Agjencia Zhurnal.mk.

Ashpërsohet retorika e partive në fundin e fushatës

Shkup, 28 tetor – Deri në fund të fushatës zgjedhore mbesin edhe dy ditë, ndërsa liderët e partive më të mëdha LSDM dhe VMRO-DPMNE me qëndrim të njejtë lidhur me bashkimin e qytetarëve, por me kritika ndaj njëri-tjetrit. Zoran Zaev bëri thirrje për bashkim, për jetë të qetë dhe cilësore, me qëllim që t’i vihet fundi regjimit nga e kaluara. Hristian Mickoski, ndërkaq porositi se nuk do t’i ndajnë qytetarët sipas partisë politike dhe se dëshirojnë të jenë aleatët dhe miqtë e tyre.

 

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim – BDI, Ali Ahmeti i shoqëruar nga kryeparlamentari, Talat Xhaferi, zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi dhe kandidati për kryetar komune në Gostivar, Nevzat Bejta dje takuan pjesëtarët e komunitetit turk në qytetin e Gostivarit.

Në fjalimin e tij, Ahmeti tha se në vitin 2001 komuniteti turk nuk kishte përfaqësues në negociatat për Marrëveshjen e Ohrit, sikurse nuk kishin vllahët, boshnjakët apo romët e as përfaqësuesit e feve dhe nacionalitete më të vogla.

“Unë nuk jam politikan që vijë nga ekranet televizive, ju e dini të gjithë se nga vijë. Unë vijë nga mali së bashku me bashkëluftëtarët e mi. Pas luftës kur kam hyrë në politikë, nuk e kisha menduar se një ditë se si politikan do dal të flas për projekte, ekonomi pasi ne nuk kishim asnjë garanci që ne do mbijetojmë. Përfaqësues i të gjithëve isha unë dhe me NATO, BE, Amerikë bëra atë që kam bërë për të gjithë, sepse vetëm si të barabartë mund të ecim para. Atëherë ju garantojë që asnjëherë se një ditë do të bëhem kryetar i një partie dhe do dal para jush, por kërkoja drejtësi për të gjithë ata që iu mungonte drejtësia”, tha Ahmeti.

Sonte, tha ai, kam ardhur para jush për të kërkuar mbështetje për një kapitull të ri, agjendën tonë të BDI-së, kapitull që kërkon shumë angazhim dhe ekspertë për ta zbatuar.

“Pa bashkëpunim të fortë me komunat, kjo platformë do të ketë pengesa. Isha në Çegran para se të vijë këtu dhe kuptova diçka se Çegrani katër vite kishte kërkuar një stadium, qeveria paratë i kishte ndarë por kryetari i komunës e kishte bllokuar këtë investim. Po fillon punën Korridori 8 në fund të nëntorit që lidh dy brigjet, Detin e Zi dhe Adriatikun, Ankara-Durrës. 30 vite ky korridor është sabotuar për t’u ndërtuar. Gazifikimi që kalon nga Taxhikistani për në Evropë, ka mbërri në Gostivar dhe do të vazhdojë për në Korçë të Shqipërisë. Malin Sharr e bëmë park kombëtar, në detaje e kemi projektin për kanalizim dhe grumbullim të mbeturinave, kanë kaluar si projekte në qeveri. Për të marrë, fituar, sjellë në vend mbi dy miliardë euro nga jashtë, na duhet bashkëpunimi me komunat, pa to nuk mund të realizohen këto projekte”, shtoi Ahmeti, sipas të cilit për këto projekte këtu kemi ekspertë nga Bashkimi Evropian.

“Dëgjoj se bëjnë koalicione, por ne nuk bëjmë koalicione për tenderë, kemi koalicione me qytetarët, unë vetë kam pëlqyer të zgjasë dorën për bashkëpunim me komunitetin turk e boshnjak. E kam hedhur vetë firmën time për ta bërë gjuhën turke zyrtare në Kërçovë, nuk e bëjmë për vota por për barazi të plotë. Të gjitha premtimet e dhëna do bëhen dhe më besoni se për ju si komunitet unë jam angazhuar më shumë. Këto punë që na presin hajde ti bëjmë bashkë, kemi investuar 20 vite për njerëz , dimë, mundemi dhe platforma jonë është platformë për jetë”, tha Ahmeti para banorëve të komunitetit turk në Gostivar.

Para të pranishmëve u drejtua edhe zëvendëskryeministri, Artan Grubi i cili tha që: “Ju e dini se Bejta është kryetari i parë në Maqedoni që turqishten e bëri gjuhë zyrtare, nuk e bëri as Shkupi, as Vrapçishti, Kërçova apo diku tjetër”.

