe ilaçet, por duke mos lënë asgjë për nevojat e tjera. E në fakt me rritjen që ua kanë bërë pensionistëve, ata mund të bë blejnë 5 kilogramë miell më tepër dhe 5 litra vaj!

Rritja e pensioneve të shtatorit tashmë është ngrënë nga inflacioni. Në gusht të këtij viti, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, çmimet u rritën për 14% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Një problem serioz për pensionistët është se kjo rritje është shumë e madhe në ushqime dhe fatura, ku shkojnë shumica e pensioneve. Kështu buka dhe vaji i gatimit u rritën me mbi 40%, ashtu si karburantet e lëngëta. Faturat e rrymës dhe të ngrohjes janë më të shtrenjta këtë vit me mbi 15%, ndërsa rritje të madhe të çmimeve ka pothuajse për të gjitha produktet, që nga ilaçet dhe produktet e bardha e deri te letrat higjienike.

Andaj, vaj halli për pensionistët se si do ta kalojnë dimrin nëse nuk kanë mbështetje nga fëmijët e tyre, familjarët apo të afërmit!//Zhurnal.mk

Related posts

Katër ndërhyrje të zjarrfikësve në Kumanovë dhe Likovë

Xh M

Mijallkovit i hiqen 3 vite nga dënimi me burg, njëra vepër është vjetërsuar

Z.H

A do bëhet ASH pjesë e Qeverisê? Ja si përgjigjet Osmani

Xh M

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More