Agjencia Zhurnal.mk.

Arrestime në Iran për keqtrajtimet e dyshuara në burg

Gjyqësori në Iran tha se dy persona janë arrestuar dhe katër të tjerë janë ndaluar dhe liruar me kusht, në lidhje me keqtrajtimet e pretenduara të të burgosurve në burgun Evin të Teheranit.

 

Ditë më parë, një grup hakerësh ka ndarë me Radion Evropa e Lirë dhe disa media persike video që duket se tregojnë roje të burgut duke rrahur të burgosur dhe duke i tërhequr zvarrë nëpër dysheme.

Agjencia e lajmeve e gjyqësorit iranian, Mizan, tha se gjashtë persona janë ndjekur penalisht dhe janë marrë në pyetje në lidhje me videot.

“Dy nga këta persona janë arrestuar dhe pjesa tjetër janë lënë të lirë me kusht”, raportoi Mizan.

Sipas agjencisë, “disa nga shkeljet që janë të dukshme në video, tashmë janë hetuar dhe njerëzit janë ndëshkuar ose pushuar nga puna”.

Grupi i hakerëve që e quan veten Edalat-e Ali [Drejtësia e Aliut] tha se videot janë marrë nga kamerat e vëzhgimit në burgun Evin.

Agjencia ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, Amnesty International, tha se ka analizuar 16 video që “ofrojnë dëshmi tronditëse vizuale të rrahjeve, ngacmimeve seksuale dhe keqtrajtimit të qëllimshëm të atyre që kanë nevojë për kujdes mjekësor”.

Videot “gjithashtu riafirmojnë shqetësimet për mbipopullimin kronik të burgut dhe për izolimet në kushte mizore dhe çnjerëzore”, tha Amnesty International.

Irani vazhdimisht i ka hedhur poshtë kritikat për abuzim të të drejtave të njeriut.

Por, në një pranim të rrallë të abuzimeve nga autoritetet, kreu i burgjeve të vendit, Mohammad Mehdi Hajmohammadi, ka kërkuar falje për “sjellje të papranueshme” në burg dhe është zotuar se do të përpiqet “të parandalojë çdo përsëritje të këtyre ngjarjeve të hidhura”.

Hajmohammadi më vonë ka njoftuar se personeli i burgut Evin, i përfshirë në video, është pezulluar nga shërbimi dhe se disa raste janë dërguar në një gjykatë ushtarake./rel

Related posts

Çfarë do të ndodhë pas largimit të SHBA-së nga Afganistani?

D V

Një ditë pasi El Salvadori e pranoi si monedhë të ligjshme, bie dukshëm vlera e Bitcoinit

D V

Gjermania propozon t’i vazhdohet mandati Ghebreyesus si OBSH-së

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More