“Kemi ardhur para jush jo vetëm për të kërkuar votë ta bëjmë Nevzat Bejtën kryetar, por ta meritojmë votën tuaj. Kemi ardhur për të bërë bashkë me ju kontratë për projektet e përbashkëta për Gostivarin. Katër vite e kemi lutur kryetarin aktual për ta rregulluar deponinë Rusino, por jo nuk e bëri, pasi bënte politikë. Ai bën karrierë politike për t’u bërë kryetar partie, për t’ia zënë vendin Ziadin Selës. Ne si qeveri komplet qëndrojmë pas Nevzat Bejtën, prandaj bëni kontratë me ne që të bëjmë shkolla, çerdhe, rrugë, ura. Ky është pazari ynë, e jo punësime familjare. Para do kohe më thirrën komuniteti turk se po ju mbyllet një paralele te Gjimnazin e Gostivarit, e unë e thirra ministren e arsimit Milla Carovskën dhe e kthyem paralelen. Këtë nuk ua bën kryetari i komunës pa mos e pasur edhe qeverinë pas. Me këtë burrë që ri para jush, Ali Ahmeti në vitin 2001, nuk u bë vetëm gjuha shqipe zyrtare por edhe gjuha turke u bë zyrtarë edhe flamuri juaj, kemi ministra shqiptar e turq që nuk i kishim më parë. BDI-së e Ali Ahmetit ia kanë parë hairin të gjithë, prandaj bëheni bashkë me ne e të përfitojmë të gjithë sidomos Gostivari”, deklaroi Grubi.

Në fjalimin e tij, kandidati për kryetar komune në Gostivar, Nevzat Bejta potencoi që si kryetar, si ministër dhe si deputet gjithmonë kam qenë në shërbim të qytetarëve pa përjashtim.

“Ne si qytet ndër më të mëdhenjtë në vend, kemi një mozaik të bukur me shqiptarë, turq, maqedonas, romë. Kur isha kryetar nuk kishte dallime nga unë, punoja për të gjithë njëlloj. E dini se para meje as një kryetar për ju nuk bëri asgjë. Nga viti 2005 kur erdhe në mandatin e parë, kemi punuar shumë. Në Zdunjë e bëmë shkollën, poashtu në Banjicë. Për herë të parë nga ne në vitin 2005 e zyrtarizuam gjuhën turke në Komunën e Gostivarit. Poashtu, në bashkëpunim me qeverinë ne ndërruam edhe emrin e shkollës “Petre Jovanovski”, në “Mustafa Kemal Atatur”, shkollë fillore ku mësojnë fëmijët e komunitetit turk. E bëmë edhe sallën sportive në këtë shkollë dhe kemi vendosur para komunës edhe flamurin turk”, tha Bejta.

Tash shtoi ai, kemi një program të ri i cili do ta ngjallë ekonominë e qytetit.

“Në këtë program i kemi paraparë të gjitha problemet që i ka qyteti jonë. E para është problemi i deponisë Rusino që do ta zgjidhim si problem së bashku me ndihmën e qeverisë dhe miqtë ndërkombëtar. Në njëqind ditshin e parë do t’i largojmë edhe qentë endacak, komunikacionin i cili është i mbingarkuar, poashtu do ta shkarkojmë me urë të re sikurse e bëmë urën e tretë mandatin e kaluar. Do t’i largojmë edhe të gjitha mini deponitë e vogla brenda njëqind ditshit të parë. Unë dallohem nga kundërkandidati, ai bënë karrierë politikë, kurse unë vijë për të punuar. Do t’i rinovojmë dy stadiumet, atë kryesorin dhe ndihmësin. Do t’i rregullojmë parqet dhe shtegun për ecje rreth lumit Vardar, do ta rregullojmë edhe qendrën e Gostivarit. Për këto projekte kërkojë mbështetjen tuaj, mbështetjen e të gjithëve, turqve, maqedonasve, shqiptarëve. Votoni për të mirën tuaj dhe fëmijëve tuaj me 31 tetor, rrethoni numrin 3”, deklaroi Bejta.

Takimi u ndoq nga qindra pjesëtarë të komunitetit turk në Gostivar dhe kaloi në një atmosferë tejet pozitive.

Nga tubimet e djeshme në Demir Kapi, Rosoman dhe Gjevgjeli, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev porositi se Të bashkuar – përpara është koncepti i vetëm që në vete e mban kapacitetin për ta lënë regjimin në të kaluarën.

