Agjencia Zhurnal.mk.

Drejtori i Policisë së Kosovës dha garanci të qartë për mbajtjen e Kadri Veselit në arrest shtëpiak

Mbrojtja e Kadri Veselit ka kërkuar nga gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, që i mbrojturi i tyre të lirohet në arrest shtëpiak, me arsyetimin se drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka dhënë garanci të qartë.

 

Kjo është bërë e ditur nga shkresa e mbrojtjes që i është dorëzuar gjykatës e është publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në shkresën e mbrojtjes, ata pohojnë se për momentin ka dy ndryshime të qarta në rrethana që kanë lindur që nga vendimi i fundit i rishikimit të paraburgimit. Sipas tyre, të dyja ato ofrojnë një bazë të qartë për t’i dhënë fund paraburgimit të Veselit në Njësinë e Paraburgimit të Gjykatës Speciale dhe për ta kthyer atë në arrest shtëpie në kushtet strikte të propozuara nga Mbrojtja dhe të detajuara në Aneksin 2 nga Drejtori i Policisë.

“Së pari, Drejtori i Policisë tani ka dhënë një garanci të qartë, e cila drejtpërsëdrejti adreson dhe zbut rrezikun e vetëm të identifikuar nga gjyqtari i procedurës paraprake në vendimin e tij të mëparshëm: konkretisht se bisedat e pamonitoruara mes z. Veseli dhe familjes së tij dhe vizitorëve mund të pengojnë progresin e procedurave të gjykatave apo për shkak të rrezikut të kryerjes së së krimeve të mëtejshme”, thuhet në shkresën e mbrojtjes. .

Sipas mbrojtjes, letra konfirmon se forcat policore të Kosovës janë më se të afta dhe të gatshme për të zbatuar çdo kusht apo urdhër të caktuar nga gjyqtari i procedurës paraprake për lirim të përkohshëm apo ndonjë çështje tjetër.

Tutje, thuhet se një rishikim i kujdesshëm i masave specifike që Forcat Policore të Kosovës janë të gatshme dhe në gjendje për të ndërmarrë, sugjeron që në disa aspekte se Forcat Policore të Kosovës janë më të pajisura për të zbatuar kushtet e gjykatave sesa homologët e tyre në Njësinë e Paraburgimit të Gjykatës Speciale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas shkresës, angazhimi i detajuar i ndërmarrë nga Policia e Kosovës është një ndryshim i qartë i rrethanave dhe zbut drejtpërdrejtë rrezikun e identifikueshëm që gjyqtari i procedurës paraprake paraprakisht konstatoi se përbënte arresti shtëpiak.

Tutje, thuhet se mbrojtja pohon se qëllimi parandalues ​​i paraburgimit të Veselit tani mund të arrihet qartë përmes mjeteve më pak kufizuese.

“Përkatësisht arrestit shtëpiak të mbikëqyrur në Kosovë, duke iu nënshtruar listës së rreptë dhe të rëndë të kushteve të përcaktuara në Aneksin 2 të bashkangjitur këtu, dhe të zbatuara nga Policia e Kosovës. përmes masave të veçanta mbikëqyrëse të detajuara në letrën e tyre (Aneksi 2).”, thuhet tutje.

Në vijim thuhet se siç u përmend më lart, më 2 korrik 2021, gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi se lirimi i përkohshëm do të zbuste rrezikun e arratisjes.

Por sipas mbrojtjes, duke pasur parasysh natyrën e përgjithësuar të përgjigjes së mëparshme nga Drejtori i Policisë, kushtet e propozuara dhe asnjë kusht tjetër të vendosur nga Gjyqtari i procedurës paraprake nuk mundi të zbusë nenin 41(6)(b)(ii) dhe (iii) të Ligjit.

“Gjykatësi i procedurës paraprake vuri në dukje veçanërisht rrezikun e bisedave të pamonitoruara ndërmjet z. Veseli dhe anëtarëve të familjes së tij dhe vizitorëve”, thuhet në këtë shkresë.

Sipas mbrojtjes, nga letra e Mehmetit dhe përkushtimi i tij për zbatimin e urdhrave të Gjykatës, është e qartë se forcat e tij policore do të zbusin plotësisht çdo rrezik të paraqitur nga Lirimi i Përkohshëm.

“Nga pikëpamja e sigurisë, arresti shtëpiak i parashikuar nga këto kushte është kategorikisht një protokoll sigurie po aq i fortë sa ato të parashikuara nga Njësia e Paraburgimit të Gjykatës Speciale. Dallimi i vetëm i rëndësishëm është se këto protokolle i lejojnë z. Veseli të kalojë periudhën paraprake me gruan dhe fëmijët e tij të vegjël”, thotë mbrojtja.

Shkresën e plotë të mbrojtjes mund ta gjeni KËTU

Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

“Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së; si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së dhe QPK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN, bashkërisht, ‘anëtarët e NKP-së’). Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues.

Related posts

Abdixhiku për shtyrjen e zgjedhjeve lokale: LVV po e shfrytëzon tragjedinë për përfitime politike

D V

Edhe pesë persona të tjerë në kërkim për kontrabandë mallrash – policia publikon fotografitë e tyre

D V

Mbi 90 mijë fletëvotime të pavlefshme, 70 mijë prej tyre janë për kuvende komunale

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More