Shkup, 1 mars – Maqedonia e Veriut është aleate e NATO-s dhe anëtare e përgjegjshme e bashkësisë ndërkombëtare dhe i është bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të tjerëve në dënimin e agresionit brutal rus dhe luftës aktive në Ukrainë, deklaroi ambasadorja e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut Kejt Meri Bërnz.
“Kur jemi tek tema për Ukrainën, Maqedonia e Veriut është aleate e NATO-s dhe partner i fortë që mban hapin me BE-në, anëtar i përgjegjshëm i komunitetit ndërkombëtar dhe i bashkohet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të tjerëve në dënimin e veprimeve të vazhdueshme në Ukrainë, agresionit brutal rus dhe luftës aktive në Ukrainë. Dënimi u theksua qartë dhe pa mëdyshje, por gjithashtu ofron mbështetje për popullin ukrainas, si të gjithë ne, duke ofruar mbështetjen që ata kanë nevojë për momentin. Por ne duhet të sigurohemi që në një moment të caktuar dikush do të jetë përgjegjës për veprimet e Rusisë”, deklaroi ambasadorja Bërnz në një intervistë për TV21, duke komentuar situatën aktuale me Ukrainën.
Nga ana tjetër, shton Bërnz , Maqedonia e Veriut punon me ne në NATO dhe në mënyrë dypalëshe, për të mbrojtur interesat tona.
“Ne jemi duke punuar në NATO për të siguruar që detyrimi sipas nenit 5 të jetë i fortë dhe se ne jemi të gatshëm të mbrohemi kundër çdo veprimi të mëtejshëm dhe se jemi të gatshëm si komunitet ndërkombëtar të përballemi me pasojat afatgjata të asaj që po ndodh. Përsëri, ky është akt i paligjshëm dhe i pajustifikuar nga Rusia kundër Ukrainës”, thotë ambasadorja Kejt Meri Bërnz.