Të martën, në ceremoninë e mbylljes së Forumit të Biznesit të BRICS-it, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping mbajti një fjalim me temën “Thellimi i solidaritetit e bashkëpunimit për përballimin e rreziqeve dhe ndërtimin e përbashkët të një bote më të mirë”.
Xi vuri në dukje në këtë fjalim që tani bota, koha dhe historia po ndryshojnë si kurrë më parë dhe njerëzimi po ndodhet në një udhëkryq kritik. Duhet të synojmë bashkëpunimin e integrimin apo ndarjen e kundërvënien; paqen e qëndrueshmërinë apo “Luftën e Ftohtë të re”, begatinë me hapje e gjithëpërfshirje apo hegjemoninë dhe depresionin, shtimin e besimit të ndërsjellë me shkëmbime apo arrogancën dhe paragjykimet që errësojnë ndërgjegjen? Drejtimi i historisë varet nga zgjedhjet tona, tha ai.
Kreu i shtetit kinez vuri në dukje më tej që bota e sotme është një bashkësi me fate të përbashkëta. Popujt e ndryshëm nuk po presin as një “Luftë të Ftohtë të re”, as krijimin e “grupeve të vogla”, por një botë paqësore, të sigurt, të lulëzuar, përfshirëse, të pastër e të bukur. Kjo është logjika e përparimit të historisë dhe prirja e zhvillimit të kohës. Palët duhet të kenë një këndvështrim të drejtë të botës, të historisë e të situatës së përgjithshme dhe ta shndërrojnë konceptin e bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit në veprime konkrete dhe vizionin ta bëjnë realitet
Ne duhet të nxisim zhvillimin dhe lulëzimin e përbashkët, u shpreh në vijim udhëheqësi kinez. Kina është e gatshme të punojë me vendet e tjera për të përshpejtuar bashkëpunimin në Nismën e Zhvillimit Global për të përballuar sfidat e përbashkëta dhe për të rritur mirëqenien e popujve të të gjitha vendeve.
Ai u shpreh gjithashtu se duhet të ngulet këmbë në shkëmbimet dhe mësimin e ndërsjellë mes qytetërimeve. Qytetërimi njerëzor ka ngjyra të larmishme. Nxitja enkas e kundërvënies mes “demokracisë dhe autoritarizmit”, “lirisë dhe autokracisë”, do të shkaktojë vetëm ndarje e konflikte në botë. Kina mirëpret vendet e ndryshme për të marrë pjesë aktivisht në bashkëpunimin për Nismën e Qytetërimit Global, të përhapin vlerat e përbashkëta të njerëzimit, të nxisin zhvillimin e lulëzimin e qytetërimeve të ndryshme dhe të trashëgojnë thelbin e qytetërimit njerëzor, shkruan CMG
Xi theksoi që ngritja e ekonomive të reja dhe vendeve në zhvillim, që përfaqësohen nga vendet e BRICS-it, po ndryshon në mënyrë thelbësore hartën e botës. “Më shumë se 20 vende po trokasin në derën e BRICS-it dhe në mënyrë të sinqertë Kina i mirëpret të gjithë t’i bashkohen mekanizmit të bashkëpunimit të BRICS-it,” shtoi ai.
Kina ndjek me vendosmëri një politikë të jashtme paqësore e të pavarur dhe përpiqet për krijimin e një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit, tha presidenti i Kinës. Si një vend në zhvillim dhe anëtar i Jugut Global, Kina gjithmonë ka ndarë të njëjtin fat me vendet e tjera në zhvillim, ka ruajtur fuqishëm interesat e përbashkët të vendeve në zhvillim dhe ka nxitur forcimin e së drejtës së fjalës dhe ngritjen e nivelit të përfaqësimit të vendeve në zhvillim për çështjet globale. Hegjemonizmi nuk është në ADN-në e Kinës, dhe gjithashtu Kina nuk ka motiv për përfshirje në konkurrencë ndërmjet fuqive të mëdha. Kina qëndron në mënyrë të vendosur në anën e drejtë të historisë dhe ndjek me vendosmëri parimin “Rruga publike është rruga e drejtë, bota është e të gjithëve”.