Agjencia Zhurnal.mk.

EDITORIAL / Sa të rëndësishme janë marrëveshjet midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë!

Shkup, 16 nëntor – Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ditë më parë mbajtën mbledhjen e përbashkët qeveritare në Shkup, e dyta me radhë në të cilën u nënshkruan 21 Marrëveshje. Të gjitha marrëveshjet e nënshkruara kanë për qëllim thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimin tregtar, në fushën e sigurisë, shëndetësisë dhe në shumë sfera të tjera. Këto Marrëveshje janë shumë të rëndësishme për të çuar një hap më larg bashkëpunimin e dy shteteve në të cilët jetojnë shqiptarët. Para se të futemi në BE, lidhja mes shqiptarëve po bëhet edhe më e fortë, duke e kuptuar realitetin në rajon!

 

Rëndësia e marrëveshjeve të nënshkruara!

Dy shtete kanë nënshkruar Memorandumet e bashkëpunimit të cilat kanë të bëjnë me çështjen e integrimit në BE, në fushën e digjitalizimit të shërbimeve konsullore, në fushën e mbrojtjes për implementimin e kontrollit të përbashkët kufitar në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Qafë-Thanë si dhe në sektorin e energjisë. Shkupi zyrtar dhe Tirana zyrtare do të bashkëpunojnë edhe në luftën kundër krimit të organizuar, duke ngritur grupe punuese të përbashkëta për të luftuar grupet kriminale që funksionojnë në dy anët e kufirit.

Gjithashtu, mes dy vendeve do të njihen licencat e profesionistëve të shëndetësisë dhe do të lehtësohen barrierat në fushën farmaceutike. Kjo nënkupton, se mjekë dhe profesionistë të medicinës mund të punojnë në dy shtetet pa pasur probleme me diplomat e tyre. Në këtë pikë, Maqedonia e Veriut përfiton shumë pasi mjekë nga Shqipëria që punonin në Maqedoninë e Veriut, ose studentë nga Lugina e Preshevës por edhe nga Maqedonia e Veriut që kishin përfunduar fakultetin në Shqipëri, kishin probleme me diplomat e tyre, sidomos ata që vinin nga dega e medicinës.

Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Shkup, pala shqiptare ra dakord për ndërtimin e një porti të thatë në Strugë, me të njëjtën filozofi si me marrëveshjen e nënshkruar me qeverinë e Kosovës qershorin e kaluar. Ndërtimi i portit të thatë kërkon infrastrukturë rrugore dhe hekurudhore. Kjo marrëveshje gjithashtu është shumë e rëndësishme sepse i mundëson Maqedonisë së Veriut që mos të jetë e varur vetëm nga porti i Selanikut, por të ketë alternativë të re. Porti i thatë në Strugë do të mundësojë distribuim të mallrave në mënyrë më të shpejtë, pas pasur nevojë për procedura shtesë edhe në Durrës edhe në Strugë. Tani procedurat do të mbyllen vetëm në Strugë. Me këtë vendim, do të zhvillohet edhe më shumë zona e Strugës duke u hapur vende të reja të punës dhe duke rritur përfitimet në logjistikë, transport, shpedicion etj., për Strugën dhe gjithë rajonin, shkruan Zhurnal.

Është fakt, se pas ndërtimit të rrugës së kombit Shqipëri – Kosovë, struga u la anash, sepse i gjithë qarkullimi kryhej nëpërmjet Kosovës, por tani kjo pjesë e Maqedonisë së Veriut do të gjallërohet dhe do të mundësohet lidhje më efikase, e sidomos me ndërtimin e Korridorit 8 dhe hekurudhës.

Gjithashtu, palët ranë dakord për ndërtimin e një autostrade që lidh dy vendet si dhe rindërtimin e linjës hekurudhore ekzistuese Durrës-Pogradec.

Në këtë mbledhje u dakordësuan edhe disa projekte të rëndësishme siç është hapja e një vendkalimi të ri kufitar midis dy shteteve, që do të jetë më i përshtatshëm për kalimin e qytetarëve, duke mos pasur nevojë të bëjnë qindra kilometra shtesë për të lidhur të dy anët. Por, kalimi kufitar në Qafë të Thanës mbetet më i rëndësishmi që do të lidhë dy shtetet, ku përveç qytetarëve bëhet edhe kalimi i mallrave. Projekt tjetër i rëndësishëm që u gjet pajtueshmëri të përfundohet është lidhja e dy autostradave në ‘Korridorin 8’ dhe lidhja hekurudhore Shkup- Durrës, për të cilën do të kërkohen mjete financiare në fondet e Bashkimit Evropian, sepse me këtë projekt do të lidhet Mesdheu dhe Deti i Zi me Detin Adriatik dhe Evropën perëndimore.

