Agjencia Zhurnal.mk.

EDITORIAL/ Shumë matematika për ndryshimet kushtetuese, llogaria nuk del assesi

Shkup, 10 nëntor – Shumica parlamentare duket qartë se ende nuk i ka numrat për ndryshimin e Kushtetutës dhe pas gjithë optimizmit të shtuar, duket se qeveria po vendnumëron duke pritur zgjidhje. Nga bisedimet e fundit mes liderëve politik nuk u dha asnjë shenjë se mund të ketë ndryshime pozitive, prandaj duket se pushteti do të detyrohet të gjejë rrugëdalje tjera, përfshirë edhe zgjedhjet e parakohshme!

 

Pushteti nuk po arrin të sigurojë 2/3 e votave

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka pranuar se pushteti nuk i ka numrat e duhur për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë. “Për momentin nuk mund të themi se kemi një numër të mjaftueshëm të deputetëve për të hapur Kushtetutën që të përfshihet edhe bashkësia etnike bullgare, pra të tilla janë shifrat”, tha kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, i cili dhe në cilësinë e deputetit të rajonit të Gostivarit ishte pjesë e karvanit mobil parlamentar “Kuvendi për qytetarët”.

Ai tha se për shkak të interesimit për vazhdimin e proceseve integruese evropiane, të gjithë deputetët dhe subjektet politike në Kuvend duhet t’i shikojnë ndryshimet kushtetuese si diçka që është me interes të veçantë për shtetin dhe qytetarët, duke u bërë thirrje partive në parlament, pasi që deklarativisht janë pro anëtarësimit të vendit në BE, së pari të punojnë për interesat e shtetit.

Se nuk ka shumicë të mjaftueshme për ndryshimin e Kushtetutës tërthorazi ka pranuar edhe kryeministri Kovaçevski, i cili vazhdimisht ka bërë apel që të gjitha partitë ta tejkalojnë vetveten dhe të hapin rrugën e Maqedonisë së Veriut për integrim në BE.

Aleanca nuk dëshiron të ngutet hyrjen në Qeveri

Ndonëse nuk ka asnjë konfirmim, jozyrtarisht, zyrtarë të lartë të qeverisë thonë se ka biseda mes Kovaçevskit dhe ushtruesit të detyrës presidenti i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari për konsolidimin e shumicës parlamentare.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se për momentin nuk po flet me Aleancën për Shqiptarët për hyrjen e partisë në Qeveri, ndërsa zëvendësja e tij në LSDM, Sanja Lukarevska, paralajmëroi se do të rritet shumica parlamentare. Është çështje mospërputhjeje apo taktikë e qeverisë për të mos prishur negociatat me Aleancën për konsolidimin e mazhorancës? Kjo dilemë u ngrit pasi partneri qeveritar Pavle Trajanov, lideri i Lidhjes Demokratike, tha se një parti me tetë deputetë pret të hyjë në qeveri.

Por, ajo që duket qartë është se partia e Arben Taravarit ende nuk ka marrë vendim për hyrje në Qeveri dhe këtë po e bën duke pritur se si do të lëvizin punët me qeverinë dhe me BDI-në. Kuptohet se ASH-ja dëshiron të futet në qeveri, por frikësohet se po digjet nga ngutja dhe prandaj po pret të bëhet e qartë se nëse kjo qeveri do të vazhdojë, apo mund të ketë ndryshime jo vetëm për shkak të Kushtetutës por edhe për shkak të trazirave në BDI.

VMRO DPMNE kategorike kundër ndryshimeve kushtetuese

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka thënë se qeveria e Kovaçevskit nuk ka shumicë për amendamentet kushtetuese dhe nuk do t’i shërbejnë sikur të mbledhë edhe qindra takime të liderëve, sepse VMRO-DPMNE nuk do të votojë ndryshimin e Kushtetutës në këto rrethana, pa garanci solide për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut në BE pa kushte shtesë.

VMRO DPMNE konsideron se politikat e qeverisë nuk janë në përputhje me interesat maqedonase, pasi kërcënohet gjuha, identiteti dhe historia dhe se qeveria harron maqedonasit në Bullgari.

