Agjencia Zhurnal.mk.

Atë që bëri Irani në Afganistan ëndrron ta bëjë Serbia në Kosovë

NGA: DREN DUSHI

 

Miliardat e taksapaguesve amerikanë për shumë vite nuk mjaftuan që në Afganistan të vendosej një administratë shtetrore bashkëkohore. Përkundrazi, administrata Afgane u tregua e pa skrupullt, me korrupsion dhe dështim pothuajse në secilën sferë. Më keq akoma, tentativa e botës (për aq sa mund të themi) për ta modernizuar Afganistanin, vetëm sa krijoi disa shtresa sociale që tash do ta kenë jetën ferr, pas marrjes nën kontroll nga talebanët. Gratë nuk mund më të dalin vetëm, pa mbulesë nuk bëhet fjalë, nuk mund të ushtrojnë shumë profesione, me pak fjalë, do jenë të robëruara. Por edhe shumë liri tjera individuale do jenë arbitrarisht të ndaluara sipas një interpretimi të një religjioni.

Kultura dhe tradita e popujve është baza e ngritjes së një shteti e shoqërie ndër vepruese, kjo kulturë në Afganistan është diferente. Si vend i ndodhur në një pjesë të humbur të botës, rrethuar me shumë popullësi por pak ekonomi, Afganistani nuk gjendet afër asnjë vendi të zhvilluar, madje edhe largësitë tepër të mëdha me vende si Kina e Rusia, Afganistani mund t’i qaset vetëm zonave më periferike e të pa zhvilluara të tyre. Por i vetmi vend i cili ka një qëndrueshmëri fragjile (teksa lufton politikisht me pothuajse gjithë botën demokratike) që kufizon Afganistanin është Irani, një aleat Kinezo-Rus.

Irani paraqet tipin e shtetit me një diktaturë që gërsheton jo vetëm forcën e një elite si kontroll përmes privatizimit të aparatit të dhunës, por edhe kontrollin përmes premisave morale, që në këtë rast bëhet duke përdorur si mekanizëm religjionin (sikurse Serbia). Irani ndonëse një vend pa ndonjë të ardhme afat-mesme të ndritur, qëllon të ketë rezerva shumë të mëdha nafte. Ambiciet për të ndikuar në perëndim, respektivisht zonat ku ka një bashkëjetesë ekonomike dhe politike të botës arabe me botën perëndimore si Dubai, Qatari, Arabia Saudite, pra vende që nuk i’u ka rënë keq, Irani i ka pothuajse të shuara, por situatë e njejtë nuk qëndron në lindje. Pëmes Pakistanit (mik i Kinës e Rusisë), dhe Afganistanit tashmë taleban, Irani mund të shtrijë ndikimin e vet në këto zona, me ç’rast do fitonte tregje të mëdha, madje një ndërlidhje me Qeveritë Kinezo-Pakistaneze për të shtier në dorë më vonë edhe armët nukleare, pasi ta kenë kontrolluar këtë rajon të madh. Një Iran me armë nukleare, bashkarisht me Pakistanin (tashmë vend nuklear), Kinën dhe Rusinë e Afganistanin taleban, mund të kompletohet mozaiku i një rajoni të ri politik, që gërsheton vlerat totalitare dhe jo demokratike.

Si botë me shumë diverzitete kulturore, por edhe koncentrim të pasurive të naftës, lindja e mesme dhe zona e Persisë së dikurshme paraqet një zonë ngjarjet e të cilës janë me ndikim në gjithë botën. Por ku qëndron ndërlidhja e rastit të Kosovës me Afganistanin? Apo kjo ndërlidhje është vetëm një platformë serbe?

Për Serbinë, fillimisht, të dy vendet janë me shumicë myslimane, anipse Kosova nuk ka sentimente të ngjashme fetare me Afganistanin. Në të vërtetë Kosova ka një rini, sidomos në zonat urbane dhe pjesët me arsimim më të mirë, që ka shkëputur bukur shumë sentimentet fetare të trashëguara nga Perandoria Osmane dhe gjason përherë e më tepër me rininë evropiane. Por kjo nuk i pëlqen Serbisë.

