Agjencia Zhurnal.mk.

Anzhe Logar para PE-së: Rruga e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së nuk do të jetë autostradë, por rrugë e vogël me shumë kthesa

Strasburg, 21 tetor – Parlamenti Evropian, dy ditë pas publikimit të paketës për zgjerimin e Komisionit Evropian, sot në seancë plenare ka debatuar për deklaratën e Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian për konstatimet e Samitit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në debatin thuajse dyorësh, shumica e deputetëve evropianë shprehën mbështetje për perspektivat evropiane të vendeve të rajonit, duke shprehur edhe dëshpërim për samitin në Bërdo, Slloveni, i cili nuk u ofroi të ardhme të qartë vendeve që sipas tyre, do të ishin nxitje për reforma. Në diskutim ishte kërkuar fillim i negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Lidhur me perspektivat evropiane të rajonit, rezervat vijnë vetëm nga radhët e të djathtës ekstreme, njofton korrespondenti i MIA-s.

 

“Në samitin e fundit pamë hipokrizi, nga njëra anë e Bashkimit Evropian luan rol se dëshiron t’i pranojë vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa Ballkani Perëndimor luan rol se janë duke i zbatuar reformat për t’iu bashkuar klubit”, paralajmëroi eurodeputetja, Viola Fon Kramon – Trudel.

Ajo, gjithashtu si Pedro Markes, Izabell Santos, Dimitros Papadimulis, Ladisllav Laliq, Tanja Fajon, Tonino Picula si edhe eurodeputetë të tjerë, vlerësuan se samiti kaloi vetëm me “rrahje pas shpatullave” dhe se ai konkretisht nuk u ka ofruar asgjë vendeve. Thuajse të gjithë pjesëmarrësit në diskutim, kërkuan menjëherë deri në fund të vitit gjatë kryesimit slloven me Unionin, të përcaktohet data për Konferencën e parë ndërqeveritare për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, të cilat janë bllokuar nga vetoja bullgare.

Të dyja vendet, sipas eurodeputetëve, ndërsa që gjithashtu ishte konfirmuar edhe nga Komisioni Evropian dhe Këshilli, i kanë plotësuar obligimet e veta por këtë nuk e ka bërë Bashkimi Evropian, përkujtuan eurodeputetët.

Nëse raportuesi për Maqedoninë e Veriut, Ilhan Quçuk ishte konstruktiv në fjalimin e tij, ky nuk ishte rasti me Angell Xhambazki, i cili sërish hodhi akuza të rënda për Maqedoninë e Veriut: “se i ka shkatërruar varrezat luftarake bullgare, nuk ka lejuar vetëprëcaktimin e bullgarëve në Maqedoni, diskriminimin e tyre, gjuhën e urrejtjes”. Nga ana e tij Andrej Kovaçev kërkoi që të harrohet e kaluara komuniste dhe trashëgimia e Titos.

Rreth vetos bullgare dhe akuzave të Xhambazkit përgjigjja erdhi nga eurodeputeti Tomas Uajs.

 “BE përcaktoi kushte të qarta për fillimin e negociatave, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria i plotësuan këto kushte për të filluar negociatat, ndërsa është për të filluar negociatat jo për anëtarësim. Ky është rast që të flitet për probleme bilaterale. Kërkoj nga Bullgaria të na lejojë të dalim nga qorrsokaku”, tha ai.

Eurodeputeti Vajs drejtpërdrejtë iu drejtua homologut Xhamaski. “Zoti Xhambaski partia e juaj nuk ishte zgjedhur në parlamentin bullgar dy herë, do të thotë se popullat bullgare nuk e mbështet gjuhën tuaj të urrejtjes dhe ndasitë. Do të ishte mirë Bullgaria të jetë pranë partnerëve evropinë dhe të na lejojë të dalim nga qorrsokaku dhe të fillojmë me negociatat”, konstatoi Vajs.