Mickoski ka thënë se koha është të bisedohet për ekonominë, për shtrenjtimet e fundit, për rritjen e inflacionit, dhe për rritjen e deficitit tregtar. Sipas Mickoskit, me qeverinë e Kovaçevskit kemi një deficit tregtar të rritur, një deficit të madh buxhetor, një borxh publik që është rritur me mbi 2.5 miliardë në tre vjet dhe inflacion ndër më të lartët në Evropë. Treguesit ekonomikë tregojnë se vendi është në rënie.

Çka pritet të ndodhë në të ardhmen!

Me takimin e fundit të liderëve partiak, kryeministri Kovaçevski u mundua që t’i bindë të gjitha partitë se përse është e rëndësishme të ndryshohet kushtetuta. Ai potencoi se gjithsesi në çfarë do kohe, Maqedonia e Veriut do të duhet të fusë në grafën e bashkësive etnike edhe bullgarët, bashkë me kroatët, malazezët, izraelitët, egjiptianët etj. Ky është një detyrim që çdo vend duhet ta bëjë në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Këtë e di edhe opozita dhe të gjitha partitë politike, por kundërshtime ka vetëm për bashkësinë bullgare. Partitë politike opozitare kërkojnë garanci se nuk do ketë më kërkesa shtesë nga Bullgaria, e cila gjithashtu duhet të pranojë se gjuha maqedonase është e tillë dhe nuk është dialekt i bullgarishtes. Gjithashtu duhet të sqarohen shumë dilema për figura historike dhe çështje të identitetit.

Duke e pasur parasysh të kaluarën e dhimbshme të Maqedonisë së Veriut, e cila u detyrua ta ndryshojë emrin e shtetit, pas negociatave dhe bllokadës 30 vjeçare nga Greqia, është më se e qartë se situata me Bullgarinë mund të zgjasë po aq vite, nëse tani nuk tejkalohet ky moment ngërçi. Politikanët duhet ta kenë të qartë se çdo propozim i dytë që vjen për një ngërç, mund të jetë edhe më i vështirë se i pari, prandaj ndonjëherë duhet të kapet momenti i duhur për të pasur zgjidhjen e duhur.

Partive opozitare maqedonase më shumë iu intereson që të shkojnë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, se sa të zgjidhin problemet. Në situatë krize politike, ekonomike dhe energjetike, nuk është koha për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Qeveria edhe pse disa herë ka thënë se insiston që të përmbyllë mandatin deri në vitin 2024, nga presionet e vazhdueshme por arritjen e çuarjes përpara të proceseve politike, sidomos këtë të ndryshimeve në Kushtetutë, mund të ndryshojë qëndrim. Së fundi u fol që kryeministri Kovaçevski i ka ofruar partisë Aleanca për Shqiptarët që të futet në qeveri, dhe kjo e fundit ishte e gatshme për këtë gjë, por së fundmi, edhe nga kjo parti, por edhe nga vetë Kovaçevski, janë mohuar zërat se ka negociata të tilla. Aleanca pretendon se partia nuk ka marrë ofertë zyrtare për të hyrë në Qeveri, ndërsa Kovaçevski pretendon se nuk ka asnjë përpjekje të tillë.

Në kohën e lojërave me nerva, duket se Aleanca frikësohet të hyjë në qeveri, nëse nuk është e bindur se kjo shumicë do të mbetet deri në vitin 2024. Ndërkaq, Kovaçevski nëse nuk i siguron edhe 6 vota të deputetëve nga koalicioni me VMRO DPMNE-në, atëherë i mbeten dy zgjidhje. Njëra të vazhdojë të mbetet në qeveri deri në fund të mandatit, por pa avancim në rrugën e BE-së, dhe e dyta të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare në pranverë! Vendimi i dytë nuk është zgjidhje për integrimin në BE, por është forma më e fundit ku do të pyeten qytetarët nëse janë për bllokadë të vazhdueshme, ose janë për integrim të shpejtë.

Related posts

Moti më i ftohtë në Berovë, më shumë borë në Mavrovë

D V

Qyteti i Shkupit përfshihet në fushatën “Tatimi im, për komunën time”

Z.H

Janë mbyllur katër objekte hotelierike në rajonin e Tetovës, janë kapur 27 persona pa certifikatë për Kovid

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More