Agjencia Zhurnal.mk.

Buxhet rekord për përballje me krizën dhe konsolidim fiskal

Shkup, 3 nëntor – Propozim-buxheti për vitin 2023 parasheh të hyra të përgjithshme prej 282 miliardë denarëve (4.58 miliardë euro), shpenzime prej 324.8 miliardë denarë (5.28 miliardë euro) dhe deficit buxhetor në nivel prej 4.6 për qind të BPV-së e planifikuar. Rritja ekonomike pritet të jetë 2.9 për qind, ndërsa inflacioni 7.1 për qind. Borxhi i jashtëm pritet të jetë nën 60 për qind.

 

Nga VMRO-DPMNE-ja opozitare reagojnë se ky është buxheti më i madh dhe deficit që është përtej të gjitha kornizave të qëndrueshmërisë.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi dje në konferencë për shtyp theksoi se qëllimi i Propozim-buxhetit i cili është përgatitur në pajtim me Ligjin e ri për buxhete, është të mirëmbahet rritja ekonomike, të kryhen rregullisht të gjitha obligimet e shtetit dhe të mbështeten reformat dhe proceset eurointegruese.

“Në kushte të krizës në nivel global, përgatitja e buxhetit mbetet sfidë për secilin shtet. Në nivel global ekonomia do të ketë rritje të ngadalësuar, ndërsa e njejta i referohet edhe rritjes së ekonomisë në Bashkimin Evropian që pritet të jetë 3,2 për qind këtë vit, ndërsa vitin e ardhshëm 0,7 për qind. Kjo reflektohet edhe në dinamikën e rritjes së ekonomisë sonë”, tha Besimi.

Buxheti për vitin e ardhshëm, siç tha Besimi, i përmban elementet kyçe të politikës afatmesme fiskale, përkatësisht angazhimin për konsolidim gradual fiskal, mirëmbajtje të stabilitetit makroekonomik dhe përshpejtim të rritjes ekonomike.

Shpenzimet kapitale janë planifikuar në nivel prej rreth 48,9 miliardë denarë apo për rreth 52,3 për qind më të larta në raport me planin për vitin 2022, me ç’rast për financim të investimeve është planifikuar të sigurohen mjete nga disa burime – mjete buxhetore, fondet IPA dhe kredi. Ato janë të dedikuara për intensifikim të realizimit të projekteve infrastrukturore, përkatësisht për investime në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, energjetike dje komunale, si dhe investime kapitale për përmirësim të kushteve në sistemin shëndetësor, arsimor dhe social, bujqësi, kulturë, sport, mbrojtje të mjedisit jetësor dhe jurisprudencë.

Shpenzimet rrjedhëse janë planifikuar në shumë prej 275,9 miliardë denarë dhe janë të dedikuara për pagesë të rregullt të rrogave të të punësuarve në sektorin publik, pagesë të rregullt të pensioneve, të ardhura të garantuara minimale dhe kompensime të tjera sociale, pagesë të subvencioneve në bujqësi, mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe mesme, mbështetje dhe subvencionim të aktiviteteve inovative, si dhe mbështetje të sektorit energjetik.

“Shpenzimet për pagesë të rrogave janë projektuar në pajtim me zgjidhjet ligjore dhe paraqesin 34,9 miliardë denarë. Gjatë vitit 2023 vazhdohet me përcaktimin për optimizim të të punësuarve në sektorin publik, ndërsa me atë rast të zbatohet edhe metodologjia e re për rroga në sektorin publik”, tha Besimi.

Në afat të mesëm pritet normalizimi i lëvizjeve globale, stabilizimi i zinxhirëve global të furnizimit dhe rritje të aktivitetit ekonomik tek partnerët tanë kryesorë tregtarë. Projeksionet janë se rritja mesatare e aktivitetit vendor ekonomik në periudhën 2023-2027 do të arrijë 4,6 për qind me ç’rast prej vitit 2025 rritja do të arrijë shkallë prej 5 për qind. Deficiti buxhetor deri në vitin 2026 pritet të jetë deri 3 për qind, ndërsa në vitin 2027 nën tre për qind. Borxhi i jashtëm pritet të jetë nën 60 për qind.

Nga VMRO-DPMNE opozitare reagojnë se ky është buxheti më i madh dhe deficit që është përtej të gjitha kornizave të qëndrueshmërisë.

“Propozim Buxheti prej 5.3 miliardë euro është kolaps ekonomik për Maqedoninë me tregues kaq të këqij ekonomik. Gjithashtu, deficiti, i cili parashikohet në pothuajse 5 për qind të BPV-së, është një rrezik për ekonominë dhe qëndrueshmërinë e sistemit. Dhe e gjithë kjo në kushtet kur rritja e ekonomisë është vetëm 2.9 për qind. Ky deficit më i madh deri më tani do të duhet të mbulohet me huamarrje të reja të cilat në kushtet e krizës botërore do të kenë norma gjithnjë e më të larta”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së në konferencën për shtyp të ministrit të Financave.

Ministri Besimi shprehu bindjen se nuk ka rritje të normave tatimore dhe tatime të reja.

“Nuk do të ketë rritje të normave tatimore dhe taksave të reja, por reforma e politikës tatimore do të bazohet në zgjerimin e bazës tatimore dhe në raport me TVSH-në do të ndryshohet norma preferenciale sipas praktikave në rajon, deklaroi Besimi.

Në lidhje me atë se a do të vendoset taksë progresive nga viti i ardhshëm, ministri Besimi theksoi se tani për tani edhe ai nuk ka përgjigje për këtë pyetje, sepse ende po zhvillohen bisedime lidhur me atë propozim dhe se kur do harmonizohen të gjitha detajet nga ana e Qeverisë, gjatë këtij muaji do të shpallet plani rreth konceptit të paraparë të reformës tatimore.

Në pjesën e pagave në Propozim-buxhetin, siç theksoi Besimi, që në fillim të vitit edhe krahas krizës, Qeveria konfirmoi se mbetet e përcaktuar për rritjen e pagave në administratën publike dhe harmonizimin e tyre me pagën minimale dhe pensionet.

Ai si shembull theksoi se nëse inflacioni është 10 për qind, ndërsa paga minimale është 18.000 denarë, atëherë kjo do të thotë rritje lineare e saj për 1.800 denarë, që do të sillte edhe rritje të pagave të administratorëve, për çfarë janë paraparë mjete në Buxhet.

Besimi potencon se nuk parashikohet rritje e numrit të të punësuarve në administratën publike, por përmes modelit të mobilitetit do të kryhej rishpërndarje e të punësuarve në pozita deficitare në disa institucione, siç janë për shembull shërbimet e inspektimit.

Ministri i Financave po ashtu theksoi se deficiti i parashikuar dhe shlyerja e borxhit në vlerë prej 52,1 miliardë denarë në bazë të obligimeve të prapambetura, gjysma e të cilave është eurobono e vitit 2016, do të bëhet nga burime të brendshme dhe të jashtme.

Related posts

Sela: Ftoj Bilall Kasamin t’i bashkangjitet iniciativës për krijimin e një shumice të re parlamentare

D V

BDI sot mbanë mbledhjen e Këshillit Qendror, do të zgjidhen organet partiake

Xh M

Pa rrymë një pjesë e Sarajit, Çuçer Sandevës dhe Markova Sushica

Redaksia

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More