“Me 31 tetor duhet ta konfirmojmë avancimin, Demir Kapia dhe të gjitha komunat tjera të vazhdojnë përpara, të mos rrezikojmë të devijojmë nga rruga dhe të kthehemi prapa dhe përpara të vazhdojmë me rrumbullakimin e numrit 12”, porositi Zaev.

“Kjo nuk është luftë vetëm nëse do të fitojë LSDM-ja ose VMRO-DPMNE-ja ose kandidatët e LSDM-së ose të VMRO-DPMNE-së, kjo është një luftë për të siguruar të ardhmen, për të siguruar drejtimin në të cilin do të lëvizë komuna jonë, shteti ynë”, tha Zaev.

Ai porositi që qytetarët të mos lejojnë të kthehen gënjeshtrat, manipulimet, të kthehet regjimi mbrapa.

“Prandaj të dielën duhet të votojmë për numrin 12, për Lazar Petrov për Demir Kapinë, të votojmë për numrin 12 për fitore edhe në Demir Kapi dhe në mbarë vendin”, bëri thirrje Zaev.

“Në rrethin e parë ishim në epërsi me 200 vota, ndërsa në të dytin do të fitojmë me të paktën 500 vota”, porositi Zaevi.

Në fjalimin e tij ai theksoi se jeta e qytetarëve varet nga komunat, administrata komunale, shkollat, kopshtet, ndërmarrjet komunale dhe me kompetencat e reja të përfshira me fazën e tretë të decentralizimit, është me rëndësi se çfarë kryetarë do t’i udhëheqin komunat.

“Në Rosoman e kemi një nga kandidatët më të mirë, i ri, njeri energjik, të ditur, të shkolluar, shok, mik, me dashuri dhe dëshirë të madhe për të përparuar, garuar me komunat e tjera dhe të jetë fitues”, tha Zaevi dhe shtoi se të gjitha çështjet e mëdha të shtetit janë zgjidhur dhe vazhdon ngritja e standardit ekonomik.

Ai shtoi se fondi pensional është stabil dhe garanton pensione për pensionistët e tanishëm dhe të ardhshëm.

“Nga 1 janari do ta sjellim edhe kriterin e dytë – si rriten pagat ashtu edhe pensionet. Çdo një janar dhe çdo një korrik do të ketë ngritje ndërmjet 300 dhe 700 denarë ngritje dy herë në vit. Subvencionet i kemi drejtuar drejtë prodhuesve individualë bujqësorë, subvencionet paguhen me kohë dhe janë rritur”, paralajmëroi lideri i LSDM-së.

Zaevi ju bëri thirrje qytetarëve që të votojnë për numrin 12 me qëllim që të vazhdojë progresi dhe zhvillimi i Komunës së Rosomanit, por edhe në gjithë shtetin.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në mini mitingun e djeshëm në Zletovë në komunën e Probishtipit, ku u promovua kandidati për kryetar komune, Marjan Milenkovski porositi se pushteti aktual do të humbasë, por siç tha, të paktën le të tërhiqen në mënyrë dinjitoze. Theksoi se ditëve të fundit shikon një fushatë të paparë të zezë dhe propagandë e cila vetëm e konfirmon panikun në radhët e LSDM-së. Mickoski shtoi se nga pushteti sapo të hapin gojën i gënjejnë qytetarët.

“Po e dëgjoja dje në konferencë për shtyp Zoran Zaev thotë se do të investonte në periudhën që vijon as më pak, as më shumë se 12 miliardë euro. Edhe miliarda e Cile është një fëmijë i vogël për Zoran Zaev. Njeriu mund të thotë rehat 50, 100 miliardë, që ai e di se çfarë është një miliard. Por, ajo është ajo që Zoran Zaev e din më së miri dhe guxon më së mirë, njeriu thjeshtë nuk ka fytyrë, sepse kështu është prej natyre”, tha Mickoski.

Ai theksoi se në këtë moment armiku më i madh i marrëdhënieve etnike është pikërisht Zaev dhe partneri i tij BDI. Në tubimin parazgjedhor në Zletovë, Mickoski theksoi se nuk ka asnjë shembull tjetër në botë ku qeveria punon kundër interesave të vendit të vet, siç bën qeveria e LSDM-së dhe Zoran Zaev me Bullgarinë dhe presionin ndaj Komisionit, duke kërkuar të pranojë gjithçka, në kundërshtim me të gjitha faktet dhe të bëjë pazare me atë që është e shenjtë për shtetin.

Lideri i VMRO-DPMNE-së iu referua edhe gjendjes aktuale me KOVID 19. Ai theksoi se në vendet shumë të zhvilluara vetëm 10 për qind e pacientëve të shtruar me KOVID përfundojnë me vdekje. Kjo tregon se sistemi shëndetësor është i kalbur.

