Shkup, 13 tetor – Sektori për krim kompjuterik dhe forenzikë digjitale pranë Byrosë për Siguri Publike të Ministrisë së Punëve të Brendshme të RMV-së gjatë kësaj periudhe ka konstatuar një dukuri të shpeshtë të të ashtuquajturave sulme fishing ndaj qytetarëve, me qëllim marrjen e paautorizuar të të dhënave personale prej tyre, ndaj u bën thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar. Të dhënat personale janë vetëm personale dhe nuk ka nevojë asesi të ndahen me publikun, aq më pak në raste kur merren lejet e vozitjes nga të rinjtë që publikohen pa kurrfarë problemi dhe duke ekspozuar të gjitha të dhënat personale. Kjo gjë krijon pasiguri dhe raste potenciale për keqpërdorim të të njëjtave. Blerjet online janë shpeshtuar bashkë me këto edhe pasiguria dhe rastet kur ndodhin keqpërdorimet nuk janë të pakta. Prandaj, çdo hyrje në faqe interneti gjithkund ku kërkohen të dhënat personale duhet kujdes maksimal dhe verifikim i patjetërsueshëm. Aplikimet në konkurse të ndryshme, përgjigja ndaj emaileve pa identitet janë rastet më të shpeshta që personat bien pre e manipulimeve kibernetike që pastaj përfundojnë edhe me pasoja materiale. Për këtë çështje në Maqedoninë e Veriut ekziston edhe ligj i posaçëm për sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale, dhe realisht është një Agjenci e veçantë tek e cila paraqiten ankesat për rastet që ndodhin. Zakonisht në këtë adresë ka pasur më shumë ankesa nga qytetarët e shtyrë në moshë, pasi të rinjtë janë më të kujdesshëm dhe të informuar për sa i përket “kurtheve kiberentike”, shkruan Zhurnal.
Qytetarët cak i sulmeve fishing, nga MPB apelojnë për kujdes me të dhënat personale –
Sektori për krim kompjuterik dhe forenzikë digjitale pranë Byrosë për Siguri Publike të Ministrisë së Punëve të Brendshme të RMV-së gjatë kësaj periudhe ka konstatuar një dukuri të shpeshtë të të ashtuquajturave sulme fishing ndaj qytetarëve, me qëllim marrjen e paautorizuar të të dhënave personale prej tyre, ndaj u bën thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar.
“Sulmi fishing është përpjekje për të mashtruar përdoruesit duke dërguar mesazh të rremë që duket si i vërtetë. Sulmet fishing synojnë të mashtrojnë marrësin e mesazhit që të zbulojë informacionin e tij personal, të vizitojë një faqe interneti të rreme ose të hapë një bashkëngjitje të mesazhit që është i infektuar me virus. Përpjekjet për fishing zakonisht vijnë përmes postës elektronike, por edhe nga rrjetet sociale, përmes mesazheve me tekst ose thirrje telefonike”, thonë nga MPB.
Nga aty, Ministria e Punëve të Brendshme, për të mbrojtur qytetarët, të dhënat e tyre personale dhe abuzimet dhe pasojat e mundshme që mund të lindin, u bën thirrje qytetarëve për vigjilencë të veçantë në marrjen e mesazheve të tilla, që të mos bien në mashtrime të këtij lloji dhe të dhënat e tyre personale të mos i ndajnë dhe shkëmbejnë me persona të panjohur, si dhe me persona, identiteti i vërtetë i të cilëve nuk mund të përcaktohet, për të parandaluar abuzimin e tyre të mëtejshëm.
Raporte të ngjashme nga qytetarët Ministria e Punëve të Brendshme kishte pranuar në shtator dhe në prill të këtij viti, gjithashtu në emër të drejtorit të Byrosë për Siguri Publike, Sasho Tasevski, në bashkëpunim të pretenduar me Europolin.
Keqpërdorimet me të dhënat personale –
Zakonisht keqpërdorimet më të mëdha ndodhin me qytetarët që janë më të shtyrë në moshë, pasi po të njëjtit përdorin rrjetet sociale, hynë në faqe të ndryshme, por jo mjaftueshëm janë të informuar për tu mbrojtur nga ndonjë keqpërdorim i mundshëm.
Raste të shpeshta ndodhin kur pranojmë emaile të ndryshme nga njerëz të panjohur me email të pa identifikuar, por që përbrenda emailit me përmbajtje manipulative, duke filluar me prezantim e pastaj me ofertë për bashkëpunim, apo të shpeshta janë rastet kur edhe bëhen lajthitjet të formave që keni një testament, keni fituar kaq para, e gjëra të tilla që në shikim të parë janë banale për gjeneratat e reja.
E kërkesa këtyre manipulatorëve kibernetik është që të dërgojnë të dhënat, një kartelë banke, një dokument identifikimi e gjëra të tilla që janë të nevojshme për t’i realizuar qëllimet e tyre. Prandaj, edhe është mëse e nevojshme mbi atë se çfarë publikojmë në rrjete sociale. Shpesh herë ndodhë që marrja e patentë shoferit të publikohet në rrjete sociale si shenjë gëzimi pa mbuluar as një të dhënë personale, që është gabim trashanik dhe nuk duhet përsëritur sepse gjasat maksimale janë për një keqpërdorim të mundshëm.
Përmes, një fotoje të dokumentit të identifikimit ka raste që persona të ndryshëm në emër të huaj kanë tërhequr edhe kredi bankare, ose përmes blerjeve online janë marrë numrat e kartelave dhe pastaj janë tërhequr të holla në masë të madhe.
Ligji i Mbrojtjes së të Dhënave Personale rregullon mbrojtjen e të dhënave personale si liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve dhe veçanërisht të drejtat e privatësisë në lidhje me përpunimin e tyre.
Kujtojmë që, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës më 26 prill të vitit 2006 vendosi çdo vit 28 janari të festohet si Ditë e mbrojtjes së të dhënave personale. Në këtë ditë është hapur për nënshkrim Konventa 108 për mbrojtjen e personave gjatë përpunimit automatik të të dhënave personale të KE-së dhe më shumë se 30 vite është themel për mbrojtjen e të dhënave personale në Evropë dhe më gjërë. Dita e mbrojtjes së të dhënave personale sot festohet globalisht edhe jashtë Evropës dhe është e njohur si Dita e privatësisë. /Zhurnal.mk