Agjencia Zhurnal.mk.

Burgu i Idrizovës “kasaphane” e vërteton edhe reportazhi i fundit!

Shkup, 20 nëntor – Burgu i Idrizovës shpesh herë ka qenë temë raportimi nga media të ndryshme për sa i përket kushteve të brendshme që janë johumane dhe çnjerëzore. E kjo vërtetohet pas çdo raportimi e vëzhgimi që realizohet në këto hapësira. Një gjë e tillë edhe njëherë u vulos nga një reportazh në të cilin konstatohet se burgu më i madh në vend vazhdon të ngelet burgu më famkeq. Në fakt, ky reportazh është i fundit por nuk është i pari që vjen në një konkluzë të tillë, edhe raporti i Komisionit Evropian të njëjtën gjë e ka konstatuar. E avokati i popullit shpesh herë ka ngritur shqetësim për këtë gjendje të mjerueshme në këtë burg. Nuk ka munguar as vizita e ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga, i cili ishte në të njëjtën gjatësi valore me të lartpërmendurit, pra gjithkush që e viziton konstaton të njëjtën gjë, që kemi të bëjmë me kushte jo njerëzore. E nga gjitha këto konstatime lirshëm mund të konstatojmë që kemi të bëjmë me “kasaphane” ku të burgosurit trajtohen sikur të jenë robër, në fakt keqtrajtohen nga mungesa e kushteve elementare për të vuajtur dënimet e tyre, shkruan Zhurnal.

Çfarë u kuptua nga reportazhi fundit për burgun e Idrizovës?

“Vetëm 1 mjek, 11 edukatorë dhe 60 gardian për 1200 të burgosur, urinim gjithandej, lagështi dhe pisllëk”, ky është kryetitulli i reportazhit të përgatitur nga Fokus. Por, ajo që vë në pah ky reportazh është dallimi mes ndërtesës ku qëndron drejtori dhe administratorët dhe objekti i maltretimit ku qëndrojnë të burgosurit. Dallimi është jashtëzakonisht i madh, përderisa objekti i parë është rinovuar në vitin 2018, objekti i dytë ku qëndrojnë të burgosurit pikon nga lartë, kundërmon erë në çdo kënd, lagështi e pisllëk.

Zoran Jovanovski është drejtori i ri i këtij burgu i emëruar nga LSDM, i cili vjen në këtë detyrë në mars të këtij viti pasi Alternativa lëshoi Qeverinë. Drejtori paraprak ishte kuadër i Alternativës, Shpend Tahiri. Por, në këtë institucion ndëshkimi drejtorët ndërrohen shpesh por gjendja mbetet e njëjtë.

Edhe përkundër faktit që kryeministri i vendit, Dimitar Kovapevski, drejtorin aktual të burgut e kishte promovuar si një profesionist të lartë, që ka kryer trajnime jashtë vendit. Por, në reportazh thuhet që në paraqitjet e shumta mediatike të drejtorit të burgut, Zoran Jovanovski, ka paraqitur ankesën e tij për buxhetin 2024 që është planifikuar 15% më i ulët për burgun e Idrizovës. Kjo në fakt është habi sepse kemi të bëjmë me një burg të shkatrruar në vend të rritjes së buxhetit ulet.

Kushte johumane dhe mbi popullim në burgje thotë raporti i Komisionit Evropian –

Edhe pse infrastruktura ishte rinovuar dhe përmirësuar në një numër më të madh të objekteve të burgjeve, kushtet në pjesët e burgut Idrizovës dhe institucionet e tjera të paraburgimit nga sistemi i mbyllur, mbeten johumane, ndërsa mbipopullimi shkakton shqetësim shtesë për popullatën në burg. Këto janë disa nga çështjet e inicuara në vitet e kaluara të cilat Komisioni evropian i noton sërish në Raportin për përparim të Maqedonisë së Veriut për vitin 2023.

“Çështjet e iniciuara në vitet e kaluara mbetet të pazgjidhura, posaçërisht mungesa e kushteve adekuate për punë të nëpunësve policorë dhe mungesa e institucioneve për mbrojtje adekuate shëndetësore në burgje”, qëndron në raport.