Sipas diskutimeve të eurodeputetëve, popullata në rajon akoma me shumicë është me prirje proevropiane, por kjo po zvogëlohet. Ata kërkuan të mos pritet shumë gjatë, kjo është përgjegjësi e madhe për të gjithë, por veçanërisht për Bullgarinë. Në të kundërt, sipas tyre është duke u zvogëluar edhe kredibiliteti i Bashkimit Evropian dhe lihet hapësirë për ndikime të tjera si ato të Rusisë, Kinës apo Turqisë.

Në pozitë të njëjtë është edhe Komisioni Evropian, që në debat ishte prezentuar nga Maired MkGinis, komisare evropiane për shërbime financiare, stabilitet financiar dhe union të tregjeve të kapitalit, e cila theksoi se zgjidhja e çështjeve të hapura midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë duhet të jetë prioritet.

Ministri slloven i Punëve të Jashtme Anzhe Logar, si kryesues i Këshillit, theksoi se kritikat të cilat u shqiptuan nga Parlamenti Evropian, nuk kanë të bëjnë me kryesimin me Këshillin, por në llogari të atyre që kanë rezerva rreth zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor.

“Të shprehet pakënaqësi për procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor është mesazh i qartë për BE-në, dëshmi se duhet të përshpejtohet progresi si prej institucioneve ashtu edhe prej vendeve të rajonit”, tha ai.

Duke pranuar se ecuria e Samitit nuk është e kënaqshme, Logar beson se rruga e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së nuk do të jetë autostradë, por një rrugë e vogël me shumë kthesa, e cila do të na çojë drejt zgjerimit. Suksesi i përpjekjeve sllovene për vendet e rajonit është mesatar. Duke kujtuar se ka kontradikta në vetë Deklaratën e Bërdos, Logar tha se në fillim fjala zgjerim nuk mund të përdoret në tekstin e deklaratës dhe se nuk ka datë. Ai kujtoi se kryesimi slloven e bëri atë për të pasur një datë, por gjatë koordinimit nuk ishte e mundur. Disa eurodeputetë ankohen për reformat që janë në bllokim në Ballkanin Perëndimor, por strategjia e zgjerimit 2020, e cila synon të bëjë përparim në këto reforma, është miratuar.

Shefi i diplomacisë sllovene beson se do të ishte gabim të ndaheshin vendet nga rajoni, siç kërkohet nga disa eurodeputetë, në rrugën e tyre drejt BE -së.

“Duhet të dihet se Republika e Maqedonisë Veriore i plotëson të gjitha kushtet e përcaktuara, por ne kemi nevojë për unanimitet nga të 27 shtetet anëtare, por tani për tani nuk ekziston”, tha ai.

Në fund, Logar kujtoi se “suksesi i samitit është i vërtetë” pavarësisht gjithçkaje, sepse deklarata thotë se takime të tilla duhet të mbahen rregullisht për të folur për perspektivat dhe përparimin e arritur. Kështu, samiti i ardhshëm do të jetë nën presidencën çeke.

“Tani gjithçka është bardhë-zi, se zgjerimi drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor paraqet komponentë strategjike drejt së cilës të gjithë jemi të lidhur. Ne e konfirmuam planin për investim dhe u zotuam që të ofrojmë ndihmë për vaksinimin kundër Kovid”.

Kjo, sipas Logarit duhet t’i dërgojë këto vende në reforma më vendimmarrëse dhe t’ua shkurtojë argumentet e atyre vendeve-anëtare të cilat janë skeptike për zgjerimin. 

Related posts

Konjufca dhe deputeti Genc Nimanbegu flasin për raportet Kosovë-Mali i Zi

D V

Këto janë disa nga marrëveshjet Kosovë – Shqipëri që pritet të nënshkruhen në mbledhjen e dy qeverive të premten

D V

Ahmeti: Sot u shkrua edhe një copëz historie në qeverinë e vendit tonë

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More