Agjencia Zhurnal.mk.

Çfarë do të ndodh me policët serbë të dorëhequr?

Policia e Kosovës tash e një muaj ka mbetur me më pak se rreth 600 zyrtarë policorë, pas dorëheqjes së serbëve nga të gjitha institucionet e Kosovës.

Megjithatë, njohës të çështjeve të sigurisë pohojnë se ekziston mundësia e kthimit në vendet e tyre të punës.

Nga Qeveria e Kosovës thonë se kthimi i serbëve nëpër institucionet e Kosovës është çështje ligjore, kushtetuese e institucionale që parashihet në secilin prej institucioneve përkatëse.

Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu thotë se kreu i ekzekutivit vazhdimisht u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që të kthehen në institucionet e vendit.

“Kryeministri Kurti u ka bërë thirrje të vazhdueshme serbëve lokalë që mos të braktisin dhe bojkotojnë institucionet e vendit . Megjithatë, një numër i tyre, si akt individual dhe politik, kanë dhënë dorëheqje nga institucionet duke i braktisur ato. Tash e tutje, kthimi i tyre është çështje ligjore, kushtetuese e institucionale që parashihet në secilin prej institucioneve përkatëse. Shembull ka qenë rasti i kthimit të deputetëve të komunitetit serb në Kuvend, siç e parashihte ligji dhe kushtetuta”, thotë Kryeziu për arbresh.info.

Por ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, tashmë deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, thotë se ende ka mundësi për kthimin e policëve serbë në vendin e tyre të punës.

Qalaj: Kthimi i tyre mund të bëhet vetëm me vendim të qeverisë

Qalaj për arbresh.info pohon se policët serb që kanë dhënë dorëheqjen mund të kthehen në punë me një vendim të Qeverisë së Kosovës.

“Fillimisht duhet qe secili individ që dëshiron që të kthehet duhet bërë kërkesë individuale për kthim ( pra ende ka kohë që të tërhiqet dorëheqja ). Për ndryshe kthimi i tyre mund të bëhet vetëm me vendim të qeverisë dhe në asnjë mënyrë tjetër”, thotë Qalaj.

Lidhur me mundësinë e kthimit të policëve serbë në institucionin e Policisë së Kosovës, njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, thotë se këto çështje janë në veprimet administrative të brendshme nga data kur dorëzohen deri te data e miratimit.

“Është e rregulluar mirë kjo çështje në veprimet administrative të brendshme nga data kur dorëzon deri të data e miratimit apo jo për largim janë 30 ditë punë”, tha Shala për arbresh.info.

Për pjesën e zyrtarëve policorë në veri, Shala thotë se procesi i punës është i rregulluar nën një marrëveshje ndërkombëtare dhe është detyrim shtetëror i vendit.

‘Ndërsa pjesa e zyrtareve policor në veri mos harroni ata pluse procesi i punës është e rregulluar nën një marrëveshje ndërkombëtare dhe zbatueshmëria është detyrim shtetëror i vendit. Pra më ketë veprim, apo mosveprim do të vërehet në ditën e zgjedhjeve lokale në veri të vendit që sipas asaj që lista serbe nuk është certifikuar ( nuk ka aplikuar ) do të jete problem mbajtja e zgjedhjeve me element legjitim duke zbatuar vetëm vendimin legal institucional”, shton ai tutje.

Damati: Zgjidhja politike është ajo e cila duhet të ofroj daljen nga kriza e krijuar në vend

Ndërsa avokati Musa Damati thotë se ligji për shërbyesit civil dhe për Policinë e Kosovës, janë të veçanta dhe sipas tyre rregullohen edhe saktë çështjet për pranim në punë dhe shkarkim apo dorëheqjen e tyre.

“Ligji për shërbyesit civil dhe për Policinë e Kosovës, ashtu si edhe ligji për emërimet dhe shkarkimet e gjyqtareve dhe prokuroreve janë të veçanta dhe sipas tyre rregullohen edhe saktë çështjet për pranim në punë dhe shkarkim apo dorëheqjen e tyre”, shprehet Damati për arbresh.info.

Ai thotë se politika është ajo që duhet të ofrojë daljen nga kriza, e cila është krijuar në vend, duke përmendur këtu edhe uljen e pagave të prokurorëve dhe gjykatësve, që ka shkaktuar bllokim të sistemit të drejtësisë.

“Në rastin konkret konsideroj se zgjidhja politike është ajo e cila duhet të ofroj daljen nga kriza e krijuar në vend, krize kjo e cila tani veç se është thelluar edhe me tepër në tërësi me gjyqësorin, i cili ka pezulluar punën për shkak te pagave”, pohon avokati Damati.

Ndryshe, të enjten në mbrëmje, Policia e Kosovës doli me një njoftim lidhur me paraqitjen e dorëheqjeve të punonjësve policorë të komunitetit serb.

Në atë njoftim bëhej e ditur se pas pranimit të pakove të dorëheqjeve nga punonjësit policorë, sipas legjislacionit në fuqi, ka vazhduar trajtimin dhe shqyrtimin e të gjitha njoftimeve, kërkesave për dorëheqje.

“Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për medie lidhur me lidhur me paraqitjen e dorëheqjeve të punonjësve policorë të komunitetit serb bën të ditur se pas pranimit të pakove të dorëheqjeve nga punonjësit policorë, Policia e Kosovës, sipas legjislacionit në fuqi, përfshirë Ligjin për Policinë Nr. 04/L-076, Ligjin Nr. 03/L-212 i Punës, Udhëzimin Administrativ Nr.01/2021 për Marrëdhënien e Punës në Policinë e Kosovës, Udhëzimin Administrativ Nr.04/2019 për Shkeljet, Masat dhe Procedurat Disiplinore në Policinë e Kosovës si dhe procedurave standarde të operimit, ka vazhduar trajtimin dhe shqyrtimin e të gjitha njoftimeve, kërkesave për dorëheqje”, thuhej në njoftim.

Në njoftim po ashtu bëhej e ditur se duke iu referuar analizës së pakove të dorëheqjeve nga PK-ja dhe informacioneve zyrtare të pranuar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), lidhur me rastet e hapura penale apo administrative në proces, ka rezultuar se tetëdhjetë (80) zyrtarëve të përfshirë në listën e njoftimit të dorëheqjeve iu është pranuar dorëheqja.

Ndaj të njëjtëve ka vazhduar procesi i njoftimit dhe lëshimi i vendimit mbi dorëheqjen.

Ndërkohë,  në fillim të shtatorit  Lista Serbe bëri të ditur se kanë vendosur që të largohen nga të gjitha institucionet politike në Kosovë.

Ky vendim për t’u tërhequr nga institucionet e Kosovës u mor nga serbët pas largimit nga puna të komandantit të policisë në veri, Nenad Gjuriq.

Gjithashtu, vendet e tyre të punës i lëshuan edhe serbët në Doganën e Kosovës dhe institucionet e tjera.  Mbi 600 zyrtarë policorë nga komuniteti serb dhanë dorëheqje nga detyrat e tyre./arbresh.info/Kujtesë Berisha/

Related posts

Epidemiologu Rizvanolli: Varianti i ri i quajtur “MU” mund të paraqitet edhe në Kosovë – s’jemi të mbrojtur

D V

Molliqaj jep ultimatum: Të ndalen menjëherë reduktimet e rrymës

Z.H

Arrestohet një person, ia këputi telat e rrymës një shtëpie

Xh M

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More