Agjencia Zhurnal.mk.

Çfarë po ndodhë me gjuhën shqipe, është apo nuk është prioritet largimi i përkufizimit ofendues 20%?

Shkup, 19 maj – Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut është përfolur shumë deri sa gëzoi të drejtën që të folët në institucionet e vendit, e kjo çështje u rregullua edhe me ligj që doli nga Marrëveshja e Ohrit. Por, nga ai moment gjuha shqipe në Kushtetutën e vendit është përkufizuar vetëm si gjuha që e flasin mbi 20 përqind e popullit, dhe askund nuk figuron si gjuhë zyrtare. Edhe pse shpesh herë janë çelur shampanja të shumta për të kremtuar zyrtarizmin e gjuhës shqipe, kjo gjuhë ende nuk figurën në Kushtetutë si e tillë. Madje, për të futur përdorimin e gjuhës shqipe në praktikë, si Agjencia për përdorimin e gjuhëve, si dhe Inspektorati për zbatimin e gjuhëve, por edhe pse ekzistojnë këto dy institucione sërish gjuha shqipe nuk po figuron si zyrtare aty ku duhet të jetë. Sado që krekosen politikanët shqiptarë për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut sërish gjendja reale e thotë të kundërtën. Pasi, elementi bazik gjuha ende nuk përkufizohet si zyrtare edhe pse mbi 30% të popullit janë shqiptarë sipas regjistrimit të fundit të popullsisë. Tani është momentumi për ta arritur dhe marrë këtë të drejtë që vendi është i detyruar deri në fund të vitit ta hap Kushtetutën për të futur bullgarët si pjesë integrale, për arsye të vazhdimit të rrugëtimit evropian, e politikanët shqiptarë duhet të jenë të unifikuar dhe një zëri të kërkojnë kthimin e dinjitetit të gjuhës shqipe, shkruan Zhurnal.

Përse të duhet të diskutohet gjuha shqipe, është e drejtë elementare e popullit shtetformues shqiptarëve në RMV –

Gjuha shqipe temë diskutimi nëse duhet t’i kthehet dinjiteti ose jo, e për ndryshimet kushtetuese është formuar grup i veçantë, sepse bëhet fjalë për kërkesë dhe detyrim përballë bullgarëve. Shqiptarëve u thuhet se tani nuk është koha dhe gjithçka mbyllet, dhe kështu po veprohet. “Grupi i punës për ndryshime kushtetuese nuk ka mandat të diskutojë për ndryshimin e përkufizimit të gjuhës shqipe në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, e cila në aktin më të lartë juridik në vend njihet si gjuhë, të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullsisë që jeton në këtë shtet”, ka deklaruar kryetarja e grupit të punës për ndryshimet kushtetuese, Margarita Caca-Nikollovska,

Nikollovska ka deklaruar për mediat maqedonase se mandati i grupit të punës është i kufizuar dhe se nuk do të ketë lëvizje nga ajo që është ngarkuar nga Qeveria Maqedonisë së Veriut.

“Absolutisht se ne do të punojmë në bazë të agjendës së përcaktuar nga Qeveria lidhur me ndryshimet kushtetuese. Pra, e gjithë puna jonë do të jenë në përputhje me Kushtetutën. Partitë mund të flasin si të duan dhe të paraqiten në këtë apo atë mënyrë. Mandati i grupit punues është i përcaktuar qartë në vendimin për themelimin e atij organi, aty janë theksuar arsyet dhe mandati ynë ka të bëjë vetëm me pjesën e ndryshimeve kushtetuese në pjesën e preambulës”, ka deklaruar ajo.

Do të diskutohet ose jo për gjuhën shqipe në grupin punues për ndryshime kushtetuese?

Grupi punues është formuar me kërkesë të Qeverisë për hartimin e ndryshimeve në Kushtetutë bazuar në konkluzionet e Kuvendit për “propozimin francez” e që kanë të bëjnë me përfshirjen e pakicës bullgare në preambulës e Kushtetutës, si popull shtetformues.

Por, ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, në një prononcim për REL ka thënë se prioritet i grupit të punës do të jetë preambula, por temë debati do të ketë edhe për gjuhën shqipe për përkufizimin e së cilës pret të ketë zgjidhje.

“Në grupin e punës prioritet mbetet preambula, mirëpo aty do të hapen të gjitha temat, përfshirë edhe këtë që u përmend, definimi i gjuhës shqipe. Por, ne do të procesojmë vetëm ato tema, për të cilat do të arrihet numri i nevojshëm i votave dhe unë shpresoj se edhe kjo çështje, e cila na prek neve si shqiptarë, do të marrë vëmendjen e duhur dhe zgjidhjen e duhur ligjore. Besoj se kjo dhe çështje tjera që unë i kam kërkuar, do të mund futen në pakon e ndryshimeve kushtetuese dhe ato të votohen”, ka deklaruar për REL, ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.

Nga ana tjetër, një mundësi të tillë e ka përjashtuar kryeministri Dimitar Kovaçevski, ai ka thënë se prioritet do të ketë vetëm pjesa e preambulës, për përfshirjen e pakicës bullgare në të, ashtu siç parashihet me marrëveshjen me Sofjen. “Unë mendoj se ne kemi një prioritet. Në Kuvend kemi miratuar një kornizë negociuese që është pranuar edhe nga partia Aleanca për Shqiptarët. Ne do të shohim se si do të rrjedhin bisedimet, por vlerësojmë se hapja e kapitujve dhe vazhdimi i rrugës së integrimit në BE deri në vitin 2030 është prioriteti ynë kryesor”, ka deklaruar Kovaçevski.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari ditë më parë në intervistën e tij për “Zërin e Amerikës”, nga Uashingtoni theksoi se partia e tyre mbështet ndryshimet kushtetuese, por kërkon heqjen e 20 % dhe zëvendësimin me gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Kujtojmë se sipas të dhënave nga regjistrimi paraprak i popullsisë në vitin 2002, vendi numëronte gjithsej 2.022.547 banorë, ndërsa struktura etnike e popullsisë ishte: maqedonas – 1.297.981 (64.18 për qind), shqiptar – 509.083 (25.17 për qind), turq – 77.959 (3.85 për qind), romë – 53.879 (2.66 për qind) serbë – 35.939 (1.78 për qind), boshnjakë – 17.018 (0.84 për qind), vllahë – 9.695 (0.48 për qind), të tjerë – 20.993 (1.04 për qind).

Këto rezultate dëshmojnë qartazi se askund dhe për askënd nuk figuron 20%, pra ky numër figuron vetëm në Kushtetutë, dhe aty nuk përfaqëson askënd vetëm sa ofendon. Prandaj nevoja për largimin e kësaj nga Kushtetuta është e domosdoshme. /Zhurnal.mk

Related posts

Gërkovska: Pjekuri demokratike në periudhën zgjedhore dhe të dimë të dallojmë aktivitetet partiake dhe shtetërore

Xh M

Skandali në Onkologji huton qytetarët  – S’ka detaje nga Prokuroria për hetimet

Xh M

Mariçiq: Jo ndryshime ligjore, por nevojitet dinamikë ku i gjithë procesi për dhënien e pasaportave do të përfundonte këtë verë

Xh M

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy