Agjencia Zhurnal.mk.

EDITORIAL / Nuredini për dy mandate nuk arriti të zgjidh deponinë e egër në dalje të Haraçinës !

Shkruan, Agjencia Zhurnal.mk

 

Shkup, 2 nëntor – Deponitë e egra dhe zonat e vjetra industriale në Maqedoninë e Veriut paraqesin bombë ekologjike që drejtpërdrejtë kërcënon jetën e qytetarëve dhe ndikojnë në mjedisin jetësor. Në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut llogariten rreth dy mijë deponi të egra, prej tyre 300 janë më të mëdha, të cilat janë absurditet dhe çmenduri në një shtet kaq të vogël. Ky vend po mbytet nga bërlloku dhe askush s’e çan kokën se çfarë po ndodh!

Maqedonia e Veriut po mbytet në mbeturina

Nëse merr rrugën për të shkuar në cilin do qoftë drejtim të vendit, jashtë vetëm pak kilometra jashtë kryeqytetit, do të shohim vetëm deponi të mbeturinave. Në deponinë e egër në dalje të Haraçinës, vazhdon situatë e rëndë ekologjike me mbeturina që digjen vazhdimisht, qenë endacakë dhe erë kundërmuese. Njëjtë është edhe në komunat shqiptare, e ato maqedonase. Thuajse në hyrje – dalje të çdo fshati e qyteze sytë do të shohin grumbuj me mbeturina. Autoritet nuk ndërmarrin asnjë veprim konkret që për gati 30 vite shtet i pavarur mos të rregullohet çështja e mbeturinave.

Në Maqedoninë e Veriut llogariten se ka mbi dy mijë deponi të egra, që do të thotë çdo fshat e paralagje e një qyteti i hedh mbeturinat ku të mundet. Përveç tyre, ka edhe gjashtëmbëdhjetë zona të vjetra industriale që shkaktojnë ndotje të truallit dhe të ujërave, të cilat e shkatërrojnë ambientin jetësor.

Ambasada e Zvicrës ndihmoi në sanimin e deponisë në Pollog, por komunat nuk i shlyejnë borxhet

Me ndihmë nga ambasada e Zvicrës në Shkup, pas shumë dekadave dhe zvarritjeve të procedurave është arritur që deponia rajonale “Rusino”, e cila gjendet në rajonin e Pollogut, ku i hedhin mbeturinat Tetova e Gostivari të jetë në gjendje më stabile. Tani, ky lokacion është i mbrojtur, ka personel ku 24 orë mbikëqyr deponinë dhe mirëmbahet nga ndërmarrja publike rajonale “Rusino Pollog”. Edhe pse me ndihmën e Zvicrës kjo ndërmarrje u rehabilitua, e njëjta sërish mund të kthehet në deponi të egër , sepse komuna e Tetovës dhe e Gostivarit i hedhin mbeturinat dhe nuk e kanë shlyer borxhin në tre muajt e fundit.

Ky mentalitet tipik ballkanas është i çuditshëm. Nëse dikush ta jep gishtin, mundohet t’ia marrin edhe krahun. Ngjashëm edhe në këtë rast, Zvicra me ndihmën e saj ua ka dhënë dorën banorëve dhe komunave të kësaj ane, kurse banorët dhe komunat duan që mos të paguajnë asnjë cent për bërllokun e tyre.

Ministri i ambientit nuk arrin ta kalojë një ligj në Kuvend!

Ministri i ekologjisë, Naser Nuredini ka pranuar se në Rusino është zhvilluar vetëm faza e parë e masave intervenuese, e që në fazën e dytë do të bëhet ndërtimi i infrastrukturës dhe vendosja e sistemit të menaxhimit të mbeturinave.

Me rëndësi të madhe është miratimi i Propozim-Ligjit për kredi nga BERZH, që do të ndihmojë komunat të investojnë në vendosjen e sistemit, por edhe pse kjo ministri ka përgatitur Propozim-Ligj për kredi nga BERZH, procedurat për këtë Propozim-Ligj edhe pas 5 muajve janë në procedurë parlamentare.

Kjo nënkupton se nëse ky ligj kalon në Kuvend, në fazën e dytë do të investohen mbi 20 milion euro në këtë drejtim.
Fatkeqësia është që kjo Ministri dhe vetë ministri Nuredini si pjesë e qeverisë nuk po arrin të menaxhojë që ta përshpejtojë procedurën për sjelljen e ligjit që vetë e kërkon. Kjo i bie që ose nuk ka forcë e të prezantojë se ky ligj është tepër i rëndësishëm, ose vullneti i shprehur është vetëm sipërfaqësor, sa për të manipuluar në sy të publikut.

Maqedonia po mbytet në mbeturina e fatkeqësisht e kjo ministri ende arsyetohet se pas pesë muajve nuk mund të kalojë ky ligj që të merren hua na BERZH. Kjo do të thotë se edhe nëse deri në fund të vitit kalohet ky ligj, investimet reale në projekte për pastrim dhe sistematizim të mbeturinave do të fillojnë të realizohen tek pas një viti.

A po kënaqeni duke jetuar në pisllëk!

Në Maqedoninë e Veriut mjedisi jetësor vazhdimisht ndotet, pa asnjë kontroll se kush hedh dhe çfarë hedh vend e pa vend. Dy gjëra kontribuojnë shumë në mbytjen që po na bëhet nga pisllëku e mbeturinat. Njëra është vetëdijesimi i ulët i qytetarëve, të cilët pa menduar aspak i hedhin mbeturinat gjithandej, dhe e dyta është infrastruktura e keqe, ose mospasja e vendeve adekuate për hedhjen e këtyre mbeturinave.

Fatkeqësia më e madhe është se Maqedonia e Veriut, më saktësisht Ministria e Ekologjisë nuk po arrin që në 20 vitet e fundit të ndërtojë asnjë deponi rajonale me standardet dhe kriteret e BE -së. Kudo në vendet e zhvilluara evropiane përqindja më e madhe e mbeturinave të krijuara ndahen veç e veç, pastaj riciklohet gjithçka që mund të përdoret sërish, dhe në fund digjet në mënyrë të kontrolluar ajo pjesë që është e patjetërsueshme.

Pastërtia është pjesa më e rëndësishme e një shoqërie. Sa më i ngritur të jetë ky mentalitet, aq më i lartë do të jetë niveli i pastërtisë. Është fakt i pamohueshëm se qytetarët i hedhin mbeturinat ku nuk duhet, por është tjetër fakt i pamohueshëm se qytetarët i hedhin mbeturinat atje ku çdoherë ka pasur një deponi të egër. E kjo ndodhë se komunat por edhe pushteti qendror nuk janë në gjendje të krijojnë asnjë kusht të mirëfilltë ku të grumbullohen mbeturinat.

Populli thotë “nëse s’ke turp, bëj çfarë të duash”, e kjo thënie duket se po iu shkon për shtati politikanëve të cilët nuk po e shohin pisllëkun e mbeturinat që i rrethojnë gjithandej ku lëvizin.

Related posts

Forum biznesi: Kompani çeke e shohin vendin tonë si partner perspektiv për bashkëpunim

Z.H

Aksident i rëndë trafiku në Shkup

Redaksia

Banka Popullore me bashkëpunim me Bankën e Portugalisë, ja në cilat fusha

Z.H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More