Agjencia Zhurnal.mk.

Pagesa e kontributeve shumë e lartë, duhet të ketë tolerancë për gazetarët!

Shkup, 22 shkurt – Se shteti nuk dëshiron të ndihmojë sektorin mediatik dëshmohet edhe nga vlera e lartë që duhet të paguajnë punëdhënësit për gazetarët për t’i garantuar të drejtën e tyre themelore, sigurimin shëndetësor e atë pensional. Me fjalë të tjera shkelja e të drejtave të punëtorëve në përgjithësi e të gazetarëve në veçanti bëhet pikërisht për këtë arsye pasi pagesa e kontributeve arrin majat që gati 50% e pagës duhet të paguhet në shtet në mënyrë që punëtorët të jenë të siguruar. Sidomos, kur flasim për punëtorët mediatik, meqë me ligj është rregulluar sulmi ndaj gazetarëve dhe punëtorëve mediatik kategorizohet si sulm ndaj personit zyrtar. Por, nga ana tjetër për pagesën e kontributeve nuk ka kurrfarë kompromisi për gazetarët. Nëse shteti mundëson kompromis për pagesën e kontributeve të gazetarëve, të njëjtit do të marrin paga më të larta, dhe kjo me automatizëm rrit objektivitetin dhe pavarësinë financiare të gazetareve, shkruan Zhurnal.

Ulja e kontributeve për gazetarët mundëson punë sa më objektive –

Nevoja financiare shpesh herë çon në çalim të punës profesionale që bëhet, e kjo asesi nuk duhet lejuar që të ndodhë me sektorin mediatik, posaçërisht me gazetarët. Mediat janë pasqyra reale e pushtetit, ura lidhëse mes publikut dhe pushtetit. Nëse mediat raportojnë në mënyrë objektive edhe vlerësimi i qytetarëve do të jetë i tillë si për shpërblim ngjashëm edhe për ndëshkim.

Një hulumtim i Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë (SPGPM) tregon se 55 për qind e 3.146 pozitave të punës në media kanë paga nën mesataren. Nga numri i përgjithshëm, 53 për qind janë gra në këtë profesion. Një e pesta gjegjësisht mbi 600 punojnë në mediat onllajn ku, sipas të dhënave, është edhe përqindja më e madhe (mbi 70) e punonjësve mediatikë që marrin paga nën mesataren shtetërore. 

“Në mediat onllajn 39,1 për qind gëzojnë të drejtat nga Ligji për Marrëdhëniet e Punës, gjegjësisht janë të punësuar me orar të plotë. Ajo që kishim frikë dhe të dhënat fillestare dolën të ishin realitet i ashpër – punonjësit e mediave të punësuar në edicionet onllajn janë vetëm një e pesta e numrit të përgjithshëm të vendeve të punës, gjegjësisht mbi 600 punonjës. Fatkeqësisht, vetëm një nga tre të punësuar është i regjistruar rregullisht për punë me orar të plotë, ndërsa pagat janë nën mesataren shtetërore”, tha kryetari i SPGPM-së, Pavle Belovski, duke i bërë të ditura rezultatet e hulumtimit që Sindikata i bën në kuadër të projektit “Të drejtat e punëtorëve për gazetari të pavarur”në partneritet me Institutin RESIS dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Nga kjo kuptohet që 60% e punëtorëve mediatik nuk gëzojnë të drejtat themelore si punëtorë, pra përpos që nuk janë të regjistruar me orar të plotë, atyre nuk u paguhen kontributet. Dhe, kjo është shkelje e rëndë e të drejtave të punëtorëve, e ndaj kësaj shkelje organet e shtetit qëndrojnë të heshtur dhe nuk marrin kurrfarë masa për ta zbutur këtë krizë drejt rregullimit në tërësi të kësaj problematike.

E kjo mund të arrihet vetëm nëse punëdhënësit apo pronarët e shtëpive mediatike lirohen nga pagesa e kontributeve për gazetarët dhe punëtorët tjerë mediatik. Meqë, sulmi ndaj gazetarëve dhe punëtorëve mediatik kategorizohet si sulm ndaj personit zyrtar. Në ndryshimet e Kodit Penal të miratuara në Kuvend vitin që lamë pas, ligji garanton një siguri më të madhe ndaj punëtorëve mediatik gjatë kohës kur ata janë në krye të detyrës. Në ndryshim plotësimet e bëra në Kodin Penal parashikohen dënime më të rrepta për veprat vrasje, parandalim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës, rrezikimi i sigurisë dhe Detyrimi. 

Kjo është gjëja më e duhur që është bërë deri tani për të ndihmuar mediat, siguria nuk do mend që është bazë për kryerjen e punës. Por, meqë pjesa e sigurisë është e garantuar tani gazetarët kanë nevojë për paga më të dinjitetshme. E kjo mund të arrihet gradualisht vetëm nëse shteti liron nga kontributet dhe me automatizëm rriten pagat e gazetarëve.

Paga të dinjitetshme mundësojnë kryerjen e punës me profesionalizëm dhe objektivitet të lartë, prandaj duhet fokus i veçantë. Pagesa e kontributeve është jashtëzakonisht e lartë, për të gjithë punëtorët duhet të ulet gjithsesi, por do të kishte qenë e rrugës që për gazetarët dhe punëtorët mediatik të lirohen tërësisht.

Rëndësia e punës në media –

Puna e gazetarit është e rëndësishme, bazike e jetike sidomos për vendet të cilat pretendojnë të jenë vende demokratike kuptimplota. Sepse në një vend në çfarë gjendje janë mediat kuptohet se në çfarë niveli është edhe zhvillimi demokratik. Për Maqedoninë e Veriut si vend që është në tranzicion është më së e rëndësishme që fokus i madh t’i kushtohet edhe zhvillimit dhe lirisë së medias, duke krijuar kushte solide dhe hapësirë të mjaftueshme për gazetarët të bëjnë punën e tyre.

Gazetaria pa presion e pa censuruar prodhon lajm dhe informacion të duhur e të nevojshëm për qytetarët. Në momentin që ndaj gazetarëve shkaktohet presion e frikë nga pushteti rrezikohet të humbë kuptimi dhe nevoja për ekzistimin e mediave.

Gazetarët në çdo ditë të punës së tyre përballen me politikanët të cilët i ndajnë në dy kategori gazetarët: në gazetarë të mirë dhe jo të mirë. Të mirë i konsiderojnë ata që nuk u merren me investigim e nuk kërkojnë llogari por vetëm raportojnë. Gazetarët nuk janë propagandues, e kjo gjë kërkohet shpesh herë të bëhet prej tyre për qëllime e përfitime partiake e personale, por një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë.

Duhet të krijohet parim në shtet që mbrojtje e gazetarëve të jetë prioritet sepse nënkupton edhe mbrojtjen e fjalës së lirë, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të demokracisë, e kjo tashmë është e rregulluar me ligj. E përpos kësaj gazetarët kanë nevojë për paga të dinjitetshme dhe jo paga simoblike e nën mesataren sepse pastaj është e vështirë të bëhet puna me vullnet të plotë. Kur gazetarët paguhen mirë ata edhe punën e tyre e bëjnë mirë si dhe minohet hapësira për keqpërdorimin e gazetarisë si mjet përfitimi e pasurimi. /Zhurnal.mk

Related posts

Veteranët e UÇK-së porosi Grubit: Nuk lejojmë shkeljen e flamurit kombëtar! (VIDEO)

Redaksia

Kovaçevski: Gabuam me disa parti shqiptare

Redaksia

Toshkovski garanton proces të rregullt zgjedhor

Redaksia

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky