Agjencia Zhurnal.mk.

Bytyqi: Periudha pas kovidit është shansë për krijimin e një rajoni më atraktiv dhe konkurues

Shkup, 14 dhjetor – Periudha pas Kovidit është një shans. Një shans për ta avancuar më tej bashkëpunimin tonë, për të bërë një rajon që do të jetë konkurrues dhe tërheqës dhe jo për të krijuar konkurrencë të ndërsjellë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Këtë e porositi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi në takimin trilateral në Shkup me temë “Kontributi për zhvillimin e marrëdhënieve socio-ekonomike ndërmjet Republikës së Turqisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës” në të cilin morën pjesë përfaqësues të Odës Ekonomike të Maqedonisë dhe Turqisë – MATTO, Odës ekonomike të Kosovës dhe Turqisë – KTTO dhe Shoqata e afaristëve dhe zejtarëve “ESNAF” nga Kosova.

“Bashkëpunimi rajonal është thelbësor për përparimin e mëtutjeshëm të ekonomive dhe shoqërive të vendeve të rajonit, duke përshëndetur përkushtimin për organizimin e këtij takimi trepalësh dhe duke mbështetur dialogun që të mbetet i hapur dhe të avancohet edhe më tej. Më vjen mirë që si në Turqi ashtu edhe në Kosovë, Republika e Maqedonisë së Veriut ka partnerë tradicionalisht të mirë tregtarë. Republika e Turqisë është partneri i shtatë për nga vlera i vendit tonë dhe Kosova renditet si partneri i 10-të më i mirë tregtar”, tha Bytyqi.

Theksoi se rritja e tregtisë reciproke, eksporteve dhe importeve është me të vërtetë domethënëse dhe dëshmoi se po kthehemi në rrugët e bashkëpunimit para pandemisë.

“Nëse këto dy vite të vështira na kanë mësuar diçka, është pra rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë dhe përmbushja miqësore e nevojave të tjetrit, por edhe rëndësia e disponueshmërisë së materialeve, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve. Për mua “near shoring” është avantazhi i rajonit tonë, zhvillimi i zinxhirëve të vlerave është potenciali ynë dhe avantazhi që do të na çojë përpara, nga kjo krizë”, shtoi zëvendëskryeministri Bytyqi dhe i porositi afaristët se Kabineti i tij është gjithmonë në dispozicion për t’iu ndihmuar.

Si vend, shtoi, japim kushte jashtëzakonisht të volitshme për biznesin dhe gëzohem që sot kemi përfaqësues nga tridhjetë kompani nga Kosova.

Kryetari i KD të MATTO-s, Ajdovan Ademoski theksoi se shpreson se me takimin e sotëm do të zgjerohet bashkëpunimi me Kosovën dhe shtoi se Oda Ekonomike Maqedoni e Veriut – Turqi (MATTO) është themeluar në vitin 2008 dhe i ka afro 100 anëtare në mesin e së cilave janë kompanitë më prestigjioze të Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Investimet turke, theksoi, marrin pjesë me 38 për qind në investimet e përgjithshme të huaja në vend, Turqia është partneri i pestë në fushën e investimeve dhe i teti në fushën e tregtisë, ndërsa qarkullimi momental i këmbimit tregtar midis dy vendeve është rreth 500 milionë dollarë në vit.

“Qëllimi të cilin e synojmë është të arrihet shkëmbim tregtar midis dy vendeve në lartësi prej një miliardë dollarë deri në vitin 2023, ndërsa më pas edhe të rritet. Prandaj si odë jemi të angazhuar sa më parë të nënshkruhet marrëveshja për tregti të lirë që do të thotë përfitim për të dyja shtetet”, tha Ademovski.

Sipas tij, ndërtimi i autostradës deri në vendkalimin kufitar Bllacë do të ndihmojë të përmirësohet shkëmbimi tregtar me Kosovën, i cili siç tha, duhet të lëvizë deri një miliardë dollarë.

Ministri i zhvillimit rajonal të Republikës së Kosovës, Fikrim Damka, tha se ky takim do të forcojë marrëdhëniet ndërmjet përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, që është pasqyrë e marrëdhënieve tashmë të shkëlqyera mes qeverive të tri vendeve.

“Marrëdhëniet tregtare trepalëshe ndërmjet vendeve tona japin një kontribut të shkëlqyer në zhvillimin ekonomik të vendeve tona. Marrëdhëniet e tilla do të kontribuojnë në zhvillimin e bashkëpunimit tonë ekonomik bazuar në marrëdhëniet tona të gjata socio-kulturore. Ekonomitë që deri para dy vitesh diskutonin tema krejtësisht të ndryshme, sot perceptojnë dhe vlerësojnë situata të reja me të cilat po përballemi. Para pandemisë COVID-19 kemi biseduar se si duhet të rritet zona e prodhimit vendas dhe sot po flasim se si përmes digjitalizimit t’i plasojmë në sa më shumë tregje produktet tona”, tha Damka.

Ai shtoi se me rastin e promovimit të mundësive për investime në Republikën e Kosovës, investitorëve u thuhet se me realizimin e këtyre investimeve fitojnë shumë më tepër mundësi, gjegjësisht qasje në tregun më të gjerë të Ballkanit Perëndimor dhe iu referua planeve të Qeverisë së Kosovës. Për të përmirësuar infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore dhe lidhje më të mirë me vendet fqinje.

Ai theksoi se edhe në Kosovë investimet turke janë radhitur në mesin e më të mirave, por theksoi se megjithatë po kërkohet mënyrë që të përmirësohen.

Ambasadori i Republikës së Turqisë, Mehmet Sekizqok theksoi se kompanitë turke në vendet ballkanike realizojnë një sërë investimesh infrastrukturore në sektorë të ndryshëm dhe dëshiroi që takimi i sotëm ta hapë rrugën drejt bashkëpunimit më të mirë të trija vendeve.

Shkëmbimi tregtar bilateral, theksoi, u rrit për 46 për qind në krahasim me vitin e kaluar që, siç tha, jep shpresë se në të ardhmen e afërt do ta arrijmë qëllimin e projektuar së bashku që shkëmbimi t’i tejkalojë një miliardë dollarë në vit.

Related posts

 Zbulohen kandidatët për deputetë të “Frontit Europian”, mes tyre Arbana Pasholli, Ilire Dauti e Fatmire Isaki

Xh M

Ndërroi jetë kryetari i parë i Komunës së Tetovës

Xh M

VLEN hap shtabet në Zhelinë dhe Saraj

Redaksia

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy