Agjencia Zhurnal.mk.

Çdo gjë duhet të kalojë

George Harrison ishte ndër ata që besonte në reinkarnim, nëse arrihet e vërteta. Vërtet, ringjallja e tij është e garantuar sa herë që dëgjohen “The Beatles” dhe këngët e George Harrisonit.

 

Nga: Blerim Shala (shkrim i publikuar për herë të parë më 2001, në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”)

Ishte lajm i ditës në kohën e luftës në Afganistan dhe në fazën më kritike të negociatave për krijimin e qeverisë së koalicionit në Afganistan, në vendin ku po zhvillohet, si thuhet anëmbanë, lufta e parë e shekullit të ri, më e rrezikshmja dhe me plot të panjohura: Lufta kundër terrorizmit.

Për të folën me respekt dhe nostalgji George W. Bush, president i ShBA-së, Tony Blair, kryeministër i Britanisë së Madhe, dhe shumë liderë të tjerë botërorë.

Fjala është për George Harrisonin, kitaristin e “The Beatles”, i cili në moshën 58 – vjeçare, në Los Anxhelos vdiq nga kanceri, siç thanë miqtë e tij, i vetëdijshëm për Zotin, i patrembur nga vdekja, në paqe, i rrethuar me familje dhe me miq.

“Beatlesi i heshtur” ishte cilësori përcjellës i George Harrisonit, i cili në jetën e tij, siç kishte thënë vetë, mban në mend dy thyerje, dy kthesa të mëdha – çastin kur iu bashkua “The Beatlesave” dhe çastin kur u nda prej tyre, në vitin 1970, kur Paul McCartney shpalli që rokgrupi më i madh nuk ekziston më.

Deri në vitin 1966, kur ky i mbushi 23 vjet, pakkush ia varte veshin Harrisonit, kur ishin në pyetje “The Beatles”. John Lennon dhe Paul McCartney, për të cilët producenti i tyre, George Martin, mendon se janë kompozitorët më të mirë të muzikës zbavitëse të shekullit XX, ishin në linjën e parë të “frontit” dhe gjithçka sillej rreth tyre: Lennon ishte një tip i ideologut, i cili përziente ngapak në politikë, në kulturë, në art, ndërsa McCartney ishte më shumë ana kreative e grupit. Harrison prej 1966-tës nisi të imponohet në dy rrafshe: së pari si kompozitor dhe, së dyti, si njëri nga ithtarët e lidhjes së rokut me filozofinë dhe me muzikën indase. Thonë se George Harrison ishte i pari i cili në këngën “Norwegian Wood” të Lennonit prezantoi instrumentin indas të sitarit. Në fundvitet e gjashtëdhjeta, kur “The Beatles”, me albumin “Sgt. Peppers Lonely Hearts Club Band”, përuruan një rok të ri i cili lidhet më shumë me LSD-në, me lëvizjet studentore, me rezistencën ndaj luftës në Vietnam, me krijimin e një botëkuptimi të ri, Harrison arriti të bindë Lennonin, McCartneyin dhe Ringo Starrin që honi i brendshëm shpirtëror i cili thellohej gjithnjë e më shumë te secili prej tyre, tok me suksesin marramendës, mund të zbardhet dhe të tejkalohet me pelegrinazhin në Indi. George aty përfundimisht u kthye kah Lindja, por Lennonit dhe McCartneyit ky udhëtim nuk iu la përshtypje të mëdha. Duket se për cinikun e tipit të John Lennonit, “ilaçi” nuk mund të gjendej askund. Ky do të qërojë pamëshirshëm hesapet me aventurën indase në Albumin e Bardhë (White Album), në vitin 1968.

Sidoqoftë, Harrison në periudhën e fundit të “The Beatles” arriti të imponohet si një kompozitor i suksesshëm, me këngët “Something” (e dini që Sinatra, i cili e interpretonte shpesh këtë këngë, ka thënë që kjo është kënga më e madhe e dashurisë) dhe “Here Comes the Sun”, nga albumi “Abbey Road”, “While My Guitar Gently Weeps” (solon në këtë këngë megjithatë e interpreton Eric Clapton e jo George) dhe “Long Long Long” në Albumin e Bardhë, etj.

Pas shpërbërjes së “The Beatles”, George Harrison me editimin e albumit të trefishtë, të titulluar simbolikisht “All Things Must Pass” dhe megahitin “My Sweet Lord”, u mundua të dëshmojë se sa të ndrydhur e kishte potencialin dhe kreativitetin e tij në “The Beatles”. Është e vërtetë se Harrisoni befasoi shumëkënd me këtë album, rokkritika e quajti një vepër të madhe dhe habitej pse Lennon dhe McCartney nuk kishin farë kundërpërgjigje me albumat e tyre individual.

Suksesi i madh i Harrisonit nuk u dëmtua shumë, përkundër faktit që gjyqi konstatoi plagjiaturën në rastin e “My Sweet Lord”. Për më tepër, Harrisoni organizoi koncerte bamirëse, më i njohuri i cili adresonte krizën humanitare në Bangladesh. Pastaj, në vitet e shtatëdhjeta, ky nuk fshehte se nuk dëshiron më të ketë asgjë të përbashkët me John Lennonin dhe Paul McCartney. Ishte kjo ndjenjë e përbashkët e tre beatlesave. Tek vrasja e John Lennonit, në dhjetor të vitit 1980, në Nju-Jork, bëri që të ndërrojnë raportet midis Georget, Paulit dhe Ringos.

Në vitet e tetëdhjeta Harrisoni u mor më shumë me profesionin e producentit të filmave. Investimet jo shumë të suksesshme e sollën në krizë financiare, por ribashkimi i “The Beatlesave”, me dy këngë të reja, të cilat përdorën zërin e Lennonit në demoincizimet e tij dhe përtëritja e popullaritetit të “The Beatles” bënë që Harrisoni të mëkëmbet financiarisht.

“Mendoj që ata të cilët krijojnë përmes muzikës, i thonë botës: Mund ta keni dashurinë time, mund ta keni buzëqeshjen time. Harroni anët e mia të këqija, ato nuk ju nevojiten…”

Thuhet se gruas dhe të birit iu ka lënë trashëgimi afër 450 milionë marka.

Kështu fliste George Harrison, ai i cili kurrë nuk dëshironte të bëhej i famshëm, por që la pas vetes një famë të paharrueshme përmes muzikës dhe “The Beatlesave”.

Ishte ndër ata që besonte në reinkarnim, nëse arrihet e vërteta.

Vërtet, ringjallja e tij është e garantuar sa herë të dëgjohen “The Beatles” dhe këngët e George Harrisonit.

Related posts

Ermal Meta do të debutojë me romanin “Domani e për sempre”, publikon datën

D V

”Vera Andrron Detin” me mesazh falënderues për të gjithë mbështetësit

D V

“Van Gogh” në Prishtinë rikthen ditët e fundit të gjeniut

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More