Shkup, 29 tetor – Qendra sociale për paraqitje të personave të papunësuar në Veri të Shkupit, pothuajse çdo ditë nuk është në funksion të qytetarëve. Ankesa të shumta nga qytetarë të ndryshëm të cilët në këto temperatura vjeshte marrin rrugën për të kryer obligimin për t’u paraqitur, por kjo qendër në Shkup Veri nuk është funksionale në tërësi.
Siç ankohen qytetarët, punonjësi, apo punonjësit në këtë qendër “tallen” me arsyetime të kota kinse nuk ka rrymë apo me arsye të ndryshme përmes së cilave e mbyllin lokalin dhe kush e di se ku drejtohen në orar pune. Qytetarët shprehen të revoltuar se këta punëtorë marin rrogë dhe nuk punojnë e qëndrojnë në shtëpi. Ka prej qytetarëve të cilët për tre ditë me radhë nisen për të kryer obligimin për T’u paraqitur por është e kotë sepse lokali vazhdimisht qëndron i mbyllur, shkruan Zhurnal.
Nuk dihet nëse nga Ministria për Punë Sociale apo edhe nga Agjencia për Punësim kanë njohuri për këtë neglizhencë të këtyre të punësuarve.
E për të mësuar më tepër rreth “mos punës” së kësaj qendre, Agjencia e lajmeve Zhurnal kontaktoi direkisht me Agjencinë për Punësim.
Nga atje nuk kishin njohuri për këtë neglizhencë të të punësuarve mirëpo na njoftuan se nëse është nevoja do të marin masa ndëshkuese ndaj tyre nëse konfirmohet një gjë e tillë.
Nga atje thonë se do të formohet një komision i cili do të mbikqyrë punën dhe do të vërtetojnë gjendjen faktike në këtë qendër dhe varësisht prej saj, do të ndërmeren masa.
“Të hënën do të bëhet mbikqyrje në teren, do të formohet komision për t’u konfirmuar gjendja faktike. Ne nuk mund të veprojmë ashtu shpejtë në bazë të ankesave por gjithsesi do të formohet komision lidhur me këtë çështje”, shprehen nga Agjencia për Punësim.
Kjo qendër sociale duhet të jetë në shërbim të qytetarëve nonstop për aq sa është orari i punës i kësaj qendre. Të punësuarit në këtë qendër gjithashtu duhet të jenë në shërbim të qytetarëve të cilët janë në nevojë sepse në këtë qendër për paraqitje qytetarët nuk shkojnë për kafe por për hallet e veta ndërsa për mos seriozitetin në punë të disa të punësuarve, ata mund edhe të humbin të drejtën për ndihmë sociale./Zhurnal.mk