Agjencia Zhurnal.mk.

EDITORIAL / Ballkani “mjaltë dhe gjak” – Ata që thonë se s’ka rrezik e gënjejnë veten!

Shkruan Agjencia e Lajmeve Zhurnal.mk

 

Shkup, 7 nëntor – Situata e djeshme në veri të Mitrovicës ka rikthyer edhe një herë “tymin që gjendet nën prushin e Ballkanit”, i cili varësisht si frynë era mund të fiket por edhe të ri ndizet në zjarr. Shtetet e Ballkanit Perëndimor çdoherë janë në rrezik të tillë, andaj duhen burrështetas të mençur që prushit t’i hedhin ujë e jo benzinë, në të kundërtën do të digjen të gjithë së bashku. Nëse fillon të hapet “Kutia e Pandorës”, askush nuk e di se ku do të jetë fundi!, shkruan Zhurnal.mk

Serbët vetëradikalizohen për ta lënë Mitrovicën nën Serbi!

Serbët në veri të Mitrovicës kanë protestuar për të kërkuar themelimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë dhe kanë marrë një hap agresiv, duke paralajmëruar largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës, ndërsa policët serb në veri, i zhveshën uniformat si shenjë mosbindje ndaj autoriteteve të Republikës së Kosovës. Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për pezullimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Por, pyetja që shtrohet është se çfarë në të vërtetë duan serbët në veri të Kosovës! Qëllimi i tyre është që të jenë çdoherë vegël që do të përdoret nga politika e Beogradit, për të qenë atraktiv në “pazarin” e negociatave Kosovë – Serbi. Kjo dukuri, duke luajtur si “kukull e kontrolluar”, ka bërë që serbët të mos e dinë se çfarë në të vërtetë po duan! Integrimi në Republikën e Kosovës është proces që duhet të ndodhë pas dy dekadave të largimit të forcave serbe. Kjo vështirë është e mundur kur Beogradi i fryn zjarrit duke iu dhënë urdhra këtyre serbëve se si të sillen e çfarë të veprojnë. Të jetosh në Mitrovicë, e të drejtosh makinat me targa të Serbisë, është absurdi më i madh që ndodh! Kjo, i bie që kjo popullatë po kërkon që Mitrovica të jetë Serbi, ani pse gjendet në hartën dhe kufijtë e Kosovës.

Gënjyen botën, tani i besojnë gënjeshtrës së tyre!

Përpjekjet për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës me të ashtuquajturin plani “franko – gjerman”, ka tërbuar politikanët serb në Beograd. Ata për dekada të tëra kanë gënjyer dhe manipuluar popullatën serbe se Serbia asnjëherë nuk do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran dhe se po punojnë për mbrojtjen të vazhdueshme të interesave të serbëve në Kosovë. Por, duke parë ndryshimet e fundit në skenën politike rajonale dhe botërore, politikanët serb e dinë se të luash në dy karrige është e vështirë dhe nuk mund të jesh edhe aleat i Rusisë dhe aleat i Brukselit. Prandaj, ose duhet të pranohet realiteti e të zgjohesh nga gjumi, ose vazhdon të gënjesh të gjithë, e nuk e kupton se ke filluar t’i besosh gënjeshtrës tënde. Kjo, po ndodh pikërisht me serbët, të cilët duke gënjyer gjithë botën, kanë filluar t’i besojnë gënjeshtrës së tyre, e në fund dalin të çmendur nga e vërteta.

Kosova, e dalë nga masakrat, torturat dhe lufta e drejtë për liri, sot është shtet i pavarur dhe sovran. Këtë e di çdokush, por jo të gjithë e pranojnë për shkak të interesave të ndryshme.

Tani, radhën e ka që vetë Serbia ta pranojë këtë realitet dhe të ballafaqohet me gënjeshtrat e veta. Kjo i ka tërbuar politikanët serb, që përdorin “mish për top” serbët lokalë, të një pjesë e tyre të inkriminuar nga paratë që marrin në dy çezma, edhe atë të Prishtinës, por edhe atë të Beogradit.

Ballkani “mjaltë dhe gjak” në zemër të Evropës

Nëse nuk ndalohet tërbimi i politikanëve, atëherë dëmi do të jetë shumë i madh, dhe atij tymit nën prush, mund t’i dalë shpejt flaka, e të përvëlojë gjitha shtetet për rreth. Jo rastësisht Ballkani është “mjaltë dhe gjak” dhe rreziku gjithmonë është i pranishëm.

Të gjithë ata që thonë se s’ka rrezik në Ballkan janë në gabim. Rreziku është gjithmonë aty, varet sa dhe si do të dinë ta menaxhojnë politikanët e ndërgjegjshëm. Por, rreziku më i madh është nga politikanët populist, të cilët për hesapet e veta elektorale, harrojnë se me një fije shkrepëse e djegin gjithë Ballkanin. Andaj, duhet mençuri, zgjuarsi dhe lënie pas të të gjitha interesave të ngushta partiake, me të vetmin qëllim të shmanget dhuna, e të gjendet zgjidhja paqësore.

Në të kundërtën, Ballkani ka efekt domino! Nëse serbët tani heqin uniformat e policisë së Kosovës, nesër i heqin uniformat policët shqiptarë në Serbi. Zinxhiri mund të vazhdojë edhe në Bosnjë e Hercegovinë, edhe në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Mal të Zi!

Kjo, kurrsesi nuk guxon të ndodhë, sepse çdo veprim ka kundërveprim dhe maturia është që paqes t’i kontribuojnë të gjithë. Ballkani gjithmonë ka qenë i larë me gjak dhe kujtimet ende janë të freskëta se çfarë ndodhi në dy dekadat e fundit, prandaj paqes duhet t’i kontribuojmë më shumë.

Qytetarët duhet të mendohen dy herë kur vjen momenti se kë duhet të votojnë. Një politikan që rrah gjoks vetëm për zgjedhje është njëjtë si një “patriot me bateri”, që kur e lëshon energjia e votave, mundohet të karikohet me gjakun e të rinjve.

Faktori ndërkombëtar nuk duhet të lejojë një Ukrainë të dytë në Ballkan, prandaj gjithsecili duhet të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të çojë në tensione të mëtejshme, sepse zhvillimet e fundit vënë në rrezik vitet e punës së palodhur të gjeneratave të tëra për shtet të denjë e të pavarur në arenën ndërkombëtare. Kjo arrihet vetëm duke i prirë dialogut dhe në asnjë mënyrë – trazirave.//Zhurnal.mk

Related posts

Prej sot ndalohet eksporti i grurit, elbit, misrit, vajit dhe miellit, rezervat shtetërore janë plot

Z.H

Pse Danella Arsovska keqpërdorë resurse zyrtare të Lidhjes së Dhomave Tregtare?

Z.H

Publikohet shpallja për prokurorë publik, votimi bëhet më 7 nëntor

Z.H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More