Shkup, 31 janar – Konferenca vjetore “Viti i mundësive të reja” që e organizon Qeveria vazhdon sot me panel diskutim me temë “Maqedonia e Veriut si hap energjetik i gjelbër – si të shndërrohet kriza në mundësi”.
Në këtë panel të parë, fjalime do të kenë kryeministri Dimitar Kovaçevski si edhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Në panelin e dytë me titull “Politika e jashtme, e sigurisë dhe mbrojtjes, sfida dhe mundësi për sigurimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dh sigurisë” video-fjalime do të ketë ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ndërsa fjalime do të kenë edhe ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, si edhe ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Paneli i tretë i kushtohet, politikave fiskale, monetare dhe tatimore në kohë krize, ndërsa si mbajtës fjalimi është paralajmëruar ministri i Financave, Fatmir Besimi. Në panelin e katërt “Zhvillimi i barabartë rajonal dhe lokal dhe përfitimet e sistemit të ri për subvencione në bujqësi” do të flasin ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski dhe ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Risto Penov.
Qëllimi i konferencës vjetore është përmes diskutimit të bëhet përllogaritje e masave dhe ngjarjeve qeveritare në vitin 2022, me theks në drejtimet e ardhshme dhe vizionin për vitin e ri 2023.