Mbledhja e qeverisë së Maqedonisë së Veriut me qeverinë shqiptare ka qenë mjaft produktive, pasi me aktet e dakordësuara krijohet një infrastrukturë komplekse në funksion të rritjes së ndërveprimit mes palëve
Dy shtetet zhvillojnë infrastrukturë komplekse në funksion të rritjes së volumit të ndërveprimit mes dy shteteve gjë që ka qenë edhe qëllimi parësor dhe mbetet qëllimi parësor i ‘Ballkanit të Hapur’, por edhe i Procesit të Berlinit.

Një Marrëveshje e rëndësishme është edhe ajo në sektorin e energjisë që do të shërbejë për të lehtësuar efektet e krizës për të dy vendet.

Ndryshe, “Zhurnal” edhe më parë rikujtoi se bashkëpunimi i tillë është shumë i rëndësishëm dhe i ka munguar dy vendeve, sidomos nga politikat injoruese të regjimit të Gruevskit, por më e rëndësishmja është që të gjitha Marrëveshjet e nënshkruara të implementohen sa më shpejt dhe mos të mbeten vetëm në letër.

Të gjitha Marrëveshjet që u nënshkruan

Memorandum bashkëpunimi për çështjen e integrimit në BE ndërmjet Sekretariatit për Çështje Europiane të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrit të Shtetit, Kryenegociatorit të Republikës së Shqipërisë.

Memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunim në fushën e trajnimeve.

Memorandumi bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunim në fushën e digjitalizimit të shërbimeve konsullore.

Memorandum mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.

Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë për formimin e ekipeve të përbashkëta të punës në sferën e sigurisë.

Protokoll ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë për implementimin e kontrollit të përbashkët kufitar në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Qafë-Thanë.

Protokoll ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Administratës Doganore të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë – Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave të Republikës së Shqipërisë në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për njohjen e ndërsjellë të operatorëve ekonomik të autorizuar – autorizimet për sigurinë dhe mbrojtjen (OEAS), ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Protokolli zbatues ndërmjet Ministrisë së Financave – Drejtoria e Doganës e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministria për Financave dhe ekonomisë – Drejtoria gjenerale për doganë e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e marrëveshjes në mes Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë për vendosjen e vendkalimit të përbashkët kufitar në mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, i nënshkruar më 10.06.2021 në Tiranë për vendkalimin ndërkombëtar Qafë-Thanë (Republika e Maqedonisë së Veriut – Qafë – Thanë Republika e Shqipërisë).

Memorandum Mirëkuptimi dhe bashkëpunimi në fushën e Financave Publike dhe Procesit të Aderimit në Bashkimin Europian ndërmjet Ministrisë së Financave të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të Republikës së Shqipërisë.

Memorandum bashkëpunimi në sektorin e energjisë ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë.
Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes të Republikës së Shqipërisë.

Marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë.

Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë lidhur me lekturën/redaktimin gjuhësor të gjuhës shqipe.

Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës të Republikës së Shqipërisë lidhur me zbatimin e gjuhës së shenjave të gjuhës shqipe.

Programi për bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë në fushën e arsimit dhe shkencës për periudhën 2023-2026.

Memorandum bashkëpunimi në fushën e politikës sociale dhe mbrojtjen e fëmijëve ndërmjet Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë.

Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë për rikthimin e ikonave të trafikuara ne vendin e tyre të origjinës.

Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për delegimin e trafikut ajror dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.

Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për vendosjen e transportit ndërshtetëror ndërmjet Liqenit të Ohrit.

Memorandum mirëkuptimi ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë për bashkëpunim për zhvillimin e lidhjes rrugore.

Memorandum mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës të Republikës së Shqipërisë në fushën e digjitalizimit./Zhurnal.mk

Related posts

PRSD: Partnerët e koalicionit të mos e përdorin propozimin francez për pikë politike

Xh M

Nesër ora 15:00 takohen Kovaçevski dhe Mickoski

Xh M

Temperaturat nën zero në mëngjesin e sotëm në Kodër të Diellit dhe në Mavrovë

Redaksia

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More