Agjencia Zhurnal.mk.

Dimitrov: Për BE-në është shumë më shtrenjtë të injorojë Ballkanin sesa të angazhohen seriozisht dhe të na ndihmojë ta bëjmë atë evropian

Beograd, 28 tetor – Në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk ka probleme të veçanta, tha zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov në një intervistë për TVH1 të Beogradit. Ai njëherësh bëri të ditur se ndonëse vendet e rajonit flasin për nevojën e bashkëpunimit, konfliktet e ndërsjella herë pas here dalin në sipërfaqe, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.

 

“Nuk do të thosha se ka ndonjë problem të veçantë. Ka mirëkuptim, mendoj se kemi synime pak a shumë të përbashkëta. Ne kemi një histori,, të kaluar të përbashkët, duam të kemi një të ardhme të përbashkët evropiane. Serbia është nisur në atë rrugë, ka filluar bisedimet për anëtarësim, për fat të keq ne ende presim dhe trokasim në atë derë, edhe pse kemi qenë ndër të parët në rajon që e kemi filluar atë proces”, tha Dimitrov.

Ai përkujtoi se kanë kaluar 20 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, para Kroacisë.

“Kroacia sivjet feston tetëvjetorin e anëtarësimit, e ne ende nuk e kemi filluar atë proces. Siç e dimë, pengesa kryesore ishte Greqia dhe problemi me emrin, dhe ne e zgjidhëm atë. Dhe në momentin kur me të vërtetë na duhej sukses, tani, për fat të keq, një tjetër fqinj, Bullgaria, po na krijon pengesë të re. Së bashku me Beogradin jemi në iniciativën “Ballkani i Hapur”. Mendoj se kjo hap mundësi shtesë për bashkëpunim. Kështu që kemi kontakte dhe takime të shpeshta”, tha Dimitrovi.

Ai shtoi se Ballkani, megjithëse ndonjëherë na pëlqen dhe mendojmë ashtu, nuk është qendra e universit dhe bën të ditur se Evropa ka probleme të tjera, të brendshme, probleme me vendimmarrjen dhe funksionimin.

“Dhe ndoshta pyetja legjitime është nëse me hyrjen e gjashtë vendeve nga i ashtuquajturi Ballkan Perëndimor do të sjellim ndonjë vler dhe zgjidhje ose do të sjellim më shumë probleme. Pra, ne si rajon kemi interes të tregojmë se marrim vendime, se jemi mjaft të vetëdijshëm për të marrë përgjegjësi dhe për të zgjidhur problemet tona. Sa më shumë që bashkëpunojmë, aq më të vlefshëm bëhemi në sytë e shteteve anëtare. E njëjta gjë është edhe në aspektin ekonomik”, shprehet ai.

Sipas tij, tregu i përbashkët rajonal është në njëfarë mënyre përgatitje për hyrje në tregun e përbashkët evropian.

„Është e rëndësishme që kjo iniciativë (Ballkan i hapur) të jetë e hapur për të gjithë sepse është pak e vështirë të flitet për bashkëpunim rajonal nëse i gjithë rajoni nuk është i përfshirë. Është fakt se nga ajo kemi përfitime të dukshme. Për shembull, marrëveshja për ndihmë të ndërsjellë në fatkeqësitë natyrore. Mendoj se kjo nismë na ndihmon në mënyrën se si na shohin. Qytetarët e vendeve anëtare të BE-së në përgjithësi nuk bëjnë dallim të qartë mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut”, tha Dimitrovi, i cili shtoi se pasqyra dhe perceptimi i rajonit është përafërsisht i njëjtë.

Dhe prandaj na konvenon, edhe nga pikëpamja vetjake, shtoi Dimitrovi, kur ka lajme të mira nga Beogradi, nga Podgorica. “Sa më shumë lajme të mira nga një vend, aq më mirë për të gjithë rajonin. Me atë që duhet pak për të kaluar drejt veprave. Flasim shumë për bashkëpunimin rajonal, megjithatë kemi probleme të mëdha dhe të dukshme. Herë pas here dalin në sipërfaqe, e më pas i tejkalojmë, pastaj shpërthejnë përsëri, ne përsëri i tejkalojmë”, tha Dimitrovi.

I pyetur se si e sheh raportin e fundit të KE-së për përparimin, Dimitrovi tha se qytetarët maqedonas e kanë pritur me padurim atë raport.

“Kjo ishte në njëfarë mënyre një vlerësim se ku gjendet vendi, i rëndësishëm për qeverinë, i rëndësishëm për popullin. Për fat të keq, përvoja jonë është e keqe, sepse raportin e parë pozitiv e morëm 12 vjet më parë, në vitin 2009. Dhe që atëherë kemi një sërë raportesh pozitive, por që nuk janë shoqëruar me asnjë veprim, nuk janë reflektuar me fillim të bisedimeve. Është e qartë se është më mirë të kemi një raport të mirë në vend të një raporti negativ, por në një farë mënyre kur shtetet anëtare nuk respektojnë rekomandimet e Komisionit, atëherë pesha e atij raporti bie”, tha ai dhe theksoi se duhet të përballemi me realitetin se integrimi evropian i rajonit është në krizë dhe se besimi po bie. Kështu që premtimi evropian nga Selaniku në 2003 po zbehet. Njerëzit me të drejtë pyesin nëse kjo është e vërtetë, nëse është reale që një ditë të bëhemi pjesë e BE-së. Mendoj se kjo duhet të na shqetësojë dhe se duhet të flasim sinqerisht për këtë”, tha Dimitrov.