Serbia ka pasur vazhdimisht interesim, që nga koha e Vaso Çubriloviç, që ta radikalizoj islamin në Kosovë, pra ta bëj të ngjashëm me islamin e talebanëve në Afganistan. Fatmirësisht, në masë të gjerë ka dështuar, anipse ka arritur indirekt që të ndërtoj grupe ekstremiste të vogla që ndërtojnë edhe “xhami strategjike” e “xhami për inat të katedrales”. Një “xhami strategjike” është shembull xhamia që kur hyn nga Kukësi në Kosovë, e sheh një xhami që është fare pranë autostradës, anipse fshatërat janë bukur më thellë. Arsyeja për të tilla xhami janë simbolika, pra misioni për t’i thënë botës “keni hyrë në një vend islamik dhe duhet ta dini”: Po e njejta “xhami strategjike” të pret kur kyçesh në autostradë nëse ke ardhur me fluturim nga aeroporti “Adem Jashari”, po të ngjashme ke edhe nëpër hyrje-daljet e qyteteve kryesore në Kosovë, të ndërtuara enkas për misionin në fjalë, pra simbolikën dhe jo nevojat e religjionit në fjalë. Përveç “xhamive strategjike”, Kosova do njoftohej edhe me një tip tjetër xhamie, “xhaminë për inat të katedralës”.

Katedralja “Nëna Terezë” do i jepte katolikëve të Kosovës një vend në kryeqytet siç i kanë shtetet evropiane, por do i tregonte edhe botës se Kosova islame, nuk është radikale, përkundrazi, ndërton një katedrale të madhe në qendër të qytetit. Por ky projekt i shtyer me gjoks nga kolosi i kulurës shqiptare Dr.Ibrahim Rugova, do sfidohej menjëherë, nga komunitetet ekstremiste fetare islamike në Kosovë, që degët dhe bazat e trashëgiminë strategjike e kanë që nga koha e Vasos. Një xhami për inat të katedrales duhej bërë medomos, dhe presioni publik do arrinte kulmin, kur politikani i Jugosllavisë Isa Mustafa do jepte lejen që xhamia për inat të katedrales të ndërtohej te Posta e re, pavarësisht kundërshtimit të banorëve.

Nga një shkrim i vjetër i publikuar nga Dr. Jakup Krasniqi, në gazetën Koha Ditore, kisha lexuar disa rrjedha të një raporti të një shërbimi sekret ku ndër të tjera përmendej platforma serbe për radikalizimin e rinisë së Kosovës. Përmes radikalizimit të Kosovës, Serbia pretendon t’i prishë raportet shqiptaro-perëndimore specifikisht me SHBA-të, dhe si rrjedhojë të marrë dritë të gjelbër për tu kthyer në Kosovë dhe vendosur sërisht “rendin evropian” dhe luftuar “talebanët shqiptarë”.

Gjasat për të pasur sukses platforma e Vasos, tashmë e vazhduar nga Vuçiq në Kosovë, janë të vogla, por nuk duhet neglizhuar dhe hequr kujdesin.

Kosova duhet ta pavarësoj religjionin e vet nga financuesit e dyshimtë, që mund të jenë të regjistruara në botën arabe e të financuar direkt nga Beogradi e Rusia. Kosova duhet të jetë sy hapur me të gjitha predikimet e hoxhallarëve, sidomos atyreve që duan të merren njëkohësisht edhe me politikë dhe që janë hapur kundër shtetit laik, kundër SHBA-ve dhe vlerave perëndimore. Kosova duhet sidomos të hapë vende të reja pune dhe të orientoj rininë e saj drejt zhvillimit dhe vlerave të botës oksidentale. Kosova nuk ka nevojë për “hallall food-e” ku gjasat për tu ushqyer me qime mjekrash janë solide, madje, vendi ynë nuk kishte pasur nevojë për këto mbishkrime as para 15 vitesh.

Një shoqëri e “hallall food-eve”, veshjeve të saharës, britmave të hoxhallarëve teksa mallkojnë gratë që vishen sipas qejfit të tyre apo urrejtjes së lirive individuale që janë jashta besimeve të tyre, është pikërisht shoqëria që i duhet platformës së Vaso Çubriloviçit. Islami i Kosovës duhet të vazhdoj të jetë siç është çdo fe tjetër brenda kornizës tonë Kushtetuese, e që de-fakto, islami i Kosovës është përgjithësisht ashtu siç e thoshte Presidenti Rugova; simbolik.

Related posts

Kosova dhe Shqipëria të mësojnë nga njëra-tjetra!

D V

Rikthim i frikshëm i skenarëve destabilizues në rajon

D V

Përse Bashës i duhen “letrat dhe vula e partisë”

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More