Agjencia Zhurnal.mk.

Bislimi tregon çfarë biseduan me Lajçakun në Bruksel

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, dje gjatë ditës zhvilloi takime dypalëshe me Përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në njoftimin nga Qeveria thuhet se në këto takime u diskutua për çështjen e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë, për ndjeshmërinë dhe urgjencën e një zgjidhjeje sa më të shpejtë.

“U fol për energjinë në kuadër të marrëveshjes ekzistuese. Diskutimet me Bashkimin Evropian në këtë fushë kanë shënuar progres, megjithatë mbeten ende detaje për t’u trajtuar”, thuhet në njoftim.

Çështje tjetër e diskutimit ishte edhe ajo e targave të veturave.

“Grupet teknike kanë filluar të finalizojnë propozimet e tyre përfundimtare. Takimet e grupeve teknike do të vazhdojnë deri në përzgjedhjen përfundimtare të opsioneve sipas standardeve dhe praktikave të Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftim.

Të martën në Bruksel, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë zhvilluar takime dypalëshe me zyrtarët e Bashkimit Evropian. Por, nuk ka pasur një takim të përbashkët midis Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian.

Nuk ka informacione zyrtare se pse nuk ka ndodhur një takim trepalësh, edhe pse i njëjti ishte paralajmrëruar, por përfaqësuesi i Serbisë tha se ishte kryenegociatori kosovar, Besnik Bislimi ai që refuzoi të bisedojë me palën serbe.

Edhe në të kaluarën, në Bruksel, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë kanë pasur takime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Derisa kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, nuk është deklaruar pas takimit, homologu i tij serb, Petar Petkoviq, ka thënë se bisedimet nuk ishin të lehta dhe se temë kryesore ka qenë Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Sipas mediave serbe, Petkoviq ka thënë se kanë biseduar vetëm me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, pasi sipas tij, udhëheqësi i delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi, ka refuzuar të bisedojë me palën serbe.

Ai theksoi se pala serbe është në pritje të formimit të Asociacionit, pas nëntë vitesh dhe se “pa formimin e Asociacionit që duhet të përfaqësojë kornizën e të drejtave kolektive, nuk di se si të veprohet dhe si mund të diskutohen çështjet tjera”.

“Ne jemi të gatshëm të shkojmë më tej, por të gjitha obligimet duhet të përmbushen”, tha Petkoviq.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të BE-së, ka nisur më 2011.

Related posts

Kurti: Komiteti i Ministrave ta trajtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës

D V

Rasti ‘’Reflektori’’ – aktakuzë ndaj gjashtë personave për blerje dhe shitje të narkotikëve

D V

Brnabiq arsyeton arrestimin e zv.drejtorit Jankoviq, reagon Surroi: Ndërhyrje në identitetin e serbëve të Kosovës

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy