Agjencia Zhurnal.mk.

Debat në Kongresin e autoriteteve lokale dhe rajonale të KE-së

Shkup, 27 tetor – Kongresi i autoriteteve lokale dhe rajonale të Këshillit të Evropës sot do të diskutojë rreth Raportit për zbatimin e Kartës evropiane për autonomi lokale nga ana e Maqedonisë së Veriut, lajmëroi korrespondenti i MIA-s.

 

Në suaza të debatit rreth Raportit, përpunuar nga anëtarët e Kongresit, Haralad Bergman dhe Zdenek Broz, do të flasë edhe zëvendësministri i Vetëqeverisje Lokale, Zoran Dimovski, pas çka do të pasojë debat dhe votim.

Meqenëse debati mbahet në prag të rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale në vend, në Strasburg nuk merr pjesë asnjë anëtar i delegacionit të Maqedonisë së Veriut pranë Kongresit të autoriteteve lokale dhe rajonale. Megjithatë ata kanë mundësi të kyçen përmes video-lidhjes në sesionin në Strasburg, që zhvillohet në mënyrë hibride – me prani fizike dhe onlajn.

Raporti kushtuar mënyrës në të cilën zbatohet Karta evropiane për autonomi lokale nga ana e Maqedonisë së Veriut, pason pas vizitës së katërt në vend prej vitit 2018.

Vendi e ratifikoi Kartën evropiane për vetëqeverisje lokale në vitin 1997. Gjatë vëzhgimit është vërejtur klimë pozitive në raport me reformën për decentralizim të mëtutjeshëm të vendit.

Raporti e përshëndetë rëndësinë që ia jep Qeveria strategjisë së saj zhvillimore, për çka dëshmon miratimi i programit të ri për zhvillim të qëndrueshëm lokal dhe decentralizim 2021-2026. Gjithashtu, potencohet se nga rekomandimi i kaluar në vitin 2012 është nënshkruar dhe ratifikuar Protokolli shtesë i Kartës evropiane për vetëqeverisje lokale.

Në dokument shprehet edhe shqetësimi për “mungesë të qartësisë në ligjin dhe praktikën lidhur me ndarjen e kompetencave, që çon në mbivendosje të kompetencave”.

Kongresi vlerëson se autoritetet lokale nuk kanë mjaft mjete efikase për realizim të detyrave të veta dhe se komunat edhe më tej në masë të madhe janë të varura nga transferet qeveritare nga niveli qendror në atë lokal.

Në rekomandimin për të cilin do të votohet nesër, u bëhet thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut ta sqarojnë shpërndarjen e kompetencave dhe t’i delegohen më shumë autorizime vetëqeverisjes lokale, si pjesë e procesit të decentralizimit.

“Për atë qëllim, autoritetet nacionale duhet të sigurojnë financim adekuat dhe proporcional në mënyrë që t’u mundësohet komunave t’i kryejnë detyrat e reja të parapara me ligj”, konsideron Kongresi.

Në rekomandim, më tej sugjerohet Qeveria ta rrisë pjesëmarrjen e komunave në të ardhurat e buxhetit lokal dhe të vendoset sistem më i gjerë i barazimit të të ardhurave të tyre.

Në fund, autoritetet nacionale inkurajohen ta rrisin digjitalizimin, të kryejnë programe të ndërtimit të kapaciteteve në nivel lokal dhe konsolidim shtesë të masave të antikorrupsionit.

Related posts

Analizë: Autoritetet i kanë harruar deponitë dhe trajtimin e mbeturinave

Z H

Inkurajimi i ambicieve globale klimatike – qëllim primar i Samitit për klimën në Gllazgou

D V

Iniciativa “Gostivari që duam” shprehë revoltë qytetare ndaj kazinove dhe bastoreve

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More