Botërori i ri për Klube me 32 ekipe, edicioni i parë i të cilit do të luhet në vitin 2025, ka gjetur vendin organizator. Këshilli i FIFA-s ka vendosur unanimisht se Shtetet e Bashkuara do të jenë pritësit e eventit.
Ky vendim nuk është rastësi pasi eventi përkon me një tjetër që do të mbahet 12 muaj më vonë po në SHBA. I referohemi Kupës së Botës. “Botërori për Klube FIFA 2025 do të jetë kulmi i futbollit profesional elitar për meshkuj. E me infrastrukturën e nevojshme dhe interesin e madh vendas, Shtetet e Bashkuara janë pritësi ideal për të nisur këtë turne të ri global.” – tha presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino
Datat e planifikuara janë qershor-korrik, pra si ato të Kupës së Botës. Ndërsa vendet do të caktohen si më poshtë: 4 në konfederatën afrikane, 4 në Azi, 4 në Concacaf, 1 në Oqeani, 6 në Conmebol, 12 në UEFA dhe një në federatën kombëtare të vendit pritës (SHBA), për një total prej 32.