“Për momentin numri i të vdekurve është 7.000 njerëz, më shumë se 7.000 njerëz dhe kjo është më shumë se 11 qytete në Maqedoni që vetëm i sqaron pasojat katastrofike në vendin tonë”, theksoi Mickoski.

“Nuk pres se do të flasin për projekte, sepse nuk kanë projekte dhe nuk pres të flasin për të ardhme, sepse nuk dinë si të krijojnë të ardhme të re. Nëse e shihni në këtë fushatë ata ose flasin për të kaluarën, na kthejnë 10 vite mbrapa. Ata le të vazhdojnë të gjuajnë ulët, sa më ulët godasin, ne aq më lartë ngritemi. Ne flasim për projekte, për të ardhme të re dhe kështu edhe një, dy ditë deri në fund të fushatës do të vazhdojmë, ndërsa nga e hëna na pret shumë punë, ta nxjerrim Maqedoninë, ta nxjerrim Koçanin nga moçali politik në të cilin gjendet sot”, theksoi Mickovski.

Akuzoi se në publik nuk mund të gjendet asnjë sukses i qeverisë aktuale, të cilin, siç tha, e ka bërë shteti më i korruptuar në Evropë.

“Është fakt se qeveria e LSDM-së dhe BDI-së bëri që Maqedonia të jetë e treta në botë sipas vdekshmërisë nga pandemia kovid dhe në praktikë e qoi në fund sipas ekonomisë në rajon, por edhe në Evropë. Fakt është se është futur në borxhe shumë, është fakt se gjëja e vetme që bënë është shitja e identitetit nacional, fakt është në arsim dhe reforma të cilat i bënë nuk kemi asnjë Universitet në 100 të parët në Listën e Shangait dhe edhe shumë, shumë humbje të cilat i bënë”, shtoi Mickovski. Shtoi se e vetmja gjë që i mbetet pushtetit është ta frikësojë popullin dhe ta ndajë në baza të ndryshme, ndërsa koalicioni “Ripërtëritje e Maqedonisë” sheh kah e ardhmja, ofron projekte dhe plane për zhvillim.

Fokusi në rrethin e dytë të zgjedhjeve vazhdon të jetë tek kandidatët për kryetarë të kryeqytetit, Petre Shilegov nga LSDM dhe kandidates së pavarur, Danella Arsovska. Krahas prezantimit të programeve, ata vazhdojnë edhe me akuza të ndërsjellta.

Kisha rastin t’i shoh informacionet në media dhe sinqerisht u befasova për keq, komentoi kryetari aktual i Shkupit dhe kandidat për mandat të ri, Petre Shilegov pas publikimit të LSDM-së se oponentja e tij Danella Arsovska ka shtetësi bullgare.

“Jo aq për faktin se ka shtetësi bullgare, për të cilën nëse doni ta keni duhet të deklaroheni si bullgar/bullgare. Si ndjehet për nga përkatësia dhe pse dhe si ka marrë shtetësi, ajo është puna e saj. Por ajo që më shqetëson mua, ndërsa besoj edhe të gjithë shkupjanëve është e para, pse nuk e tregon të vërtetën publikisht dhe e dyta pse vazhdon ta gënjejë publikun rreth këtij fakti të dukshëm. Çështja është se edhe për çfarë tjetër nuk e ka thënë të vërtetën dhe çka tjetër që tha në fushatë është gënjeshtër? Shkupjanët gjithsesi nuk meritojnë trajtim të këtillë nga dikush që pretendon të jetë kryetar, dukshëm Arsovska është e prirë drejtë fshehjes së fakteve në publik. Seriozisht vihet në pikëpyetje integriteti dhe nderi i saj si kryetare e mundshme e Shkupit. Kjo është pyetja kyçe të cilën duhet ta parashtrojnë edhe qytetarët edhe mediat”, tha Shilegovi.

Kandidati i LSDM-së për kryetar të komunës së Shkupit, Petre Shilegov dje ka mbajtur takim me qytetarët nga më shumë vendbanime në komunën e Sarajit ku ka folur për atë që është bërë deri tani në këtë komunë si dhe atë çka pritet në mandatin e ri.

“Të dashur qytetarë të Shkupit, ju qytetarët jeni forca e këtij qyteti dhe vetëm ju vendosni se në ç’ qytet do të jetoni. E ardhmja e Shkupit është në duart tuaja. Të bashkohemi sepse zhvillimi i Shkupit nuk guxon të ndalet”, nënvizoi Shilegovi.

