Shkup, 10 mars – Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) publikoi se i mbështet investimet ekologjike në Maqedoninë e Veriut, duke i dhënë kredi me vlerë një milion euro Bankës Komerciale Shkup përmes Programit të BERZH-it për financimin e ekonomisë së gjelbër – GEFF.
“Mjetet do të jenë të disponueshme për individët që të investojnë në masat e kursimit të energjisë, siç janë izolimi, dritaret, pompat e nxehtësisë, panelet diellore dhe zgjidhjet tjera, thonë nga Zyra e BERZH-it në Shkup.
Pas zbatimit me sukses të masave, siç shtohet në kumtesën, përfituesit do të kenë të drejtën e një granti deri në 20 për qind të vlerës së kredisë. Mjetet për grantet sigurohen nga Bashkimi Evropian.
“Jemi të kënaqur që po ndërtojmë një partneritet të suksesshëm me Bankën Komerciale Shkup dhe po rrisim mbështetjen tonë për investimet në efikasitetin energjetik në vend. Investimi në efikasitetin energjetik ka përfitime të shumta. Ato kontribuojnë në zvogëlimin e faturave të energjisë elektrike të qytetarëve, por edhe në uljen e prodhimit dhe konsumit të energjisë elektrike në vend, dhe së fundi në uljen e emetimeve të dyoksidit të karbonit”, tha Andi Aranitasi, përfaqësues i BERZH-it për Maqedoninë e Veriut.
Që nga shkurti i këtij viti, Programi GEFF për Mbështetjen e Investimeve në Energjinë e Gjelbër në vend është shfrytëzuar nga gati 2700 familje në vlerë prej rreth 20 milionë euro. Teknologjitë më të zakonshme të financuara janë dritaret dhe dyert, izolimi dhe pompat e nxehtësisë.
Banka Komerciale Shkup iu bashkua këtij programi në vitin 2020 dhe tashmë ka mbështetur investimet e huamarrësve privatë në efikasitetin e energjisë në vlerë prej një milion euro.
Linja e kredisë GEFF për Ballkanin Perëndimor, e mbështetur nga Programi i Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Ministria Federale Austriake e Financave, është pjesë e Programit Rajonal të efikasitetit të energjisë për Ballkanin Perëndimor. Qëllimi i programit është të mbështesë rajonin, i njohur për intensitetin e lartë të energjisë, me qëllim përmirësimin e efikasitetin të energjisë në sektorin e banesave, i cili është një nga konsumatorët më të mëdhenj të energjisë.
BERZH thekson se janë investitori kryesor institucional në vend, me mbi 2.2 miliardë euro të investuara në 154 projekte. Mbështetja e energjisë së gjelbër është një prioritet për Bankën, pasi ballafaqohet me një nga sfidat më të rëndësishme në vend.