Ai shtoi se qytetarët maqedonas janë të zhgënjyer dhe të brengosur, duke paralajmëruar se mbështetja për integrimin evropian gradualisht po shënon rënie.

– Është ende e madhe, por gradualisht po bie. Edhe bindja se kjo është e mundur është në rënie. Kjo njëherësh dobëson forcat politike proevropiane dhe proreformiste. Edhe ne edhe BE-ja kemi përgjegjësinë për ta bërë fletëvotimin proevropiane fitues. Kemi bërë përparim të madh, kemi zgjidhur një problem shumë të vështirë me Greqinë. Por u premtuam votuesve edhe anëtarësimin në NATO, gjë që u realizua dhe premtuam fillimin e bisedimeve të anëtarësimit dhe është shumë e rëndësishme që këto premtime të përmbushen. Ne nuk e premtuam këtë vetëm ashtu, kjo nuk na ra nga qielli, por u fokusuam në premtimet që na i dhanë Brukseli dhe qytetet tjera evropiane. Nëse ata nuk e përmbushin premtimin që na e dhanë, ne nuk mund ta përmbushim premtimin që ua dhamë maqedonasve dhe të gjithë popujve të tjerë që jetojnë në Maqedoninë e Veriut”, thеksoi Dimitrovi.

Ai vlerësoi se kjo “shtrembëron narrativën dhe na bën problem të madh, meqë nëse BE-ja është shtëpi që ka rend shtëpiak, instalime elektrike, ujë, ne jemi një dhomë në atë shtëpi që është jashtë rendit shtëpiak dhe se ky nuk është vetëm problemi ynë, por edhe i dhomave të tjera në atë shtëpi”, vlerësoi ai.

Dimitrovi beson se për Evropën ose BE-në është “shumë më shtrenjtë të injorojnë Ballkanin sesa të angazhohen seriozisht dhe të na ndihmojnë ta bëjmë atë evropian – evropian në aspektin e një demokracie të shëndetshme, drejtësisë, mediave të lira, të drejtave të njeriut, standardeve evropiane. Le ta sjellim Evropën tek ne. Sepse nëse nuk e bëjmë këtë, të rinjtë do ta kërkojnë të ardhmen e tyre diku jashtë shtetit”.

Duke folur për marrëdhëniet me Bullgarinë, Dimitrovi tha se në intervistën për Bi-Bi-Si-në, i pyetur për miqësinë me atë vend, është përgjigjur se politika e tyre ndaj Maqedonisë së Veriut e vështirëson shumë një gjë të tillë.

“Mohimi i gjuhës së fqinjit nuk mund të jetë akt miqësor. Ose të mos pranoni të drejtën e tij për vetëvendosje. Unë, Nikolla, jam maqedonas, ballkanas, evropian dhe në njëfarë mënyre qytetar i botës. Unë nuk lejoj që në identitetin tim të përzihet as vendi im, e lëre më ndonjë vend i tretë. E kam të qartë se vendet anëtare kanë interesat e tyre dhe duan t’i përmbushin duke përdorur peshën e tyre si vend anëtar i Bashkimit, ku ne duam të hyjmë”, tha Dimitrovi.

Megjithatë, ai theksoi se duhet të ketë njëfarë mirësjelljeje në kërkesat. Çfarë do të ndodhë nëse nesër një vend anëtar kërkon prej nesh, për shembull, t’i japim gjysmën e territorit tonë, pyeti Dimitrovi.

“Duhet të ketë një raport mes kërkesave dhe vlerave të BE-së. Në Marrëveshjen e Lisbonës, një nga shtyllat kushtetuese të BE-së, bëhet e ditur se kontinenti evropian është kontinent që feston diversitetin kulturor dhe gjuhësor. E tani gjuha maqedonase nuk mund të jetë problem nëse paraqitemi si organizatë që feston diversitetin. Nuk mund të vendosen kushte anti-evropiane në rrugën drejt BE-së nëse ajo është ende evropiane. Jemi në një situatë klasike kur çështjet historike që nuk janë aktuale në vitin 2021, të cilat mund të kenë qenë të rëndësishme në fillim të shekullit të 19-të, mbajnë peng të ardhmen.

Ne nuk mund të ndryshojmë të kaluarën, as gjeografinë. E vetmja gjë që mund të ndryshojmë është e sotmja dhe e nesërmja. Shpresoj të gjejmë mënyrë, investimi është i madh. Bullgaria, me atë që dërgoi në Bruksel, e shndërroi çështjen dypalëshe në çështje evropiane. Nuk jemi të bllokuar vetëm ne, është bllokuar politika e BE-së ndaj Ballkanit, ndaj rajonit”, konkludoi zëvendëskryeministri Nikolla Dimitrov në intervistën për TVH1.

Related posts

21 fëmijë të hospitalizuar në spitalin në Kozle, rastet aktive shkojnë mbi 8000

Z H

Nesër pa ujë dhe rrymë disa rrugë në Shkup

D V

Danimarka i dhuroi dy milionë vaksina “Astra Zeneka” Ballkanit Perëndimor, për Maqeodninë e Veriut 250.000 doza në dërgesën e parë

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More