Agjencia Zhurnal.mk.

Editorial: A do ta ndryshojë kthimi i “brankovistëve” qasjen e LSDM-së ndaj shqiptarëve?

Shkup, 29 dhjetor – Kur u publikua koncepti “Shoqëri për të Gjithë” nga kryetari i atëhershëm i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, më tepër dukej si një projekt i parealizueshëm utopik, se sa një koncept real.

 

Mirëpo me kalimin e kohës, ky koncept u pranua në masë të madhe nga qytetarët. U pranua deri në atë masë, sa që në disa cikle zgjedhore u bë përcaktues për fituesin e zgjedhjeve.

Edhe pse diku u dëshmua me vepra konkrete, e diku mbeti vetëm në fjalë, në përgjithësi ky koncept la gjurmët e veta në shoqërinë e vendit tonë, duke sjellur një atmosferë të re në raportet ndëretnike.  

Zaev tashmë është larguar nga kreu i LSDM-së dhe nga Qeveria, bashkë me pjesën më  të madhe të ekipit të tij me të cilin ndërtuan këtë koncept. Parashtrohet pyetja se a do të vazhdojë LSDM këtë koncept edhe pas largimit të Zaevit? A do ta vazhdojë këtë koncept edhe lideri i ri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, ose do të heqë dorë prej tij?

Shikaur nga prizmi i tyre partiak, ky është koncept të cilin LSDM-ja jo vetëm që duhet ta vazhdojë, por edhe duhet ta avancojë. Ky koncept në zgjedhjet e vitit 2016 i solli LSDM-së 50 deri 70 mijë vota dhe e bëri kompetetive për përballë VMRO-DPMNE-së deri atëherë të pamposhtur nën udhëheqjen e Nikolla Gruevskit. Falë këtij koncepti, LSDM iu afrua VMRO-së në vitin 2016 deri në atë nivel, saqë më vonë arriti të formojë qeveri dhe Gruevskin fillimisht ta dërgojë në opozitë, e më vonë edhe jashtë vendit.

Sot gjërat kanë ndryshuar shumë në krahasim me vitin 2015 e 2016, periudhë kur u promovua koncepti “Shoqëri për të Gjithë”. Sot edhe VMRO-DPMNE e ka ndryshuar fjalorin e saj përballë shqiptarëve dhe nuk shquhet me fjalor të vrazhdtë si më herët.

Nëse në vitin 2015-16 mjaftonte që LSDM vetëm proklamativisht të paraqitet me “Shoqërinë për të Gjithë” për të fituar simpatitë e shqiptarëve, sot nevojitet më tepër angazhim dhe punë.

Sado e dobësuar pas zgjedhjeve lokale, LSDM është ende parti në pushtet dhe ka mundësi të shumta për të dëshmuar me vepra, e jo vetëm me fjalë, angazhimin për një shoqëri për të gjithë. Përveç veprave, ky angazhim dëshmohet edhe përmes kuadrove të mirëfillta, siç është dorën në zemër, zëvendës kryeministri Fatmir Bytyqi, i cili do të mbetet edhe më tutje nënkryetar i kësaj partie.

Nëse ia don të mirën LSDM-së, Kovaçevski nuk duhet të lejojë që kthimi i kuadrove të njohur si “brankovistë” të ndryshojë konceptin “Shoqëri për të Gjithë”, për shkak të qëndrimeve që kjo rrymë partiake e LSDM-së ka pasur ndaj shqiptarëve. Secili në këtë parti duhet ta ketë parasysh kontributin që dhanë shqiptarët për “kthimin në jetë” të LSDM-së, por që mund ta japin edhe në “mbajtjen në jetë” të socialdemokratëve në kohën kur punët te elektorati maqedonas nuk i kanë shumë mirë.

Related posts

Zaevi në Samitin e Procesit të Berlinit: Bashkëpunimi rajonal është bazë për ndërlidhje dhe progres ekonomik, e jo zëvendësim për integrimin në BE

D V

Ngjarje përfundimtare e projektit “Komuna ime – financa, zhvillim, qëndrueshmëri afatgjate”

Z H

Lënda “Tarifa” kthehet në rigjykim, konfirmohet aktgjykimi për “Dhuna në Qendër”

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More