Agjencia Zhurnal.mk.

Dokumenti: Ilir Meta kundër hapjes së dosjeve të vjetra nga SPAK! Petrit Vasili: Të mos hetojë ish pushtetarët nga ’90-ta

Nga Adriatik Doçi

 

Në 5-vjetorin e miratimit të ndryshmeve Kushtetuese, ndryshime të cilat projektuan reformën në drejtësi, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, artikuloi një mesazh të qartë teksa tha se “shumë kanë dashur të mos ndodhte, dhe shumë vazhdojnë që ta parandalojnë vazhdimin” e reformës në drejtësi. Po a është kjo deklaratë e Yuri Kim një mesazh për Ilir Metën dhe Sali Berishën, dyshen që udhëheq fronin kundër reformës në drejtësi?!

Shqiptarja.com sjell sot disa dokumente që konfirmojnë edhe një herë angazhimin në prapaskenë të Ilir Metës që në vitin 2016 kudër përmbajtjes së paketës ligjore për reformën në drejtësi dhe sidomos kompetencës së SPAK, për të hetuar korrupsionin e politikanëve që nga vitet ’90.

Muajt prill, maj, qershor dhe korrik 2016 kanë qenë vendimtare për miratimin e reformës në drejtësi, një prej reformave më të rëndësishme në historinë e pluralizmit në Shqipëri. Për të përgatitur ndryshimet kushtetuese që u miratuan natën e 22 korrikut 2016 si dhe 7 ligjet bazë të reformës në drejtësi, Kuvendi kishte ngritur një komision të posaçëm, i cili kryesohej nga Fatmir Xhafaj.

Komisioni asistohej nga përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Partia Demokratike, herë paraqitej dhe herë largohej nga komisioni i posaçëm. Kur shfaqej në komision, vendoste kushte, paraqiste drafte paralele dhe largohej.

Ndërkaq, Lëvizja Socialiste për Integrim me në krye Ilir Metën, përfaqësohej në komision nga Petrit Vasili. Ndonëse më i kamufluar dhe më diplomatik se sa Berisha, Ilir Meta ishte pengesa kryesore e reformës. Në mbledhjen e komisionit të posaçëm, të datës 16 qershor 2016, ku po shqyrtoheshin ndryshimet Kushtetuese, Petrit Vasili shprehu shqetësimin për kompetencat e SPAK-ut. Në mbledhjen ku merrnin pjesë edhe ish ambasadorët e SHBA-BE, Donald Lu dhe Romana Vlahutin, Vasili kërkoi që të hiqej viti 1990 si kohë nga e cila SPAK mund të hetonte krimin dhe korrupsionin në Shqipëri. Vasili, i cili përfaqësonte Metën në Komision, kërkoi që të hiqej parashikimi i gjykimit të ish pushtetarëve dhe dosjeve të vjetra nga SPAK-u.

Më konkretisht Vasili shprehet që “Konceptin që vëmë në Kushtetutë se viti 1991 ndan epokat, unë e ngrita si shqetësim dhe e diskutuam këtë herën e kaluar. Meqenëse e kam ngritur thashë se mos ndoshta kishte ndonjë reflektim. Shoh që nuk ka dhe nuk kam për t’u dëshpëruar; do ta votoj përsëri, por një shpjegim duhet të na e jepni, sepse kolegët juristë e thonë qartë se legjislacioni ynë, ky që kemi, por edhe ky që do të perfeksionohet në bazë të ndryshimeve kushtetuese, e shpjegon qartë se kur janë dhe si veprohet për veprat; kur parashkruhen dhe nuk kanë ndonjë kufizim. Atëherë pse duhet të vendosim vite? E kemi bërë këtë debat. Kështu, në këtë mënyrë, ne fusim politikë në Kushtetutë, që ’91-shi ishte pluralizmi, më parë ishte monizmi e të tjera. Veprat janë vepra, siç e kanë kohën, kur parashkruhen. Këta shprehin juridiksionin: ish-funksionari i lartë gjykohet nga këta. Data, dita besoj se duhet t’i ikin këtij lloj përcaktimi. Ju e keni me sevda, le ta mbajmë. Hajde ta votojmë, por unë nuk jam i bindur”.

Kërkesa e Vasilit, për të kufizuar kompetencat e SPAK në pikëpamjen kohore, u kundërshtua nga Rainer Deville, në atë kohë shef misionit të EURALIUS-it në Shqipëri. Sipas Deville SPAK ka një mision historik dhe nuk do të kufizohet. “Parashkrimi nuk vlen për këtë strukturë të specializuar dhe ky do të jetë një ushtrim historik. Na duhet kompetenca për këtë strukturë për çështjet e tanishme, në mënyrë që mos të bëjë përjashtime dhe afatet e parashkrimit jo të këtij neni”, ka pohuar Deville.

