Agjencia Zhurnal.mk.

EDITORIAL/ Pas vitit të ri “KISMET”, studentët e UNT-së prej shkollës fillore do të bëhen me objekt universiteti

Shkup, 17 nëntor – Rektori i Universitetit “Nënë Tereza”, Izet Zeqiri theksoi ditë më parë se kanë filluar punimet për kampusin universitar, por që në realitet punimet për objektin e ri pritet të fillojnë pas vitit të ri. Fjalia “pas vitit të ri” do të thotë që nga 1 janari i vitit 2023 e deri në fund të 31 dhjetorit të atij viti, duke lënë kështu mundësi për të manipuluar publikun dhe studentët edhe për një vit të tërë. Fatkeqësisht, edhe pse ky Universitet u themelua në dhjetor të vitit 2015, tani plot e shtatë vite të tëra, studentët mësojnë në kushte të mjerueshme, disa në objektin e shkollës fillore “Kongersi i Manastriti” e të tjerët në godinën e zyrave të Lidhjes së sindikatave!

 

Objekti i ri i Universitetit do të duhet të fillojë pas vitit të ri!

Sipas rektorit të Universitetit Nënë Tereza në Shkup, Izet Zeqiri kanë filluar punët për kampusin e ri të Universitetit , ku brenda disa muajsh do të bëhet rikonstruimi i objekteve të Kazermës “Ilinden”, ndërsa ndërtimi i objektit të ri do të fillojë pas vitit të ri.

Gjatë fillimit të punimeve, rektori i universitetit Izet Zeqiri i prezantoi stafit akademik dhe studentëve të Universitetit hapësirat e kampusit. Zeqiri tha se brenda disa muajve do të përfundojë rikonstruimi i tre objekteve të cilat kanë qenë pronë e Kazermës ushtarake, ndërsa pas vitit të ri, do të duhet të fillojë edhe ndërtimi i një objekti të ri.

Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” ka thënë se paralelisht do të shkojnë rikonstruimi i objekteve aktuale dhe përgatitja për ndërtimin e objektit të ri, për të cilat është planifikuar buxhet prej rreth 250 milionë denarë investime kapitale. Ndërsa për objektin e ri do të ketë buxhet shtesë. Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup u themelua në dhjetor të vitit 2015. Në kuadër të Universiteti “Nënë Tereza” funksionojnë pesë fakultete me 36 drejtime.

Zeqiri ka treguar se plani i tyre është që hyrja të jetë në pjesën e rrugës nga ambasada dhe krejt në ballë të jetë hyrja e Universitetit, përndryshe në pjesën hyrëse do të eliminohen diku pesë objekte, me diku 30 kubik tokë, beton dhe mbeturina tjera.

Në klasa të shkollës fillore Universitetin e përfundoi një gjeneratë e tërë!

Nëse gjeneratave të reja u themi se dikur studentët në Prishtinë ose në Tetovë mësonin nëpër shtëpi private sepse nuk kishin kushte nga regjimi i Millosheviqit dhe më vonë nga regjimi i Cërvenkovskit e Fërçkovskit, do t’iu duket shumë e pakuptimtë, por se vjen koha edhe në liri, e pas gjithë sakrificës, studentët shqiptarë të studiojnë nëpër klasa të shkollave fillore e zyrave të sindikatave, kjo ka qenë e paimagjinueshme.

Askujt nuk do t’ia merrte mendja se mbi 3700 studentë të 5 fakulteteve dhe 36 drejtimeve për shtatë vite me radhë do të studiojnë në banka të shkollave fillore, të ulur nga tre veta në një bankë, për mungesë të hapësirave. Dhe, e gjitha kjo falë paaftësisë së drejtuesve të universitetit që të çojnë përpara sa më shpejt procedurat për pasjen e tokës.

Fatkeqësia më e madhe qëndron në faktin se ende nuk dihet se kur do të fillojnë punimet reale për objektin e Kampusin universitar, sepse të thuash se këto punime do të fillojnë pas vitit të ri, i bie që në mënyrë paushallë të manipulohet publiku e të blihet kohë shtesë.

Hapja e universitetit e domosdoshme, por projekti tepër i vonuar

Hapja e Universitetit “Nënë Tereza” ishte e nevojshme dhe vendim i domosdoshëm me të vetmin qëllim që kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut të ketë një institucion reprezentativ të dijes dhe studimit në gjuhën shqipe, karshi Universitetit “Shën Kirili e Metodi”. Edhe pse ky universitet u bë me shumë pazare e insistime politike, vendimi ishte i duhur dhe për të përshëndetur, sepse do të kthente kryeqendrën e Maqedonisë së Veriut, edhe në kryeqendër të shqiptarëve, ngjashëm siç ishte dikur, si kryeqytet i Dardanisë.

Nëse fillimisht ideja ishte që ky Universitet zyrat e tij t’i kishte në qendër të Shkupit, tani është shpërqendruar në periferi, më saktësisht në objektetet e kazermës ushtarake “Ilinden” që gjendet përballë objektit të Ambasadës së SHBA-ve në Shkup.

Edhe ky vendim, nuk është për t’u hedhur poshtë, sepse e gjallëron këtë pjesë të Çairit dhe ka hapësirë të mjaftueshme për salla të gjera për studime, amfiteatro, salla sporti e konvikte për studentët.

Kur u hap ky universitet në vitin 2015, u premtua nga qeveria se brenda tre viteve UNT-ja do të bëhet me objekt të vetin. Pastaj në vitin 2018, Qeveria tha se në procedurë është shpronësimi i një objekti që është nën kompetencat e Ministrisë së Mbrojtjes. Por, vetëm në vitin 2021 Ministria e Transportit aprovoi lejen e ndërtimit të objektit universitar në kazermën ushtarake Ilinden. Qeveria kurrë nuk ka folur për pengesat se kush i vinte stërkëmbëza këtij Universiteti, por koha e stërzgjatur ishte e qartë se ky Universitet ishte i halë në sy për shumëkënd.

Fatkeqësisht, edhe pse nuk është publikuar asnjëherë një plan detal për kampusin e këtij Universiteti, nga ajo që thotë rektori Zeqiri, duket se do të jetë një kombinim i objekteve aktuale me objekte të reja. Pra, zyrat e ushtarëve të ish-Jugosllavisë do të bëhen zyra të studentëve dhe profesorëve, ndërsa do të ndërtohen edhe zyra e objekte tjera shtesë.

Duke pasur parasysh se ky Universitet në gjuhën shqipe është i domosdoshëm në kryeqendrën e Maqedonisë së Veriut, nevojitet me data të sakta dhe me afate kohore të limituara të ndërtohet sa më shpejt ky kampus. Nëse shkohet me logjikën se do “bëhet kësmet” pas viti të ri, mund të shkojnë edhe gjenerata të tëra, e sërish ligjëratat studentët t’i mbajnë në klasa të shkollave fillore!

Related posts

Ahmeti sot do të shpalos platformën për zgjedhjet lokale

D V

Koalicioni “Ndryshojmë”: Shtrini dorën të gjithë fëmijëve dhe personave me autizëm

Xh M

Pendarovski: Në këtë Pashkë le të mendojmë për të gjithë ata që vuajnë dhe janë në mjerim

Xh M

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More