Dhe, këto mungesa të theksuara në raport me automatizëm vështirësojnë jetën e të burgosurve në ato hapësira ndëshkuese e që janë më shumë, pra janë hapësira malltretuese e torturuese. Ajo që thuhet në raport e që vlen të theksohet është fakti se përgjatë këtij viti nuk është vërejtur asnjë përparim në drejtim të ri-socializimit të të burgosurve në vend. Kjo nxjerr në pah faktin se sa institucionet ndëshkuese janë të interesuar për të kujdesur për të burgosurit, pra me fjalë të tjera të burgosurit trajtohen sikur robër luftërash të jenë.

“Nuk u arrit përparim i konsiderueshëm në përballje me mungesën e përgjithshme të aktiviteteve të dedikuara, rekreative dhe profesionale për të dënuarit dhe të burgosurit. Në të gjitha institucionet ndëshkuese-përmirësuese duhet të zbatohen aktivitete arsimore dhe risocializuese dhje programe për mjekim”, theksohet në rpaortin e KE-së.

Çfarë kushte ka përbrenda burgut të Idrizovës?

Sipas avokatit të popullit, Naser Ziberi, të dënuarit në burgun e Idrizovës janë vendosur në hapësira tejet problematike që shpesh herë kanë qenë shkaktare për tensione ndërmjet të dënuarve. 16 të dënuar në një hapësirë prej 16 metrave katrorë, kjo është e tmerrshme dhe mizore një metër katror për një person, që nuk ngjanë aspak me vend ku mbahen dënime por më shumë me shpella dhe vrima ku bëhen keqtrajtime.

Hapësira tjera të ngjashme ku në 19 metra katrorë janë vendosur 12 persona. Nga inspektimet që kanë bërë nga avokati popullit gjatë raportimit vitin që lamë pas thanë që kushtet janë katastrofale dhe aspak normale. Sipas tyre, ka pasur edhe njerëz që janë të shtrirë nëpër dysheme, në korridore, krevete të improvizuara. Për kushtet higjienike nga kontrollet e realizuara është konstatuar se janë tejet në nivel të ulët.

Pra, nga raporti i Avokatit të Popullit thuhet që në burgun e Idrizovës, si dhe disa burgje të tjera, ka mbipopullim dhe mungesë të hapësirave për të dënuarit. Mes tjerash në burgun e Idrizovës dhe atë të Shutkës është konstatuar që janë përdorur edhe rripa të lëkurës në vend të prangave.

Mbeten mangësitë kryesore të sistemit të burgjeve – sistem i keq i menaxhimit dhe punës së punonjësve, mungesë e stafit, cilësi e dobët e kujdesit shëndetësor për të dënuarit, dhunë mes personave të dënuar, kushte të mjera materiale, mungesë e aktiviteteve të dedikuara dhe korrupsion endemik, pati theksuar Komisioni Evropian në raportin e para këtij viti për progresin e Maqedonisë së Veriut.

Një shqetësim shtesë i vënë në dukje nga KE është mbipopullimi i burgjeve. Sipas të dhënave të marsit të vitit 2022, bëhet fjalë për 2.462 persona të dënuar dhe të paraburgosur. Është ende problem mungesa e kujdesit shëndetësor dhe masave adekuate për trajtimin e varësisë nga droga në burgje, i cili mbetet një shqetësim serioz dhe diçka që duhet ta trajtojë Ministria e Shëndetësisë.

Megjithatë, duke marrë për analizë raportin e Komisionit Evropian të këtij viti dhe vitit të kaluar, si dhe raportin e Avokatit të Popullit, lirshëm mund të konstatohet gjendja momentale në burgjet e vendit që është e mjerueshme dhe predispozitat më të larta janë që këto vende të klasifikohen si vende keqtrajtimi dhe jo vende ku mbahen dënimet. Kujdesi shëndetësor dhe higjiena në nivel shumë të ulët ajo për të cilën kanë më së shumti nevojë të burgosurit. Duhet të kujtojmë që të dënuarit në ato hapësira të kufizuara janë të stërngarkuar me numër mbi normalen në proporcion me hapësirën dhe metrat katror të dhomave. Në këto hapësira të pa pastra dhe pa kujdes mjekësor të dënuarit kalojnë 23 orë, një orë të vetme e kanë pauzë jashtë për ajrosje, për të thithë ajrin e ndotur të Shkupit. /Zhurnal.mk

Related posts

 I dyshuari kryesor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës është kapur në Türkiye, procedura për ekstradim ka filluar

Xh M

Spavoski konfirmon: Lupço Palevski është arrestuar në Turqi, ekzekutori i Vanjës u kap nga policia turke në Balikesir

Xh M

Pasiguri e panik pas vrasjes së 14-vjeçares në Shkup

Xh M