Agjencia Zhurnal.mk.

BE ndalon udhëtimet për rusët, por vazhdon të ketë përjashtime

Katër nga pesë vendet e Bashkimit Evropian në kufi me Rusinë filluan të mos lejonin hyrjen e turistëve rusë më 19 shtator, duke thënë se ata nuk duhet të udhëtojnë ndërsa vendi i tyre është në luftë me Ukrainën. Polonia, Estonia, Letonia dhe Lituania vendosën kufizime të reja, ndërsa Finlanda vendosi të qëndrojë e hapur, megjithëse ka shkurtuar numrin e takimeve konsullore për udhëtarët rusë që aplikojnë për viza.

 

Vendimi për të mos dhënë më viza për turistët rusë është pjesë e një sërë sanksionesh dhe hapash të ndërmarrë së fundmi nga Bashkimi Evropian ose vendet anëtare të tij që kur Moska filloi sulmin ndaj Ukrainës më 24 shkurt.

BE-ja ka ndaluar të gjitha fluturimet nga Rusia, duke lënë të disponueshme vetëm lidhjet e transportit hekurudhor dhe rrugor, dhe këtë muaj ajo ra dakord të kufizojë lëshimin e vizave të udhëtimit falas për zonën Shengen.

Më 18 shtator, një ditë para hyrjes në fuqi të vendimit të ri, në Narva, një qytet kufitar estonez, ku 90 për qind e banorëve janë rusishtfolës, shtetasit rusë po nxitonin të hynin në vend.

Rregullat e reja vlejnë për turistët rusë. Ato përjashtojnë disidentët rusë që kërkojnë strehim në BE, shoferët e kamionëve, refugjatët dhe banorët e përhershëm të vendeve të BE-së, si dhe ata që vizitojnë anëtarët e familjeve të tyre.

Më pak se një e dhjeta e rreth 4,000 rusëve që hyjnë çdo ditë në Estoni humbasin të drejtën për të hyrë në vend bazuar në rregullat e reja, thanë zyrtarët.

Çështja e udhëtimit në BE ka ndarë bllokun, me kryeqytetet si Berlini dhe Parisi që argumentojnë se do të ishte kundërproduktiv ndalimi i udhëtimeve për qytetarët e thjeshtë rusë. Kievi mbështet rregullat e reja për ndalimin e udhëtimeve të shtetasve rusë në BE.

Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, e cila ka theksuar më herët se turistët rusë nuk duhet të udhëtojnë në BE gjatë luftës, tha se një ndalim i tillë mund të binte ndesh me marrëveshjen e zonës Shengen që të gjitha vendet të respektojnë vizat e lëshuara nga vendet e tjera të zonës.

Kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas shprehu zhgënjimin e saj për mosmarrëveshjet brenda BE-së, duke paralajmëruar se shumë udhëtarë rusë tani do të dynden drejt kufirit finlandez.

“Kemi një mënyrë për të shmangur rregullat e reja për shkak të Finlandës. Kjo nuk është plotësisht efektive, por është më mirë se asgjë”, tha Kryeministrja Kallas dy ditë para se të hynte në fuqi rregulli i ri në vendin e saj.

Për Mikhail Ivanovin, një shtetas rus 35-vjeçar që udhëtoi me autobus nga Shën Petersburg në Talin një ditë para se të hynte në fuqi rregulli i ri, vizita e miqve në Estoni mund të bëhet më e ndërlikuar.

“Unë do të jem ende në gjendje të shkoj në Estoni përmes vendeve të tjera”, tha ai menjëherë pasi hyri në Narva.

Rusia tha se do t’i kundërpërgjigjej kufizimeve të reja, por se nuk do të mbyllte kufijtë e saj me vendet e Bashkimit Evropian./VOA

Related posts

Gjermania po përballet me një “pandemi masive” të të pavaksinuarve

D V

Tedros është rizgjedhur në krye të Organizatës Botërore të Shëndetësisë

D V

Kina shpreson që administrata e re e ShBA-së t’i trajtojë objektivisht marrëdhëniet dypalëshe

Z.H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More