Agjencia Zhurnal.mk.

Drejtorin e “Agjencisë për Investime të huaja” Bekim EMINI, i shkelur nga koha !

Shkup, 28 tetor – Agjencia për Investime të huaja duket se po e humb kuptimin në funksionimin e saj. Në vend se ky institucion të jetë burim i parë i informacionit për investitorët e huaj të interesuar, nga të dhënat në faqen e saj në internet, duket se këtë institucion e ka shkelur koha. Asgjë nuk ka të rifreskuar në gjashtë muajt e fundit! Sa ka kuptim që ky institucion të ekzistojë si i tillë edhe më tutje!, shkruan Zhurnal.mk

 

Invest North Macedonia – e shkelur nga koha!

Agjencia e Maqedonisë së Veriut e angazhuar për promovimin e mundësive për investime nga jashtë duket se ja ka futur gjumë dhe e ka harruar kuptimin e ekzistencës. Në faqen e saj në internet informacioni i fundit i publikuar është më 4 maj 2022, që ka të bëjë me një aktivitet të paralajmëruar që të mbahet në Poloni. Para kësaj, në ballinën e faqes zyrtare në internet mund të lexosh edhe disa aktivitete që i ka pasur drejtori i këtij institucioni në mars me diasporën shqiptare në Nju Jork dhe takim me agjencitë homologe të Kosovës dhe Shqipërisë në aktivitet të mbajtur në Tiranë.

Gjithçka tjetër është edhe më e vjetër se kaq dhe vetvetiu krijohet përshtypja se a është mbyllur ky institucion, apo është në vdekje klinike.

Aty gjenden ende lajme e info të ish-drejtorit të mëparshëm që është ndryshuar më shumë se një vit.

Në interes të publikut dhe transparencës, çdo institucion duhet të publikojë atë që vepron, e përveç kësaj me vepra e punë konkrete duhet të dëshmojnë rezultatet.

Fatkeqësisht në ueb faqen e kësaj Agjencie nuk mund të gjesh info të azhurnuara as për aktivitete e kreut të këtij institucioni, por aq më pak, as info që do të jenë në interes të investitorëve të huaj. Të dhënat e fundit që një investitor i huaj mund t’i merr nga ky institucion janë nga viti 2021 dhe nuk ka asnjë të dhënë për treguesit e rëndësishëm në tre kuartalet e fundit.

Çdo institucion i tillë prestigjioz dhe serioz në botë duhet të jetë i azhurnuar me informacionet më të fundit për situatën ekonomike që ndodh. Investitorit të huaj i intereson sa është lëvizja e inflacionit, sidomos tani pas krizës Ukrainë-Rusi dhe ngritjes së çmimeve të ushqimeve. E në faqen e Agjencisë për Investime të Huaja ende gjen të dhëna absurde të vitit 2021, ku thuhet se inflacioni është 3.2 për qind, ndërsa të gjithë treguesit shtetëror tregojnë se në vitin 2022 inflacioni ka shkuar mbi 15%. Ngjashëm ndodhë me infot që kanë të bëjnë me investimet direkte të huaja, Marrëveshjet e nënshkruara për tregti të lirë, forcën punëtore, taksat etj.

Siç thotë populli ky institucion duket se e ka “humbur rrugën në oborrin e tij” dhe nuk di si të dalë nga korniza brenda të cilës është futur.

A duhet të ekzistojë ky institucion!

Me ardhjen e LSDM-së në pushtet, është fakt se ky institucion u anashkalua dhe nuk iu dha rëndësia e duhur. Por, është fakt tjetër se vëmendjen dhe çmimin vetes ia caktojnë vetë drejtuesit e këtij institucioni. Çdo drejtor që ka ardhur në këtë institucion është dashur që duke arsyetuar rëndësinë e këtij institucioni të dëshmojë se pse kjo Agjenci duhet të funksionojë siç funksionojnë gjithandej në botë. Nëse nuk ka arsye të fortë dhe kjo nuk dëshmohet me punë, atëherë është e udhës që të mbyllet komplet dhe mos të shpenzohen kot para.

Nuk mund të lejohet të ekzistojë një institucion vetëm për të kënaqur apetitet e partive politike, por duhet të ketë arsyeshmëri, dhe pyetja që gjithmonë duhet të shtrohet, është përse!

Fatkeqësish “pse” ekziston ky institucion dhe shumë të tjerë të ngjashëm si ky duhet të pyetet qeveria, e cila është përgjegjëse për strukturimin dhe vendosjen e këtyre institucioneve. Është edhe diçka tjetër fakt i rëndësishëm, se vetë përbrenda qeverisë ka stërkëmbëza mes partive të koalicionit, por çdo politikan duhet ta dijë se luftën e fiton ai që është më luftaraku, më i zoti e më i pathyeshmi.

Disa herë ka pasur tentime nga qeveria Zaev që të shkurtojë numrin e këtyre Agjencive që dikur u patën krijuar për qëllime të caktuara nga ish regjimi, por kjo nuk ndodhi, kryesisht për shkak të kërkesave për funksione të partnerëve të koalicionit. Qeveria e Kovaçevskit duhet të mendojë seriozisht në këtë aspekt, sepse sidomos në kohë krize nuk ka hapësirë për harxhime të kota.

Ky institucion ka rëndësi vetëm nëse ka bashkëpunim të ngushtë dhe thelbësor me institucionet tjera, siç janë Zyra e zv.kryeministrit për çështje ekonomike, ministria e ekonomisë, ministria e financave, bujqësisë, transportit, ekologjisë, Zonat e lira ekonomike, Agjencia e turizmit etj.

Nëse punohet kokë më vete, pa koordinim të plotë në zbatimin e politikave qeveritare me të gjitha institucionet, atëherë puna del huq, ashtu edhe siç edhe ka dalë.

Related posts

MPPS: SASHK-u i mashtron grevistët dhe i vë interesat personale para interesave të fëmijëve

Xh M

Shënohet Dita e Evropës nën sloganin #ThinkForward

Z.H

Shpenzimet e familjeve me nxënës në Maqedoni janë rritur për 8.000 denarë në muajin gusht

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More