Shkup, 21 korrik – Nëse Qeveria nuk e ndihmon biznesin që po përballet me fatura enorme të rrymës, do të ketë ulje të prodhimit, mbyllje të objekteve dhe pushime nga puna, paralajmëroi sot kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski.
Azeski njoftoi se sonte përfaqësuesit e Odës do të kenë takim me kryeministrin Dimitar Kovaçevski.
“Në Odë në këtë moment do të trajtohet 1000 për qind vetëm një çështje – çmimi i energjisë elektrike. Nëse Qeveria nuk ndërhyn dhe nuk ndihmon në këtë situatë, nuk ka zgjidhje tjetër veç mbylljes. Shpresojmë që të mos arrihet deri këtu, të gjithë i dimë problemet që po grumbullohen për 30 vjet dhe me atë mbajtje dhe subvencionim të ulët të çmimit të energjisë elektrike, kjo rritje tani duket e madhe në këtë situatë. Është problemi i parë dhe themelor i kompanive dhe ka një njoftim nga disa kompani se do të fillojnë të mendojnë për zvogëlimin ose mbylljen e prodhimit dhe largimit të punëtorëve”, tha Azeski para vizitës në kompaninë “Kostal Makedonia” në Ohër së bashku me anëtarët e tjerë të Bordit Drejtues në Forumin e Investimeve të Odës (FIO).
Ai përkujtoi se Oda tashmë ka kërkuar ndihmë nga Qeveria.
“Kemi kërkuar fuqishëm që Qeveria të ndihmojë dhe të prononcohet për këtë çështje. Sonte kemi një takim me kryeministrin dhe dje është formuar një komision ndërinstitucional, i cili në dhjetë ditët e ardhshme duhet të përgatisë propozimin në bazë të propozimeve që i dha Odës, të vlerësojë nëse janë të pranueshme apo jo dhe më pas ndoshta të mbajë një takim me kryeministrin për dhjetë ditë”, theksoi Azeski.
Sipas tij, përvojat nga rajoni tregojnë se në të gjashtë vendet kompanitë janë në pozitë më të favorshme sepse kanë subvencionuar energjinë elektrike, gjegjësisht me një çmim të caktuar që është drejtpërdrejt nga prodhimi i tyre.
“Ne jemi në tregun e lirë dhe paguajmë shuma të mëdha deri në 350 euro, dhe në një situatë të komplikuar të ndërprerjes së gazit rus në Evropë, mund të ketë rritje të dyfishtë të çmimeve”, tha Azeski.