Agjencia Zhurnal.mk.

EDITORIAL / A mund “kushtetuta” ta dërgoj vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare !?

Shkup, 3 nëntor – Për të hënën, më 7 nëntor është ftuar takim i të gjithë liderëve politik, e këtu duket se do të sqarohen të gjitha dilemat se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Politikanët kanë dy rrugë. Njëra të arrihet konsensus për ndryshimet kushtetuese dhe futjen e bullgarëve në Kushtetutë dhe e dyta zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sigurisht që opsioni i parë do të përshpejtojë integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE, ndërsa me opsionin e zgjedhjeve, zgjidhja duket më e komplikuar. Problem shtesë për opozitën maqedonase është edhe kërkesa e shqiptarëve për heqjen e “20 %” në vend të gjuhës shqipe, shkruan Zhurnal.mk.

 

VMRO DPMNE kundër heqjes së “20 %”

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski është kundër kërkesës së partive shqiptare për heqjen e 20%-shit dhe ideve për parlament dydhomësh. Sipas tij, kjo qasje do të krijonte një Bosnjë të dytë jofunksionale në Ballkan.
“Më e tmerrshme ishte ajo që thanë si sqarim përfaqësuesit e partive shqiptare, dhe kjo është formimi i parlamentit dydhomësh, që de fakto dhe de jure do të thotë federalizim. Mendoj se kjo e prish karakterin unitar të Maqedonisë pasi as Evropës as Botës nuk i duhet edhe një Bosnjë në Ballkan, edhe një shtet jofunksional.”,- theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

VMRO-DPMNE gjithashtu ka thënë se do të pranojë takim liderësh nëse në të bisedohet për problemet aktuale të qytetarëve, e jo për ndryshim të Kushtetutës, për çka qëndrimi partiak është i pandryshuar se nën këto rrethana nuk ka ndryshime kushtetuese.

Mickoski: Do të na akuzojnë se jemi kundër integrimeve në BE!

Mickoski ka thënë Qeveria do të tentojë t’i imponojë ndryshimet kushtetuese, ndërsa nëse partia e tyre nuk shkojnë në takim, do ta akuzonin VMRO-DPMNE-në se janë kundër integrimeve evropiane. Në interes të partisë, është të bisedohet për një njësi zgjedhore, për zgjedhje të parakohshme parlamentare, dhe janë të gatshëm këto çështje t’i vendosin anash dhe të bisedojnë për problemet e qytetarëve, si dhe për borxhet e vendit.

Mickoski konsideron se nëse pushteti do t’i kishte 80 deputetë, siç pohojnë nga gushti, e këtej, atëherë nuk do të kishte nevojë për një takim të këtillë të liderëve, ndërsa propozimi për ndryshim të Kushtetutës do të ishte në Parlament.

Taravari në Tiranë – a e mori “aminin” e hyrjes në qeveri

Edhe pse në njoftimin në FB të Arban Taravarit për vizitën me kryeministrin shqiptar Edi Rama, u publikua se u bisedua për infrastrukturën rrugore dhe keq menaxhimin e qeverisë, duket se një nga pikat kryesore ishte marrja e pëlqimit nëse duhet Aleanca për Shqiptarët të bëhet pjesë e qeverisë.

“U pajtuam për domosdonë e ndryshimeve kushtetuese në vendin tonë me qëllim të hapjes së negociatave për BE” shkroi në një fjali të vetme Taravari.

Duket se pas këtij takimi, Taravari veç se më me njërën këmbë është në qeverinë e Kovaçevskit. Ky i fundit disa herë ka paralajmëruar se do të ketë zgjerim të qeverisë, por Taravari e kishte lënë të hapur këtë ide. Edhe pse Rama nuk dha info se çfarë është biseduar, duket se tani pas këtij takimi, iu është mbyllur goja edhe atyre aktivistëve partiakë që kundërshtojnë hyrjen në qeveri bashkë me BDI-në dhe Alternativën.

Nuk është koha për zgjedhje të parakohshme!

Takimi i liderëve do të qartësojë dilemat se çfarë do të ndodhë në muajt në vijim. Qeveria këmbëngul se nuk është koha për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe për këtë arsye duhet të gjithë liderët politik të ulen e me mendje të qetë të diskutojnë për të mirën e vendit.

E mira e Maqedonisë së Veriut është që të integrohet sa më shpejtë në Bashkimin Evropian. Ky integrim për çdo shtet ka pasur sfidat e vështira, por është fakt se Maqedonia e Veriu u detyrua të bëjë ndryshime tepër të vështira duke e ndryshuar edhe emrin e shtetit. Të gjitha partitë politike, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike apo ideologjike duhet të ulen në tryezën e njëjtë dhe të bisedojnë për të ardhmen evropiane të shtetit.

Aktualisht nuk është koha, nuk është e përgjegjshme dhe nuk është serioze, në kohë të krizës energjetike, ekonomike dhe financiare të flitet për zgjedhje të parakohshme parlamentare. VMRO DPMNE edhe pse duket se ka avantazh nëse mbahen zgjedhje të parakohshme, duhet të mendojë mirë dhe njëherë e përgjithmonë të sillet si parti serioze, duke marrë vendime shtetërore të cilat do të sjellin një të nesërme më të mirë për të gjithë qytetarët.

Me futjen e Aleancës për Shqiptarët në qeveri, Kovaçevski ia ngushton rrethin edhe më shumë opozitës maqedonase dhe jep sinjal të qartë se ka një shumicë më të fuqishme parlamentare dhe nuk do të kushtëzohet nga gjithsecili.

Nëse VMRO DPMNE nuk pranon ndryshimet kushtetuese, atëherë do t’i mbetet “prushi në dorë” se është kundër integrimit në Bashkimin Evropian dhe në këtë mënyrë do të jetë më e lehtë që me metodologjinë e vjetër, të sigurojnë edhe gjashtë deputetë nga partitë politike të cilët do të votojnë ndryshimet kushtetuese.

Por, nëse nuk ka zbutje të qëndrimeve nga partitë politike, atëherë opsioni i fundit janë zgjedhjet, por që nuk janë aspak zgjidhje të dëshirueshme as nga qeveria e as nga faktori ndërkombëtar!

Related posts

Oda e Agrobiznesit: Çmimin e bukës, e përcaktojnë rritjet e tjera

Xh M

Tregtarët në Ohër hapën dyqanet e tyre të dielën, ende s’ka ndryshim për të dielën ditë jopune

Xh M

Lëvizja Besa me Hasim Murtezanin synon komunën e Sarajit

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More