Agjencia Zhurnal.mk.

BE-ja e përçarë për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë – të shfrytëzohet qeveria teknike në Sofje!

Editorial nga Agjencia e Lajmeve Zhurnal.mk

Shkup, 8 maj – Nesër është 9 maji – Dita e Evropës, dita kur në vitin 1950 ish ministri i jashtëm francez Robert Schuman shpalli për herë të parë idenë e tij të bashkimit të industrive të thëngjillit dhe çelikut në mes të Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Francës, gjë që dërgoi në themelimin e Komunitetit Evropian të Thëngjillit dhe Çelikut e më pas evolui në Bashkimin e sotëm Evropian.

Pra 9 Maji për Evropën është ditë e fitores së lirisë kundër robërisë, është ditë e emancipimit popullor kundër shtypjes fashiste, është ditë e barazisë mes popujve dhe barazisë brenda shteteve kundër primatit imperialist dhe eksploatimit të egër.

Por pikërisht në këtë ditë, kur bashkimi duhet të mbizotërojë, brenda vetë BE-së ka përçarje të mëdha dhe rryma që e kanë humbur frymën e bashkëpunimit dhe zgjerimit të BE-së. Së fundmi, me insistimin e Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut kërkohet t’i thuhet jo për fillimin e negociatave, shkruan Zhurnal.mk.

A po e humb fuqinë e saj BE-ja!

Fillimisht insistimi grek e tani edhe insistimi bullgar që ta bllokojnë Maqedoninë e Veriut të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian ka dhënë sinjalet e para se BE-ja nuk e ka fuqinë që të detyrojë shtetet e saja që të mos bllokojnë interesin e BE-së që të zgjerohet në Ballkanin Perëndimor. Pas deklaratës së eurokomisarit Varhei në Shkup se nuk përjashtohet mundësia që Shqipëria t’i fillojë negociatat nëse nuk ka kompromis unanim në Këshillin e BE-së për Maqedoninë e Veriut, së fundmi, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, ka konfirmuar se Shqipëria mund të nisë bisedimet me Bashkimin Evropian edhe pa Maqedoninë e Veriut. Sipas saj nëse Maqedonia e Veriut nuk nënshkruan marrëveshjen me Bullgarinë, atëherë do të shihet opsioni i fillimit të bisedimeve vetëm me Shqipërinë.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të dyja i kanë përmbushur kushtet dhe kanë marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike.

Komisionit Evropian qartë thekson se duan t’i fillojnë negociatat me të dy vendet sepse të dyja i plotësojnë kushtet që kjo të ndodhë, por Këshilli duhet të jep pajtim për kornizat negociuese, këtu ku jemi. Pa fuqia e BE-së tregohet me vendimin se nëse nuk ka marrëveshje për Maqedoninë e Veriut, atëherë Bruksesi zyrtar s’ka çfarë të bëjë dhe duhet të fillojë bisedimet vetëm me Shqipërinë.

Gjermania e Sllovakia nuk duan ndarje mes Shkupit dhe Tiranës

Gjermania dhe Sllovakia kanë bërë thirrje që BE-ja t’i përmbahet planit fillestar që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut që përparojnë drejt anëtarësimit përfundimtar si pjesë e një pakete.

“Gjermania mbështet objektivin e Presidencës së BE-së për të mbajtur konferencat e para të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në qershor. Të dy vendet i kanë kryer reformat e kërkuara – tani BE-ja duhet të japë gjithashtu. Vonesa e mëtejshme minon besueshmërinë e BE-së, stabilitetin në rajon”, shkroi Ministri i Çështjeve Evropiane të Gjermanisë, Michael Roth.

Ministri i jashtëm sllovak Ivan Korcok shkroi se “Politika e besueshme e zgjerimit të BE-së tani ka të bëjë me braktisjen e vetos bullgare në Këshill, i cili duhet të njohë progresin e bërë nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.”

Brukseli nuk ka çfarë t’iu bëjë anëtarëve të saj

Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perëndimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te anëtarët e Bashkimit Evropian. Edhe pse shumë shtete themeluese të BE-së e kanë shprehur revoltën e tyre ndaj Bullgarisë se përse bëhet ky veprim i pa duhur në moment kur është interes i BE-së t’i marrë nën kontrollin e saj vendet e Ballkanit Perëndimor, sërish ata nuk kanë asnjë mekanizëm se si ta detyrojnë Bullgarinë të lëshojë pe në këtë rast. Fatkeqësisht BE-ja nuk ka mekanizma shtesë, as mënyrë që të bëjë presion politik ndaj anëtarëve të saj, që për hir të interesave strategjike të Evropës t’i detyrojë ata të pranojnë një vendim të duhur.

Maqedonia e Veriut e zhgënjyer dhe e pa shpresë

Shumica dërrmuese e vendeve anëtare të BE-së mbështesin mbajtjen e Konferencave Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por deklarata e Varhejit i ka zhgënjyer politikanët në Shkupin zyrtar. Nëse BE-ja do ta mbajë apo jo premtimin e saj për Maqedoninë e Veriut, kjo është “një provë për besueshmërinë e BE-së në Ballkanin Perëndimor”.

Pas insistimit të vendeve anëtare të BE-së, duket se tani Shqipëria duhet të presë që Maqedonia e Veriut të kapërcejë bllokadën e vendosur nga Bullgaria. Përpara takimeve të ardhshme të BE-së në qershor, megjithatë, ka pak shpresë se Maqedonia e Veriut mund të arrijë ndonjë marrëveshje me Bullgarinë, sidomos pasi zgjedhjet e muajit të kaluar në Bullgari krijuan më shumë pasiguri se cilat parti do të formojnë një qeveri në Sofje.

Kjo situatë është zhgënjyese dhe e pa shpresë për Maqedoninë e Veriut, e që do të rikthejë në kujtim procesin e tejzgjatur të problemit me Greqinë.

Nëse ndodhë një gjë e tillë, atëherë dëshpërimi dhe ndryshimi i kursit politik të politikanëve në Maqedoninë e Veriut dhe rritja e populizmit do të jenë të mëdha. Askush më nuk do të besojë idenë e integrimit dhe Evropa do të duket në sytë e popullit si një mashtruese lajkatare që nuk i përmbush premtimet. Kjo nuk guxon të ndodhë, sepse e ardhmja evropiane e Maqedonisë së Veriut duhet të plotësohet çdo ditë e më shumë, por dëshpërimi lind kur e sheh mos pasjen e forcës.

Andaj, është momenti më i mirë për BE-në që të zgjidhë dilemat mes Shkupit dhe Sofjes zyrtare, pikërisht kur tani në Bullgari ka një qeveri teknike. Nëse tani nuk kalohet kjo problematikë, atëherë problemi do të trashet dhe vështirë do të gjendet zgjidhja një ditë. Ose edhe nëse gjendet, ajo do të jetë shumë më e dhimbshme se sa tani! // Zhurnal.mk

Related posts

 I dyshuari kryesor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës është kapur në Türkiye, procedura për ekstradim ka filluar

Xh M

Spavoski konfirmon: Lupço Palevski është arrestuar në Turqi, ekzekutori i Vanjës u kap nga policia turke në Balikesir

Xh M

Pasiguri e panik pas vrasjes së 14-vjeçares në Shkup

Xh M