Me menaxhim të mirë dhe cilësor dhe shkurtim të shpenzimeve joproduktive, ndërmarrjet publike nën juridiksionin e qytetit do t’i bëjmë të vetëqëndrueshme, paralajmëroi kandidatja e pavarur për kryetare të Shkupit, Danela Arsovska.

Duke folur dje në Ditarin Qendror të TV Sitel, Arsovska theksoi se planifikon të zvogëlojë kostot joproduktive në prokurimin publik në ndërmarrjet publike, ku kontratat lidhen me çmime më të larta se ato të tregut.

Sipas Arsovska, qytetarët janë dëshmitarë të shpenzimeve joproduktive në Qytetin e Shkupit, ndërsa pagat nuk janë rritur aspak.

“Pagat e njerëzve duhet të rriten, megjithatë shpenzimet joproduktive janë aty ku bëhen furnizime publike me çmime dukshëm më të larta se ato që janë të tregut”, shton Arsovska.

Ajo e akuzoi kryetarin aktual të Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov për nënshkrimin e marrëveshjeve gjatë fushatës zgjedhore, midis të cilave edhe marrëveshje për pastrimin e mbeturinave.

Rrugët e paasfaltuara, qasja e dobët në shtëpitë e tyre, mungesa e hapësirave të mjaftueshme për parkim, parqet e pashfrytëzuara janë disa nga problemet me të cilat ballafaqohen banorët e vendbanimit të Shkupit Fushë Tophanë në komunën e Çairit, të cilët i prezantuan në takimin e sotëm para kandidatit të pavarur për kryetare komune të Shkupit, Danella Arsovska.

“Lagjja e Fushë Tophanës ndodhet në afërsi të zonës qendrore të qytetit dhe qytetarët çdo ditë përballen me shumë probleme, siç janë rrugët e paasfaltuara. Për mua është e papranueshme që në të gjitha anët e Shkupit të mos ketë kushte të barabarta për jetë dhe zhvillim. Duhet të bëjmë gjithçka që të kemi kushte cilësore jetese në kryeqytet. Që nga dita e parë do të punoj në zgjidhjen e të gjitha këtyre problemeve me zgjidhje të shpejta dhe efikase që do të nënkuptojnë tejkalimin përfundimisht të situatës aktuale. Nuk do të ketë vendbanime të harruara në Shkup”, theksoi Arsovska në takim me qytetarët në Fushë Tophanë.

Ajo shtoi se ndryshe nga zgjidhjet e pjesshme që ka lënë pushteti lokal në largim, ofron zgjidhje të plota, si zgjidhje e shpejtë dhe efikase e trafikut që do të lidhë komunat e Çairit, Butelit dhe Qendrës, zgjidhjen e problemit me parkingjet, ndërtimin e kateve të reja. garazhe dhe parkingje në Çairçankë, ambulantën në Çair dhe Fushë Tophanë.

Në komunën e Çairit sipas programit të Arsovskës, do të jetë një prej pesë mega parqeve në qytet, sipas shembullit të Parkut të Qytetit në Shkup.

Disa nga kryetarët e komunave të cilët fituan në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale dje i morën funksionet, me çka filloi të rrjedhë mandati i tyre katërvjeçar. Ata premtuan se do t’i realizojnë punët që janë pjesë e programit.

Në mbledhjen e Komisionit shtetëror zgjedhor u soll Vendimi për përsëritje të votimit në Vendvotimin 0543, Dibër, për zgjedhje të anëtarëve të këshillit të Komunës së Dibrës dhe zgjehdje të kryetarit të Komunës së Dibrës dhe Vendimi për përsëritje të votimit për zgjedhje të anëtarëve të këshillit të Komunës Shuto Orizarë dhe këshillit të Qytetit të Shkupit, në Vendvotimin numër 2957/1 Shuto Orizarë, pasi që paraprakisht Gjykata administrative i fuqizoi ankesat e parashtruesve të autorizuar të ankesave të cilat KSHZ i refuzoi për këto vendvotime.

Rrethi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 31 tetor (e diel). LSDM ka gjithsej 32 kandidatë në komuna dhe Qytetin e Shkupit, ndërsa VMRO-DPMNE ka kandidatë në 28 komuna.

Related posts

Taravari: Nuk diskutohet se do ta fitojmë Gostivarin, po diskutohet sa e thellë do të jetë diferenca

D V

Shilegov: Mbështetje e fuqishme financiare për qytetarët, 50% vakt më i lirë për studentët, deri në 50% kosto më e ulët për çerdhet

D V

Policia e siguron vendvotimin pa ndërprerë deri në përfundimin e zgjedhjeve

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More