Agjencia Zhurnal.mk.

Dy vajza dhe dy burra, katër personazhe të protestës së 12 nëntorit

Nga Fatos Tarifa

Më 12 nëntor, në edicionin e fundit informativ të njërit prej televizioneve të vendit, ndoqa pamje nga protesta e asaj dite në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Sali Berisha dhe Ilir Meta, organizatorët e saj proteste, ishin po ata—të njëjtët politikanë demagogë dhe destruktivë, të njëjtët gramafonë të vjetëruar prej kohës së gjatë në pushtet dhe ideve të tyre, me të njëjtat fytyra të egërsuara, por edhe të trembura, që jo vetëm nuk ngjallin asnjë shpresë, por as edhe besimin më të vogël me ato që thonë dhe premtojnë. Sepse shumica e shqiptarëve i njohin mirë këta politikanë dhe zallamahitë e tyre.

Prania, deklaratat dhe thirrjet e tyre në atë protestë nuk ishin asgjë e re. Absolutisht asgjë e re.

As pjesëmarrja relativisht e gjerë në atë protestë nuk ishte diçka e re. Ai bulevard ka parë shumë herë më tepër njerëz dhe protestues se sa më 12 nëntor. Mënyra paqësore e sjelljes së protestuesve ishte diçka pozitive dhe mund të thuhet se, pavarësisht mungesës së një kauze, ajo protestë dëshmon se ndërgjegjja dhe sjellja politike e qytetarëve që protestojnë gradualisht po maturohen.

Ky, më në fund, mund të konsiderohet si një ogur i mirë për demokracinë në këtë vend.

***

Ato çka më bënë përshtypje nga ajo protestë—me aq pak sa pashë në lajmet e fundit në TV atë mbrëmje—ishin këto dy dukuri:

Dukuria e parë: Dy vajza që u ngjitën në podium dhe folën, ose më mirë lexuan ato ç’kishin për të thënë në atë protestë. Njëra, edhe pse studente, lexonte tërë gabime tekstin që mbante në duar, sikur të mos lexonte shkrimin e saj, ose tekstin që kishte shkruar ajo vetë. Ajo vajzë studente i thoshte këmbës dorë, ndaj edhe nuk ia vlen të them një fjalë më tepër për të.

Tjetra kishte ardhur nga Italia enkas për të marrë pjesë në atë protestë, por ajo vetëm ulërinte, duke u thënë shqiptarëve të mbledhur në atë bulevard që të mos e braktisin (siç kishte bërë ajo vetë) vendin e tyre, por të luftojnë deri në fund për të rrëzuar qeverinë “dikatoriale” të Edi Ramës.

Në atë protestë, ajo vajzë evokoi ekzekutimin në vitin 1951, pra 71 vite më parë, të 22 intelektualëve shqiptarë—mes tyre edhe gjyshit të saj—për “bombën në ambasadës sovjetike”. Ajo ngjarje ka qenë vërtet një krim i shëmtuar i regjimit komunist të asaj kohe, por që të vish nga përtej Adriatikut thjesht për të folur në një protestë antiqeveritare sot, në dekadën e tretë të shekullit të 21-të, për një krim shtetëror të kryer në mesin e shekullit të 20-të, duke u shprehur me një gjuhë të tillë urrejtjeje që mua dhe shumë të tjerëve si unë na la pa mend, kjo është—të më falë ajo vajzë—ose një mungesë e plotë e perspektivës historike, ose një urrejtje krejt e verbër në një kohë dhe ndaj një qeverie që s’kanë të bëjnë aspak me atë krim të një regjimi komunist—me kohë të përmbysur dhe sot pa asnjë shenjë jete në këtë vend.

***

Dukuria e dytë: Dy burra, fytyrat e të cilëve në atë protestë shprehnin më mirë se çdo gjë tjetër vetë fizionominë e saj. Për më tepër, përballë organizatorëve maskilistë të asaj proteste, Berishës dhe Metës, këta dy individë të linin përshtypjen e një baze mbështetëse të demaskilinizuar.

Njëri prej tyre është një mjek epidemiolog, Ilir Alimemti, një ndër kandidatët e vetëshpalluar të Partisë Demokratike për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Nuk e njoh dhe nuk di të them asgjë për njohuritë dhe aftësitë e tij profesonale si mjek, por atë mbrëmje, në protestë, ekzaltimi që vura re në fytyrën e tij duke vështruar Sali Berishën tek fliste, gati-gati sikur Berisha të ishte vetë Messiah—shpëtimtari i shqiptarëve—e zhvlerësuan shumë në sytë e mi këtë intelektual.

Vëmendja me të cilën ai dukej se e dëgjonte Berishën, mënyra se si e shihte atë dhe emocionet me të cilat dukej se i përjetonte fjalët dhe thirrjet e tij, më lanë të kuptoj se ky mjek gati-gati e veneron si një perëndi liderin e partisë së vet. Venerimi i liderëve politikë dhe i autoriteteve nuk është aspak një tipar i intelektualëve të vërtetë.

Tjetri është një personazh i rëndomtë, por që vitet e fundit është bërë një celebutant mediatik: Agim Nesho. Ata që e kanë njohur, ose e njohin këtë njeri, nuk munden veçse të qeshin me të dhe me manierizmin e tij kur e shohim sot përkrah Ilir Metës dhe kur, në protestën e 12 nëntorit, e panë t’u qëndronte pas, në vijë të parë, Berishës dhe Metës. What a disgrace!

Përveçse—tani në moshë pensioni—ai duket se është bërë “gjaku i ri” i Partisë së ripagëzuar të Lirisë, më tepër nuk kam ç’të them për këtë individ dhe nuk di nëse ia vlen të them një fjalë më shumë.

Presim të shohim ç’personazhe të reja do të bien në sy në protestën e radhës.

Related posts

Diplomacia, në mes të misionit dhe profesionit…

Xh M

Dëmi që i bëri Shqipërisë bëri regjimi regresiv Berisha-Meksi

Xh M

Turizmi 2023, propaganda false, shifrat e Europës!

Xh M

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy