Agjencia Zhurnal.mk.

Editorial: A janë vonuar qëllimisht disa projekte, që tani të shfrytëzohen për propagandë parazgjedhore?

Shkup, 12 shkurt – “Lopatat e projekteve të vonuara”, ishte titulli i parë që deshëm t’ia vendosim këtij editoriali të fillimjavës, për të përshkruar dukurinë që veçmë po ndodh, por që pritet të jetë edhe më prezente javët e muajtë në vazhdim, deri në “Ditën D” zgjedhore, respektivisht deri më 8 maj. Me afrimin e zgjedhjeve, aty këtu kemi filluar të vërejmë promovim të projekteve për ndërtim të objekteve publike, pamje që na kanë munguar mjaft gjatë periudhës kur zgjedjet nuk ishin kaq afër.

A mund të na sqarojë dikush se pse 200 metra asfalt nuk paskan mundur të shtrohen dy vite me radhë, por do të shtrohen pikërisht tani para zgjedhjeve? Pse gurthemeli i një shkolle nuk paska mundur të vendoset dy tre vite, e më shumë, e po mund të vendoset tani para zgjedhjeve? A nuk ju duket kjo si vonim i qëllimshëm i punëve që kanë mundur të kryhen më herët, që të shfrytëzohen tani për propagandë parazgjedhore? Sigurisht që po! Ekziston bazë e fuqishme për të dyshuar në prapavijën dhe sinqeritetin e projekteve që na servohen tani në prag të zgjedhjeve. Kush do ta kompensojë kohën që fëmijët tanë është dashur të mësojnë në kushte mizore, duke pritur ju fushatën për të filluar ndërtimin e një çerdhe ose shkolle? Kush do ua kompensojë qytetarëve dëmet duke vozitur nëpër rrugë me gropa, që ju të prisni zgjedhjet për të shtruar pak asfalt? Ndoshta duken pyetje banale, sepse fëmijët tuaj mësojnë në shkolla të shtrenjta private. Ju voziteni me vetura zyrtare dhe nuk i paguani nga xhepi defektet e veturave, sepse i paguani nga buxheti, respektivisht nga xhepi i qytetarëve, deri sa vetë qytetarët duhet të shkurtojnë nga nevojat elementare jetësore për të përballur defektin më të vogël të veturës së tyre. Juve ua ka verbëruar sytë luksi dhe komoditeti, por qytetarëve ua ka verbëruar sytë skamja e varfëria, ani pse punojnë ditë e natë për një jetë më të mirë.

Zbritni pak më poshtë, se nuk keni lindur në familje aristokrate, e milionat t’i keni trashëgimi brez pas brezi. Po të kishit qenë të tillë (aristokratë), nuk do të ishit kaq mendjemëdhenj dhe të kompleksuar. Por fati ynë i keq që deri dje keni qenë të pabrekë e pa openga, e brenda natës u bëtë milionerë duke shkelur djersën dhe gjakun e dikuj tjetër. Prandaj tani nuk doni të njihni as Zot as mëmëdhe, e jo më qytetarin e thjeshtë që sakrifikoi edhe gjakun, edhe pasurinë edhe rininë e djalërinë. Në vend që të jeni mirënjohës, sot silleni me mendjemadhësi. Në vend që t’ia ktheni sadopak të mirën popullit, biles me paratë buxhetore se nga xhepi juaj jo se jo, ju vononi projekte që të bëni propagandë parazgjedhore. Nëse nuk jeni bë rezila, duhet të ju vijë turp dhe të kërkoni falje publike gjithkund ku shkoni, e jo të bëni amin duke u shtirur si besimtarë të devotshëm, kur e dini se vonimi i projekteve për fushatë është një haram i cili nuk falet.

Zvarritja e projekteve që të përputhen me fushatën parazgjedhore nuk është problemi i vetëm. Problem edhe më i madh është zvarritja e ndërtimit dhe realizimit të tyre. Në një palë zgjedhje vendoset gurthemeli, në zgjedhjet tjera promovohet “karabinaja’, në zgjedhjet tjera kulmi, pastaj dritaret, molerimi, dekorimi, elektrifikimi dhe në fund nuk do të ketë asnjë nxënës të mësojë në ato shkolla që i promovoni sot para zgjedhjeve, e e që do të vonohen në 10 e 20 vitet e ardhshme.

Pastaj edhe qasja është shumë nënçmuese. Sot vendoset gurëthemeli dhe menjëherë jepen deklarata “fëmijët e këtij apo atij fshati do të mësojnë në kushtet më moderne”. Në cilat kushte o burra, kur ju jeni duke filluar ndërtimin e një shkolle, që siç thamë nuk dihet kur do të përfundon, e deklaratat i jepni sikur të bëni hapjen e shkollës në fjalë, kudo qoftë që të jetë.

Pse nuk u bë njëherë gjatë këtyre viteve praktikë që para zgjedhjeve të promovohen projekte të përfunduara, e jo vetëm projekte të filluara? Në cilat vende të botës bëhet kësi lloj fushate? Po, bëhet në ato vende ku nënçmohet intiligjenca e votuesit, por në vend ku votuesi respektohet numërohen projektet e përfunduara, e jo ato që do të fillojnë dhe që nuk dihet kur mbarojnë. Ende pa përfunduar dy kilometra autostradë, “vlojnë” deklaratat e statuset në rrjetet sociale “lidhim Shkupin dhe Prishtinën”? Paramendoni, ende pa u hedhur asnjë lopatë asfalt në Korridorin 8, “bombardohemi” me deklarata e intervista “rruga Shkup-Tiranë shkurtohet për 100 kilometra”. Kësi budallalliqe mund të bëjnë vetëm politikanë të vetëbegenisur, që mendojnë se kanë fuqi mbinatyrore për të manipuluar. Ata nuk e kanë të qartë se gjëja që votuesi më së paku e toleron është kur fillon t’ia nënçmosh intelegjencën. Atëherë ndëshkimi zgjedhor është i pashmangshëm!/Zhurnal

Related posts

Ish-kryetari i komunës së Novo Sellës kapet nga policia si pjesë e një grupi kriminal

Xh M

LSDM: VMRO me Siljanovskën ofrojnë kthim në izolim, larg BE-së

Xh M

“Karta Evropiane e Rinisë” në Maqedoninë e Veriut, një projekt joefikas me vonesa dhe kufizime në përdorim

Xh M

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy