Agjencia Zhurnal.mk.

Anketa e re: Rritet për të dytin muaj rresht epërsia e Bidenit ndaj Trumpit

Shkup, 16 maj – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, vazhdon që të ketë më shumë përkrahje se kandidatët e mundshëm të Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, sipas një ankete të re të agjencisë “Reuters” dhe “Ipsos”.

Megjithatë, sipas këtij sondazhi, ka rreziqe të mundshme për Bidenin, nëse situata me emigrantët në kufirin jugor të ShBA-së përkeqësohet, raporton agjencia “Reuters”.

Sipas rezultateve të anketës, Bideni ka epërsi prej 6 për qind ndaj Trumpit, 44 për qind me 38 për qind. Në mesin e marsit, anketa kishte treguar se epërsia ishte 5 për qind, ndërsa në shkurt vetëm 3 për qind.

Në anketën e re kanë marrë pjesë 4 mijë e 410 persona të rritur në pjesë të ndryshme të Shteteve të Bashkuara. Për votuesit e regjistruar, intervali i besueshmërisë është 2 për qind.

Sa i përket garës brenda Partisë Republikane, Trumpi vazhdon të ketë dukshëm më shumë përkrahje se kundërkandidati i mundshëm, Ron DeSantis, i cili është guvernator i Floridës.

49 për qind e republikanëve të regjistruar në anketë kanë thënë se e përkrahin Trumpin, ndërsa vetëm 21 për qind guvernatorin DeSantis.

Çështja e emigrantëve në kufirin Meksikë – ShBA përbën rrezik të mundshëm ndaj përkrahjes së amerikanëve për presidentin Biden. Në anketë, 64 për qind e demokratëve dhe 93 për qind e republikanëve thanë se përkrahin një kandidat që mbështet masa më të rrepta për ta siguruar kufirin.

Arizona, shtet amerikan që shtrihet në kufi me Meksikën, ishte kyçe në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Bideni kishte fituar kundër Trumpit atje me vetëm 0,3 për qind epërsi. Sipas anketave, imigrimi është çështje kryesore në Arizona.

Related posts

ShBA-ja nuk do të jap viza për sulmuesit e Bregut Perëndimor, thotë Blinken

Xh M

22 të vdekur nga shpërthimi i vullkanit në Indonezi

Xh M

Samiti i Gjirit Arab bën thirrje për ndjekjen e përpjekjeve ndërmjetësuese për armëpushim në Gaza

Xh M