Armata izraelite sot konfirmoi se forcat e saja ajrore në fillim të nëntorit kanë sulmuar një karvan automjetesh me armë iraniane në afërsi të kufirit siriano-irakian, me ç’rast jetën e humbën 10 njerëz.
Shefi Shtatmadhorisë izraelite, Aviv Kohavi sot deklaroi se zbulimi izraelit ka treguar se një prej 25 kamionëve në karvan ka bartur armë nga Irani për Libanin. Ai shtoi se pilotët kanë kryer “sulm të saktë”.
Gjatë sulmit, në të cilin jetën e humbën nëntë persona, përfshirë edhe iranianë, ushtria izraelite refuzoi të komentojë, në pajtim me politikën e saj zyrtare për të mos e konfirmuar përzierjen në sulmet në Siri.
Izraeli dyshohet se ka kryer qindra sulme ndaj caqeve në disa pjesë të Sirisë, të kontrolluara nga qeveria në Damask gjatë viteve të fundit, por Qeveria izraelite rrallë ka ndërmarrë përgjegjësi për operacionet e tilla.
Izraeli, megjithatë, nuk fsheh se sulmon dërgesa të armëve dhe pika të kontrolluara të organizatave të lidhura me Iranin, siç është Hezbollahu libanez.
Sipas mediumeve izraelite nuk është e qartë përse Kohavi, mandati i të cilit skadon në janar, vendosi të pranojë përgjegjësinë e armatës izraelite për sulmin e kryer në fillim të nëntorit.
Hezbollahu libanez në nëntor kumtoi se nuk është i lidhur me karvanin e sulmuar.
Irani është aleat i presidentit sirian Bashar al Asad dhe ka dërguar mijëra luftëtarë për t’u ndihmuar ushtarëve sirianë në luftën 11-vjeçare. Edhe Teherani edhe Qeveria në Damask janë aleatë të Hezbollahut, i cili lufton në anën e forcave të Asadit.
Një pjesë të madhe të hapësirës ajrore siriane është e kontrolluar nga Rusia, raportet e së cilës me Izraelin u përkeqësuan gjatë muajve të kaluar për shkak të raportit të Izraelit ndaj luftës ruse në Ukrainë.