Për këto qëndrime, Deville ishte objekt sulmesh të vazhdueshme nga Partia Demokratike dhe mediat pranë saj. Madje, në dhjetor të vitit 2016, u sajua edhe një lajm sikur Deville ishte shkarkuar, lajm i cili u hodh poshtë nga BE-ja më pas. Ishte koha kur Ilir Meta nuk ishte pozicionuar hapur kundër reformës, të cilën më vonë, kur u larguar nga qeveria, do ta konsideronte një komplot të mafies ndërkombëtare. Ndërsa Meta kërcënonte me dorëheqje si kryetar Kuvendi nëse reforma hidhej në votim pa konsensusin e PD-së, Petrit Vasili në mbledhjen e komisionit të posaçëm të datës 6 korrik 2016, ashpërsoi qëndrimin. Gjatë diskutimit për ligjin e SPAK, Vasili shprehet se në komision ka ardhur një draft me një përmbajtje tjetër të padakordësuar.

Ndër të tjera Vasili u shpreh se “Unë nuk e quaj normale dhe korrekte që të marrim një ligj në dorë, qoftë edhe një nen të vetëm. Ne kemi miratuar një mekanizëm votimi me 3/5-at për një çështje të caktuar, qoftë edhe një pikë të caktuar. Në projektligjin që vjen këtu në tavolinë ka një reflektim tjetër. Kjo çështje nuk na vë në një pozicion normal, nuk mund të diskutojmë parimisht çështje të cilat ne themi që këto ndryshime lindin nën frymën e kësaj Kushtetute të ndryshuar që po ne vetë e kemi bërë. Këtu duhet të jemi të arsyeshëm për këtë pikë. Jo se unë këmbëngul, por nga pikëpamja formale nuk qëndron. Së paku, le të rrimë tek ato formulime. T’i jemi besnikë atij drafti që ishte. Nuk ka asnjë të keqe, por këtë nuk mund ta themi, nuk mund ta bëjmë. Në momentin që nuk kemi një dakordësi politike, e përjashtojmë. Është i përjashtuar dhe vazhdojmë në rregull, sepse kështu kemi rënë dakord. Nuk besoj se do të themi që ne morëm në diskutim një projektligj, që reflekton ndryshimet kushtetuese, por të cilat nuk i respekton”.

Pothuajse çdo mbledhje e komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi karakterizohej nga debate dhe kundërshti të shumta nga Vasili. Përplasja më e fortë nuk ishte me përfaqësuesit e PS-së, por me njerëzit e SHBA-BE, John Smibert dhe Rainer Deville. Në mbledhjen e datës 134 korrik 2016, John Smibert paralajmëroi hapur përfaqësuesit e partive politike shqiptare në komision, të cilët kundërshtonin ngritjen e një komisioni ndërkombëtar për funksionimin, trajnimin dhe mbikëqyrjen e Byrosë së Hetimit. John Smibert tha se Shqipëria duhet të pranonte komisionin, një lloji EULEX-i, ndryshe do të ndërpresë çdo ndihmë financiare.

Ndër të tjera John Smibert ka pohuar se “Unë nuk mendoj se sa shtrihet. Kjo është që ju të keni një EULEX të ri këtu, por nënkuptohet që të jenë ata ofrues të ndihmës, që ekzistojnë tashmë, dhe të caktojnë personat, të cilët do të jenë pjesë e këtij komisioni, mbase komision s’është fjala e duhur për t‟u përdorur, por do të tjetër thjesht një komision personash, të cilët do të japin këtë këshillë e këtë transparencë. Ju, nëse doni një marrëveshje ndërkombëtare vetëm nga kjo e kaluar, e miratuar nga senati në SHBA, kjo gjë nuk ndodh. Nëse ju i doni paratë nga FBI-ja, që të jenë këtu të pranishme, dhe FBI-ja të ofrojë ndihmën e saj, atëherë hapja e këtij procesi është e nevojshme dhe pjesë e këtyre marrëveshjeve dypalëshe, që janë të nënshkruara mes Departamentit të Shtetit dhe Shqipërisë. Mbase këto do të jenë brenda marrëveshjes kuadër, që ka me Bashkimin Europian, me PAMECA-n apo me të tjera. Këto do të përzgjidhen nga misionet, e kjo do të thotë se delegacioni i BE-së do t‟i caktojë ata persona?”.

Rezistenca kundër reformës në drejtësi u përshkallëzua pas miratimit të ndryshimeve Kushtetuese në 22 korrik 2016. PD-LSI kundërshtonin fort përmbajtjen e ligjit të Vetingut, të SPAK dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Shumë shpejt në skenë doli edhe shoqata e gjyqtarëve, e cila u bashkua me Partinë Demokratike, duke kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese dhe Komisionin e Venecias ligjin për Vetingun dhe ligjet e tjera bazë. Megjithatë, baza e ligjeve nuk ndryshoi. Lufta kundër reformës në drejtësi vijoi me sulme sistematike nga Berisha-Meta kundër procesit të Vetingut, ambasadorëve Donald Lu dhe Romana Vlahutin, Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvoranit, Gjykatës Kushtetuese dhe javët e fundit me sulme kundër SPAK-ut.(Shqiptarja.com)

Related posts

Në Shqipëri, katër viktima dhe 853 raste të reja me COVID-19

D V

Arrestohet për korrupsion inspektori i Policisë Kriminale në Tiranë

Redaksia

Nis bashkëpunimi mes Policisë së Shqipërisë dhe Kosovës për sezonin veror

N E

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More